2018-02-11 13:47:00

Jezusi, si mjek i vërtetë i trupit e i shpirtit


“Nuk mund të kuptohet vepra e Krishtit, as vetë Krishti, nëse nuk hyhet në zemrën e Tij plot me mëshirë”. Janë fjalët e Papës Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Ditën e të Sëmurit dhe të Festës së Zojës Lurdë.

Jezusi bën një gjest tronditës

Duke komentuar leximin e sotëm  ungjillor, në të cilin Jezusi, i shtyrë nga dhembshuria, shëron një të sëmurë nga gërbula, Françesku vuri në dukje gjestin plot guxim të Krishtit:

“Fakti më tronditës është se Jezusi e prek të gërbulurin, duke e ditur fare mirë se kjo ishte e ndaluar rreptësisht nga ligji i Moisiut. Të prekje të gërbulurin, do të thoshte të të ngjitej sëmundja e tmerrshme, e jo vetëm në korp, por edhe në shpirt. Do të thoshte të bëheshe i papastër. Po Jezusi jo vetëm që nuk bëhet i papastër, por pastron. Jezusi prek e shëron! Prandaj në këtë shërim ne admirojmë jo vetëm dhembshurinë dhe guximin e Jezusit, që nuk shqetësohet as nga rreziku i ngjitjes së sëmundjes, as nga ligjet e skribëve. Çka e shqetëson, është njeriu që vuan. E është vuajtja njerëzore, që e shtyn ta çlirojë këtë njeri nga mallkimi i gërbulës. Nga ndotja. Nga  përjashtimi. Nga izolimi.

Sëmundja nuk i cënon marrëdhëniet me Zotin

Ndryshe nga mëkati - vijoi Papa - sëmundja nuk është shkak ndyrësie. Papastërtia është pasojë e ca “sëmundjeve të tjera”, e ca plagëve të tjera tejet të rrezikshme për jetën e korpit e të shpirtit. Prej këndej, për ta shëruar zemrën nga plaga e egoizmit dhe e korrupsionit, duhet t’i drejtohemi Krishtit, ashtu si i gërbuluri i Ungjillit.

E prandaj, duke iu drejtuar të pranishëmve, Papa i ftoi për një çast heshtjeje shpirtërore, për t’i thënë pastaj Jezusit: “Nëse do, mund të më pastrosh!”. E më pas shpjegoi se nuk është sëmundja fizike, ajo që të largon nga Zoti. Përkundrazi:

“… njeriu i sëmurë mund të jetë shumë më i bashkuar me Zotin. Ndërsa mëkati, ai po, na bën të papastër! Egoizmi, fodullëku, hyrja në botën e korrupsionit: këto janë sëmundje zemre, nga të cilat është e nevojshme të pastrohemi, duke iu drejtuar Jezusit, me bindjen e të gërbulurit: ‘Ti, po të duash, mund të më pastrosh! Mund të më shërosh!’”.

E sa herë gjunjëzohemi para Krishtit në Sakramentin e pajtimit, sa herë rrëfehemi me zemër të penduar, aq herë Zoti vetë na përsërit: “Po, dua, qofsh pastruar!

Vetëm kështu - përfundoi Françesku - është e mundur “t’i shërojmë edhe plagët tona shpirtërore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.