2018-02-11 09:00:00

Dita Botërore e të Sëmurit: Mesazhi i Papës, amaneti i Krishtit në kryq


U kremtua sot, Dita e 26-të e të Sëmurit, që Papa e kujtoi në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot. Për këtë rast, më 11 dhjetor 2017, u botua mesazhi i Papës, me titull: “Kisha Nënë: ‘Ja biri yt… Ja nëna jote!’. E që atë orë dishepulli e mori me vete…” (Gjn 19, 26-27).

Krishti, në orën e tij të fundme, kujtohet për Nënën! Krishti e di se Nëna ka nevojë për një mbështetje të fortë. Për një krah, që të mos rrëzohet. Për një zemër të ndjeshme ku mund ta zbrazë pikëllimin e thellë të Zemrës së saj të shporuar nga shtatë hanxharë! E zgjedh, për këtë detyrë  dhembshurie, dishepullin e tij më të dashur, Gjonin.

Papa, me shqetësimine tij të përhershëm për njerëzit e sëmurë, për të gjithë ata, që janë njeri pa njeri, që kanë nevojë për një dorë, një shërbim, një buzëqeshje, një ledhatim, i fton njerëzit, të cilët merren me të sëmurët ta vënë njeriun në qendër të procesit terapeutik. E, sidomos, ta zhvillojnë kërkimin shkencor, duke respektuar, në radhë të parë, jetën dhe vlerat morale e të krishtera.

Në mesazh, Françesku kujton angazhimin shumëshkullor të Kishës në shërbim të të sëmurëve dhe bujarinë e një mori themeluesish, duke kërkuar më shumë frymë krijuese, që niset nga dashuria e krishterë. Prandaj dëshiron t’i mbrojë spitalet katolike nga rreziku i kthimit në ndërmarrje. E kujton edhe se mjekimi nuk mund të kuptohet, pa vizionin e gjithanshëm të njeriut:

“Inteligjenca organizative dhe dashuria e krishterë - mendon Françesku – kërkojnë që  njeriut të sëmurë t’i mbrohet dinjiteti e të jetë gjithnjë në qendër të procesit të mjekimit”.

Duke u ndaluar  tek dhemshuria e kujdesi me të cilin shumë familje i ndjekin fëmijët, prindërit dhe të afërmit, të sëmurë kronikë ose me aftësi të kufizuara, Papa kujton se kujdesi i familjarëve vërtet është dëshmi dashurie, por kërkon edhe njohje e politika të përshtatshme.

Në mesazhin e Papës na duket sikur shikojmë Krishtin në kryq, që njëherësh me Nënën, në lot, i tregon me sy Gjonit gjithë të sëmurët e botës, që vuajnë ndër spitale a në shtëpitë e tyre. E i thotë: “Ja bijtë  e mi! Janë edhe bijtë e tu! Kujdesu për ta!”. E qysh atë çast Kisha i merr mbi vete!








All the contents on this site are copyrighted ©.