2018-02-13 11:13:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 22


Në emisionin e njëzetedytë të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra: Skënderbeu ndërmjet luftës e paqes.

Mbetëm, në emisionin e kaluar, tek oferta për paqe, që i bëri Sulltani Skënderbeut. E te mëdyshja e Gjergjit: “Ta pranonte, a të mos e pranonte,   paqen që dilte nga Sarajet e Sulltanit!”. E dinte mirëfilli se një paqe e tillë nuk do të ishte pa pasoja. Madje të rënda. Por, nga ana tjetër, ishte i vetëm, tmerrësisht i vetëm, pa mjete e përballë armikut më të fuqishëm të kohës së tij. Jehona e kësaj ngjarjeje arriti në Romë të nesërmen e ofertës për paqe e para se Kastrioti të merrte ndonjë vendim. E mësojmë këtë përmes një dokumenti me vlerë, të cilin historianët nuk e kanë vlerësuar akoma si duhet. Është një letër që Piu II ia shkruante, më 3 maj të vitit 1459, Dukës së Borgonjës, përmes së cilës i shprehte jo vetëm pakënaqësinë për refuzimin lidhur me pjesëmarrjen në kongresin e Mantovës, por edhe druajtjen për vendimin, që do të merrte  Kastrioti. Skënderbeu, ndërkaq, nuk kishte marrë asnjë vendim, e prandaj edhe nxitohej ta njoftonte Papën e t’i kërkonte këshilla.

Piu II, siç parashikohej, e këshilloi të mos e pranonte paqen me Sulltanin e të punonte me takt e urti për t’i bindur edhe popullin e Lidhjen që të mbanin po këtë qëndrim. Ishte punë e rëndë, kjo, që zgjati disa muaj. E  më në fund, në korrik 1459, Sulltani mori përgjigje negative. Shqiptarët nuk e pranuan paqen, që duhet të vinte nga Stambolli, prej nga i kishte ardhur vetëm lufta.

Si dështoi përpjekja diplomatike, Mehmeti II bëri çmos t’i afronte shqiptarët, herë me kërcënime, herë me premtime. Meqë nuk u bindën, u dha urdhër trupave të kufirit të pushtonin trojet kufitare, t’u vinin zjarrin, t’i shkatërronin e t’i plaçkisnin. Këtë e vërtetojnë dy dokumente papnore. Pasi disa zona qenë bërë shkrumb e hi e popullsia e tyre, zhdukur nga faqja e dheut, Kastrioti nxitoi ta njoftonte Piun II për këtë situatë kaq të dhimbshme e Papa, nga ana e tij, i dërgoi menjëherë dy breva fratit Giorgio Di Lizio të Urdhërit të Predikatarëve. Me brevën e parë, të 4 gushtit 1459, i dha lejën të rindërtonte disa manastire e, me të dytën, të 11 gushtit 1459, e emëronte Di Lizio-n,  nunc apostolik në Shqipëri, për ta ngushëlluar e për ta përforcuar në fe  popullin e këtyre trojeve,  nënshtruar mizorive më të tmerrshme, që njihte historia. 1

Veprimtaria energjike e Papës, manifestuar në brevën kundër Dukagjinëve e, më pas, edhe me brevën drejtuar Di Lizio-s, në dy data njëra pas tjetrës (4-11 gusht 1459), tregon qartë se Piu II, i shqetësuar nga ngjarjet e Shqipërisë e duke e pasur shumë për zemër  veprimtarinë e Skënderbeut, po përgatiste me shpejtësi planin, që duhet të arrinte kulmin me kryqëzatën e madhe kundër turqve.  

Një muaj më pas, në shtator 1459, në Mantova mbahej një seancë e rëndësishme e Kongresit për kryqëzatën, të cilën deshi ta drejtonte vetë Papa, sepse e shikonte këtë si gur-themeli për ndërmarrjen e madhe. Për ta organizuar sa më mirë luftën kundër turqve, u mor vendim të rekrutoheshin trupa në tokat fqinje me armikun, sepse ata i njihnin më mirë taktikën dhe zakonet e turqve.3

 Papa mbeti mjaft i zhgënjyer nga kjo seancë e kongresit, mbasi disa shtete evropiane përfaqësoheshin keqas, ose mungonin fare. E deri personalitetet  e grupit që e shoqëronte, e shikonin me dyshim planin e tij. Madje e konsideronin fare të parealizueshëm. Atëherë Piu II e kuptoi plotësisht hidhërimin e paraardhësve të tij: Eugjenit IV, Nikollës V e Kalistit III, që i lëshuan më kot kushtrimin Evropës së kohës për t’u mbrojtur nga kërcënimi i Gjysëmhënës. Piu II u prek në shpirt nga ky qëndrim i  plogësht, por zelli i tij i zjarrtë nuk u shua. Përkundrazi. Papa i madh që merrte forcën nga feja, vijoi të punonte për ta realizuar planin e tij. Duke parë qëndrimin e akullt të shteteve italiane, mendoi një udhë tjetër, që shumëkujt iu duk edhe më e çuditshme se kryqëzata… Për të do të flasim në emisionin e 23-të.   

 

1 Theiner, Mon. Hung. v. II, fq 320, n, 500

2 Theiner, Mon. Hung. v. II, fq 332, n, 508

3 S. Masci, vep.cit. fq 169








All the contents on this site are copyrighted ©.