2018-02-11 15:30:00

Kardinali Parolin: Shën Egjidi, pasion e përdëllim, përtej mureve të padukshme


Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kremtoi, në Bazilikën e Shën Gjonit, në Lateran, Meshën për 50-vjetorin e themelimit të Bashkësisë së Shën Egjidit.

“Nuk u ndalët para murit të asaj, që mund të dukej e pamundur”, të bindur  se dashuria e Zotit nuk ndalet, as nuk dorëzohet përballë humnerës, që të ndan nga armiqtë, të gërbulurit, të varfërit”. U foli fjalë të ngarkuara me mirënjohje, kardinali Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, anëtarëve të familjes së madhe të Shën Egjidit. Në liturgjinë eukaristike të falënderimit, drejtuar Zotit për 50-vjetorin e themelimit, kremtuar në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, Hirësia e Tij reflektoi mbi karizmën dhe veprimtarinë e Bashkësisë. Duke u nisur nga Ungjilli i Shën Markut i së dielës së gjashtë të kohës së zakonshme, që flet për takimin e Jezusit me të gërbulurin e Kafarnaos, sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi se rrënjët e lëvizjes ndërkombëtare të laikëve nisin prej ndjetit për  ta çliruar njeriun nga  izolimi e nga vetmia, duke e rikthyer përsëri në jetë.

Përtej mureve të padukshme e greminave të indiferencës

Në praninë, ndërmjet tjerëve, të themeluesit Andrea Riccardi, kryetarit Marco Impagliazzo, si dhe kryeipeshkvit mëkëmbës të Romës, Angelo De Donatis, kardinali Pietro Parolin rikujtoi, në homeli, etapat e udhës  së përshkuar nga Shën Egjidi këto 50-vjetët e fundit, që nga hapat e para, nisur në lagjet e varfra të Romës,  deri  tek udhët, që e çuan në të katër anët e Evropës, të Afrikës, të Azisë e Amerikës. Dëshira për t’u vënë në shërbim të të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë, i krijoi Shën Egjidit mundësitë të shkruajë mijëra histori  “çlirimi nga ‘gërbula e përjashtimit’”, duke ushqyer dashamirësisht turma të tëra njerëzish “të uritur për dinjitet e solidaritet”.

Asnjeri nuk duhet të mbetet peng i dhunës

Bashkësia e Shën Egjidit nuk tregoi vetëm histori çlirimi nga varfëria e sëmundja, por edhe besoi me ngulm  se “paqja është e mundur”, se një popull nuk mund të dënohet kurrë aq, sa të mbetet skllav i dhunës e i konflikteve. Prandaj - nënvizoi sekretari i Shtetit të Vatikanit - u angazhua t’i afrojë ata, që luftohen a që urrehen dhe ndoqi me vëmendje e kujdes të plagosurit nga lufta e nga mjerimi; refugjatët e emigrantët, falë korridoreve humanitare për refugjatët e Sirisë e të Bririt të Afrikës.

Askush nuk përjashtohet para syve të Zotit!

“Rikthehuni përherë tek Fjala e Zotit - i porositi kardinali Parolin të gjithë - posaçërisht sepse pasioni e përdëllimi shkojnë krah për krah me durimin dhe aftësinë për të punuar në fe e në pritje”. E ky është një nga tiparet  karakteristike të Shën Egjidit, që punon për të ndërtuar mrekullinë e takimit pa kufij në periferitë e ndryshme të botës, për ta ribashkuar familjen e copëzuar njerëzore e për t’i shtrënguar lidhjet e vëllazërimit ndërmjet të krishterëve dhe besimtarëve të feve të ndryshme, sipas “shpirtit të Asizit”. Edhe sot - përfundoi kardinali Parolin - bota globale ka nevojë për këtë realitet të rrënjosur në skaje të ndryshme, por edhe të aftë për ta populluar përmasën globale me frymën e vëllazërimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.