2018-02-12 13:10:00

Papa bashkon zërin në lutjen për Republikën Demokratike të Kongos


Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku përshëndeti bashkësinë kongoleze të Romës, e pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit dhe bashkoi me të zërin në lutjen për paqe në Republikën e Kongos. Kujtoi, më pas, edhe Ditën e lutjes e të agjërimit, shpallur për 23 shkurtin e ardhshëm e kushtuar pikërisht këtij vendi dhe Sudanit të Jugut.

Republika Demokratike e Kongos po kalon një krizë të rëndë politike, me presidentin në përfundim të mandatit, Joseph Kabila, që refuzon ta lërë detyrën e nuk i ka shpallur akoma zgjedhjet e reja. Manifestimet antiqeveritare, organizuar nga komiteti laik i dioqezës së kryeqytetit Kinshasa, po përfundojnë shpesh me gjakderdhje. Në të fundmin, organizuar më 22 janarin e kaluar, vdiqën gjashtë vetë, ndërsa 70 të tjerë u plagosën e 115 u arrestuan. Ndërmjet tyre, edhe dhjetë meshtarë. Konferenca  ipeshkvnore e vendit denoncon krijimin e një klime armiqësore kundër të krishterëve, që gjithnjë më shumë po përfundojnë si viktima të urrejtjes, dhunës e sekuestrimeve, siç i ndodhi, javën e kaluar, atit Sebastien Yabo, në rrethinat e Kinshasës.

Për situatën në këtë vend, në të cilin ushtria  lufton edhe kundër milicive rebele   në zonën lindore të Kivusë, OKB-ja ka shprehur disa herë shqetësimin, duke kërkuar respektimin e procesit të paqes, vendosur nga marrëveshjet e paqes të 31 dhjetorit, që e ndalojnë Kabilën të kandidohet për një mandat të tretë dhe kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve brenda fundit të këtij viti.








All the contents on this site are copyrighted ©.