2018-02-13 06:30:00

Karnevalet: histori e kureshti.


Ndërsa afrohet e Mërkura e Përhime, kohë lutjeje, pendese e bamirësie, arrin kulmin festa popullore e Karnevaleve, që i paraprin Krezhmëve. Karnevalet na kujtojnë festa të lashta pagane, si luperkalet (rite pastrimi, që kremtoheshin nga priftërinjë e idhujve, të quajtur ‘luperçi’, më 15 shkurt) dhe saturnalet, festë popullore e Romës së lashtë, për nder të Saturnit. Gjatë kremtimit, më 17 e 23 dhjetor, të kësaj feste shembej çdo mur, që ndante klasat e shtresat e ndryshme shoqërore, duke krijuar mundësitë për të gëzuar disa liri, që në kohë të zakonshme nuk ishin të lejuara.
Që nga fillimi i 1400-shit, moralizuesit e epokës nisën një sulm të rrebtë kundër karnevaleve, duke i gjykuar si tepër pagane ritet, festat e gostitë, që organizoheshin me tepri në këtë periudhë, kur në të gjitha shtëpitë ndjehej aroma e ushqimeve të bollshme e, sidomos, era e petullave, të gatuara me receta të shumëllojshme, sipas traditës së viseve, ku kremtohet Karnevali.
Pavarësisht nga këto sulme, Karnevali vijoi të krijonte forma të reja kremtore, sipas zakoneve të vendeve të ndryshme.
Në Mesjetën e vonë nisi edhe veshja me rroba karnevalesh, që vijon edhe sot, kudo kremtohet festa. Maskimi u krijonte njerëzve mundësinë të luanin një rol të ri, të dënonin mbrapshtitë e figurave hjerarkike, të talleshin me veset, me njerëzit e zakonet e këqija, të fshehur pas maskave, sot të njohura në mbarë botën si simbol i ligështive e i dëshirave të tepruara njerëzore, që e meritojnë sulmin me armët e përqeshjes.
Në disa vende festa organizohet në mënyrë aq originale, sa të tërheqë turistë nga mbarë bota. Të famshme, për shembull, Karnevalet e Venedikut e ato të Brazilit.
Në Shqipëri Karnevalet nisën të kremtohen së pari në Shkodër, në vitet ’30. E pikërisht këtu, kjo festë vijon edhe sot, duke fituar një origjinalitet të veçantë, me maskat e bejtat e pasura, që krijohen aty për aty, gjatë kalimit të Karnevaleve në rrugët kryesore.
Rrënja etimologjike e fjalës Karnevale është e paqartë: dikush mendon se vjen nga fjala latine ‘carrus navalis’, karro në formë anije, që përdoreshin gjatë procesioneve të pastrimit; të tjerë e shikojnë këtë fjalë si të prejardhur nga ‘carnem levare’, traditë mesjetare e organizimit të një gostie, për t’i thënë lamtumirë mishit, një natë para së Mërkurës së Përhime, duke u ngopur deri në neveri, para se të fillonte periudha e Krezhmëve.
E Mërkura e Përhime, festë me origjinë fshatare, kushtuar pjellorisë së tokës, përfundonte me djegien e një dordoleci të madh, hiri i të cilit, pastaj, groposej pikërisht të Mërkurën e Përhime.
E kjo traditë vijon edhe sot. Në Shkodër Karnevalet përfundojnë gjithnjë me djegien e Kryekarnevalit, që personifikon veset, shoqëruar me vargjet e mirënjohura të traditës, që përmbajnë një porosi me vlerë për bijtë e baballarëve të parregullt:

“Mos i ngjaj, biro, tyt et
Se ai ka kenë i panafakë.
A di çka i bane vjet,Shokët e tij e ndezën flakë!”.

Ditë Karnevalesh
Kur ti, lexuesja ime, do të shikosh
Si çmenden nëpër rrugë karnevalet,
Oh! Mos harro, të lutem, mos harro
Sa vuajnë varfanjakët nëpër spitalet.

Kur të vallosh, e bukur dhe e lirë,
E të lodrosh përplot me ngjyra veshë,
Kthe kokën pas e, të lutem, mos harro,
Se të vobektëve fati kurrë s’u qeshë.

E kur vetveten ta shikosh në pasqyrë
E dashuria të t’ ndrisi mu në sy.
Kujto, ti vashë, se është vetëm ajo
Që mund ta shpëtojë botën, edhe ty!

Përshtatur në shqip sipas vargjeve të poetit italian, Lorenzo Steketi.








All the contents on this site are copyrighted ©.