Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa, ipeshkvijve greko-melkitë: dëshmoni Zotin në Lindjen e Mesme

Papa Françesku me anëtarët e Sinodit greko-melkit

12/02/2018 14:51

Barinjtë e Kishës të mos shkojnë pas parave dhe luksit. Papa Françesku flet qartë në takimin me anëtarët e Sinodit greko-melkit, të cilët kanë ardhur në Romë, për t’u lutur tek varri i Shën Pjetrit apostull e për të shprehur publikisht Bashkimin kishtar, akorduar nga Papa, Patriarkut të ri të Antiokisë, Youssef Absi, me letrën e 22 qershorit të kaluar. Nesër, pikërisht për këtë, do të kremtohet një meshë në Vatikan.

Të jeni bartës të Tejetlartit

Ati i Shenjtë u kërkon të jenë “barinj dëshmitarë, që i gjallërojnë zemrat e besimtarëve, duke u qëndruar atyre pranë, duke i ngushëlluar, duke u përkulur drejt tyre dhe nevojave të tyre” e njëkohësisht, duke i shoqëruar drejt lartësive, drejt Qiellit, ku është Krishti, e jo drejt kotësive tokësore.

“Kemi shumë nevojë për barinj, që e përqafojnë jetën me gjerësinë e zemrës së Zotit, – vijon Papa Françesku – pa u mbështetur në kënaqësitë tokësore, pa u ndalur në administrimin e gjërave ekzistuese, por duke synuar gjithnjë e më lart; barinj, bartës të Tejetlartit, të lirë nga tundimi për ta ruajtur ‘kuotën e ulët’; të palidhur me përmasat e ngushta të një jete të vakët e të zakonshme; barinj të varfër, që nuk shkojnë pas parave e luksit, në mesin e një populli të varfër, që vuan; lajmëtarë koherentë të shpresës, në udhë të përhershme me vëllezërit e motrat”.

Para se të bëjë këtë thirrje të fuqishme, Papa Françesku kujton periudhën e vështirë historike, që po kalon Lindja e Mesme e dëshminë e gjakut, që japin nganjëherë të krishterët e zonës.

“Uroj me gjithë zemër – thekson Ati i Shenjtë – që, me dëshminë e tyre të jetës, ipeshkvijtë dhe meshtarët greko-melkitë t’i inkurajojnë besimtarët të qëndrojnë në tokën ku Provania Hyjnore ka dashur të lindin”.

Lutje e vazhdueshme për Sirinë dhe Lindjen e Mesme

         Ati i Shenjtë i siguron Patriarkut greko-melkit, të cilin e quan “vëlla i dashur”, afërsinë e tij në lutje për gjithë Lindjen e Mesme, por edhe për të krishterët e zonës, që tashmë jetojnë në vende të tjera, duke mbushur radhët e diasporës:

         “Është lutje, që nuk mund të ndahet nga ajo për Sirinë e dashur e për gjithë Lindjen e Mesme, rajon, ku Kisha juaj ka rrënjë të thella dhe kryen një shërbim të çmuar për të mirën e Popullit të Zotit”.

Kurrë, më shumë se sot, duhen bashkimi, solidariteti, dëshmia

         “Kurrë si në këto çaste – nënvizon Françesku, duke përmendur letrën, që i pati dërguar Patriarkut në qershor – barinjve u duhet të dëshmojnë, para popullit të Zotit që vuan, bashkim, afërsi, solidaritet, transparencë dhe dëshmi”. E Ati i Shenjtë bën thirrje të vazhdohet kjo rrugë e kujton Ditën e lutjes e të agjërimit për paqen, që do të kremtohet më 23 shkurt:

         “Në atë rast, nuk do të mungoj të kujtoj, në mënyrë të veçantë, Sirinë e goditur gjatë këtyre viteve nga vuajtje të patregueshme”.

12/02/2018 14:51