2018-02-13 11:57:00

Përqafimi i Papës me Patriarkun Youssef, duke kujtuar vuajtjen e një populli


Sot paradite Papa Françesku e kremtoi Meshën në Shtëpinë e Shën Martës, së bashku me Patriarkun e Antiokisë, Youssef Absi dhe me ipeshkvijtë greko-melkitë katolikë, për vizitë në Romë, në përfundim të Sinodit të tyre, mbajtur në Liban, në fillim të shkurtit.

Shprehje e Bashkimit kishtar

Arsyeja e vizitës, manifestimi publik i Bashkimit kishtar, përmes kremtimit të sotëm eukaristik, akorduar nga Papa Patriarkut të sapozgjedhur, me letrën e 22 qershorit të kaluar. Dje, në audiencën me anëtarët e Sinodit greko-melkit, Françesku kujtoi se në këto çaste, më shumë se asnjëherë, barinjtë janë të thirrur të manifestojnë para popullit të Zotit, që vuan, “bashkimin, unitetin, afërsinë, solidaritetin, transparencën e dëshminë”.

Përqafimi me Pjetrin dhe lutja për një popull, që vuan

E sot Papa e shpjegoi edhe një herë kuptimin dhe vlerën e këtij bashkimi: “Kjo Meshë me vëllain tonë, patriarkun Youssef, do të bëjë apostolica communio: ai është atë i një Kishe. Kishë tejet e lashtë. E vjen të përqafojë Pjetrin, vjen t’i thotë “unë jam në bashkim me Pjetrin”. Ky, kuptimi i kremtimit  të sotëm: përqafimi i Atit të një Kishe me Pjetrin. Një Kishe të  pasur, me teologjinë e vet brenda teologjisë katolike, me liturgjinë vet të mrekullueshme e me popullin e vet, popull, shumica e të cilit në këto çaste është i kryqëzuar, si Jezusi. Ta ofrojmë këtë Meshë për popullin, për popullin, që vuan, për të krishterët e persekutuar të Lindjes së Mesme, që japin jetën, pasuritë, pronat, sepse dëbohen pa mëshirë nga trojet e veta. E ta ofrojmë Meshën edhe për shërbesën e vëllait tonë, Youssef”.

Mirënjohja dhe ngashërimi i Patriarkut Youssef

Patriarku i Antiokisë, në emër të të gjithë ipeshkvijve të pranishëm, i shprehu Papës mirënjohjen e thellë “për këtë Meshë prekëse bashkimi”, duke shtuar se ndjehet thellësisht i prekur nga dashuria vëllazërore dhe gjestet e vëllazërimit e të solidariettrit, që tregoi Kisha jonë. Së fundi, premtimi:

“Ju premtojmë se do ta ruajmë gjithnjë në zemrat tona, në zemrën e ne të gjithëve, kler e besimtarë, këtë çast, që nuk arrij ta përshkruaj, aq i bukur ishte: këtë vëllazëri, këtë bashkim, që i lidh e i bën një të gjithë dishepujt e Krishtit. Faleminderit, Shenjtëri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.