2018-02-11 09:00:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 20


Në emisionin e njëzetë të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, vijimi i marrëdhënieve të Skënderbeut me Selinë e Shenjtë, në fundin e papnisë së  Kalistit III.

Folëm, në emisionin e kaluar, për vlerësimin e lartë të Papës Kalisti III për Skënderbeun, gjithnjë në rritje. Në rritje, edhe ndihmat. E, për fat të keq, edhe ankthi për fatet e Shqipërisë, që po kërcënohej sërisht nga një ushtri e fuqishme. Beteja kishte filluar e Papa druhej shumë se këtë herë Kryetrimi do të pësonte disfatë. Tepër fitore kishte shijuar! E kishte fituar tepër lavdi, në krye të një populli të vogël, deri asokohe, të papërfillur. Një parandjenjë e kobshme e kishte pushtuar vetëm duke menduar se as Skënderbeu e as ushtarët e tij, nuk do të mund të shpëtonin, mbasi do t’i pengonte Adriatiku. E në këtë gjendje  tronditëse,  shpejtoi - gjithnjë duke shpresuar se do ta ndihmonte Skënderbeun - të vinte në dispozicion të tij flotën e vet, të ankoruar në Lindje, duke e njoftuar, njëkohësisht, për këtë akt”.

Më 17 shtator 1457 Papa i shkruante për këtë situatë kardinalit Sant’Angelo, duke shpresuar se Skënderbeu do t’i mundte edhe këtë herë turqit. Shpresa e Papës u bë realitet. Ankthi, që e kishte pushtuar e parandjenjat për mundjen e Skënderbeut, u shndërruan në parandjenjën e fitores.  Atëhere Kalisti u ul e i shkroi Skënderbeut një letër,  që datohet 17 shtator 1457. Në të përshkruhet si gjendja e tij shpirtërore, ashtu edhe shpresat për një fitore të re. E nësa Papa shkruante, Skënderbeu vijonte ndeshjen me një ushtri turke prej 50 mijë vetash, që kishte arritur në verën e vitit 1457, nën komandën e tradhtarit Hamza. Skënderbeu kishte arsye të shqetësohej, sepse Hamzai i njihte mirë si taktikën, ashtu edhe qafat, shtigjet e fortesat e të ungjit. Nuk ishte e rastit që Sulltani i kishte besuar komandën e kësaj ushtrie të fuqishme, së cilës Gjergji mund t’i kundërvinte vetëm 12-15 burra, të mbështetur edhe nga 5 mijë aleatë. Përballë kësaj ushtrie, Kryetrimi shqiptar ndoqi pak a shumë taktikën e Betejës së Torviollit. Sapo u duk ushtria turke, ajo e Skënderbeut u vu në ikje, në dukje e tmerruar e pa asnjë shpresë. Pastaj, kur ushtarët e Hamzait, të lodhur nga ndjekja, ngulën kampin në fushën e Albulenës, pranë lumit Mat, Kastrioti u lëshua papritmas mbi ta, duke bërë një nga kërditë më tragjike që qe parë gjatë betejave të tij. 30 mijë turq mbetën në fushën e përgjakur të kësaj beteje

Ishte  7 shtatori i vitit 1457. Vetë Hamzai ra i gjallë në dorë të Gjergjit, i cili nuk e kaloi nën teh të shpatës, por e mbylli në burgjet e Mbretit të Napolit, ku kishte mjaft kohë të lirë që të pendohej për tradhtinë e tij të shëmtuar, ambicioze!

Lajmi mbi këtë fitore të lavdishme të Kastriotit, që arriti në Romë më 24 shtator 1457, e mbushi me gëzim botën e krishterë e, posaçërisht, Papën, që e kishte pritur me frymë profetike, në heshtjen e Qytetit të Amshuar. Kardinali Piccolomini, i cili do të ulej mbas pak në fronin e Shën Pjetrit me emrin Piu II, e regjistroi kështu, shkurt, ngjarjen e madhe: “Shqipëria vijon të na dhurojë fitore”!








All the contents on this site are copyrighted ©.