2018-02-12 12:15:00

Indonezi: sulmohet një kishë katolike në Java. Plagoset meshtari


Frikë dhe ankth në bashkësinë katolike indoneziane, pas sulmit të djeshëm, gjatë meshës të së dielës, në San Lidwina, afër Yogyakarta, qytet në qendër të ishullit të Javës. Një person i çekuilibruar, që, sipas agjencisë katolike Fides, quhet Suliyono, hyri në kishë me një çomage, duke arritur të plagosë rreth 10 besimtarë, si edhe meshtarin, që po kremtonte meshën e orës 7.30 të mëngjesit. Meshtari është atë Karl-Edmund Prier, jezuit me origjinë gjermane.

Nuk është e qartë arsyeja e sulmit

         Njëri nga besimtarët i telefonoi policisë dhe u përpoq të bisedonte me sulmuesin, por pa rezultat. Agjentëve iu desh të qëllonin për ta ndalur, duke e plagosur rëndë. Vijojnë hetimet për të kuptuar arsyen e sulmit, e cila, tani për tani, nuk është e qartë.

Kisha lokale kërkon mbrojtje dhe siguri

         Kisha lokale u kërkon forcave të rendit “të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e vendeve të kultit” dhe “të parandalojnë episode të tjera dhune, në respektin e të drejtave themelore të gjithë qytetarëve indonezianë, pa përjashtim”. Sipas vëzhguesve, ka përpjekje politike për ta instrumentalizuar fenë dhe për t’i përçarë qytetarët mbi bazën e saj. Pak ditë më parë, besimtarët e një famullie tjetër katolike, që po shpërndanin ndihma humanitare, u ndaluan nga një grup myslimanësh, që i akuzuan për prozelitizëm. Rritja e intolerancës në Indonezi vihet në dukje edhe nga OKB-ja.








All the contents on this site are copyrighted ©.