2018-02-12 07:00:00

Më 12 shkurt, kujtojmë vrasjen e Papa Kristo Negovanit, martir i atdhedashurisë


Më 12 shkurt, kujtojmë vrasjen e Papa Kristo Negovanit, martir i atdhedashurisë. Pra si sot, me 12 shkurt  1905 u masakrua ne moshën 30 vjeçare shkrimtari dhe kleriku patriot Papa Kristo Negovani.

Papa Kristo Negovani (1875-1905) lindi dhe vdiq në fshatin Negovan të rrethit të Follorinës. U shkollua në Athinë. Pas përfundimit të shkollës, u kthye menjëherë në vendlindje dhe nisi punën si mësues. Ra në kontakt me lëvizjen kombëtare për çlirim nga Turqia, e cila mishëronte pikërisht idealet e tij: dashurinë për atdhe, krenarinë kombëtare, lidhjen e ngushtë me traditat e, sidomos, dëshirën e zjarrtë për lëvrimin e gjuhës shqipe.

E ktheu menjëherë shkollën ku jepte mësim, në vatër të shqiptarizmës. Nisi t’u mësonte të shkruanin e të lexonin shqip fëmijëve, të rinjve e të moshuarve, burrave e grave. Po shkolla iu duk e ngushtë për misionin e tij. U dorëzua, prandaj, prift, duke menduar se bashkfshatarët do ta kuptonin më mirë Fjalën e Krishtit, në se kjo Fjalë u shpallej në gjuhën e tyre.  Si prift i Kishës Ortodokse, nisi menjëherë ta kremtonte Meshën shqip. Iu desh të përkthente shumë copa të librave liturgjike, ose të shfrytëzonte atë që kishin përkthyer të tjetër.

Nisi të merrej me katekizmin e krishterë dhe njëkohësisht të shkruante vjersha e tregime, të përshtaste fabula e gjithçka i hynte në punë për misionin e dyfishtë të mësuesit e të priftit. Veprimtaria e tij atdhetare ngjalli  reagime të fuqishme si nga pushtuesi turk ashtu edhe nga kundërshtarët e brendshëm. Nisën kërcënimet. Po ai nuk hoqi dorë nga idealet e tij.

Megjithëse ai e dinte që jeta e tij do të kishte një fund tragjik, qysh në moshë fare të re nuk u ndal por vazhdoi të ndiqte deri në fund punën që kishte nisur. Dy orë para se ta vrisnin, ai i shkruante një miku të tij në Rumani se tri herë e kishin gjykuar dhe orë e çast e kërcënonin për shkakun e gjuhës shqipe, por kujdesi i tij s’ishte aq të ruante veten sesa të përhapte shkrimet dhe të forconte lëvizjen kombëtare shqiptare: “Merrni edhe këto vjersha. Ngutem t’i dërgoj sa kam shkruar se mos mbeten, ndëqoftëse ndërrojmë jetën, pas menyrës që u thashë”.

Më 12 shkurt, ditë a acartë dimri, me dëborë e ngrica të forta, Priftin e arrestuan së bashku me të vëllain. Nuk pritën të arrinte në burg: e masakruan rrugës dhe e lanë të copëtuar mbi dëborë. Të afërmit, të shqetësuar nga mungesa e tij, u nisën ta kërkonin. Në pejzazhin e bardhë, dalluan diçka që i ngjiste shqiponjës në fushën e flamurit: ishte rasua e zezë e priftit që shpalosej në një fushë dëbore të gjakosur. Ky është trashëgimi më i çmuar që na la. Veprat i mbetën të shpërndara nëpër gazeta e revista të ndryshme të kohës.

Nga krijimtaria e tij kujtojmë: “Vjershë shkresëtoreje” ; “Hijtore istori me urata të thëna”; “Prishëja e Hormovës”, “I vogëli Donat Argjëndi”; “I drunjëti kryq”; “Istorishkronja e Plikatit”; “Istori e dhjatës vjetërë”; “Bënjatë e shënjtorëvet dërgimtarë” që sot do të tingëllonte si “Bëmat e Apostujve” e tjera.








All the contents on this site are copyrighted ©.