Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Më 12 shkurt, kalendari përkujton Shën Benediktin e Anianit.

Manastir benedektin - ANSA

12/02/2018 07:00

Më 12 shkurt, kalendari përkujton Shën Benediktin e Anianit. Ati i parë i jetës murgare gjermanike, Witiza, siç u quajt në pagëzim, lindi në vitin 750 në familjen fisnike vizigote Agjilulfo në jug të Francës. U dërgua për të studiuar në oborrin mbretëror të Jozefit të shkurtër. Më pas hyri në ushtrinë e Karlit të Madh dhe luftoi në Itali kundër Longobardëve. Këtu, duke rrezikuar jetën e vet, shpëtoi jetën e të vëllait që kishte rënë në ujë e po mbytej i përpirë nga gjeratoret e lumit Tiçino. Kjo ngjarje pati ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e tij. U kthye, së bashku me një murg të verbër me emrin Vidmar, në Francë. Hyri menjëherë në kuvendin e Shën Sekuanos, pranë Dizhonit, ku mori emrin rregulltar Benedikt.

Shumë shpejt u zgjodh abat i këtij kuvendi, por sivëllezërit nuk munden ta durojnë sjelljen e tij tepër asketike. Atëherë ai u largua e themeloi kuvendin e vet benediktin në Anian, pranë Montpelié. Zgjodhi rregullën benediktine, sepse tek Shën Benedikti njohu njeriun që jetonte ashtu si predikonte. Diktoi rregulla të rrepta në përkim me moton benediktine: “Lutu e puno”, të cilat i respektoi vetë i pari. Bashkësia lulëzoi. Si vdiq Karli i Madh, Benedikti shërbeu si këshilltar i Ludovikut të përshpirtshëm. Vitet e fundit të jetës i kaloi në abacinë e Inden, sot e Kornelimyster, pranë selisë mbretërore të Akuisganës.

Kujtojmë se Aquisgrana (Aachen, në gjuhën gjermane Aachen, në frëngjisht Aix-la-Chapelle, në holandisht Axhe, është një qytet i pavarur në shtetin federal të Reno-Vestafalisë veriore në Gjermani. Ndodhet pranë kufirit ndërmjet Vendeve të Ulta dhe qytetit më perëndimor të Gjermanisë. I vendosur në zemër të Evropës, qe selia e Karlit të madh, i cili ndërtoi këtu katedralen e famshme, shpallur që nga viti 1978 nga UNESCO - pjesë e thesarit të kulturës botërore.

Këtu vdiq Shën Benedikti e po këtu edhe u varros në vitin 821 në një varr, që sot konsiderohet i humbur. Kisha e kujton Shën Benediktin për veprimtarinë e tij liturgjike e teologjike në mbrojtje të doktrinës së krishterë kundër teorive të ‘adocionistëve’, që ishin përhapur në Spanjë. Për ta kryer me sukses këtë detyrë, Benedikti udhëtoi, shkroi, përgatiti ipeshkvijtë e meshtarët, duke u bërë model shenjtërie e besnikërie ndaj Krishtit për të gjithë.

12/02/2018 07:00