Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

79 –vjetori i vdekjes së Papës Ratti dhe krijimi i Radio Vatikanit

Papa Piu XI - ANSA

11/02/2018 08:30

Dje u mbushën 79 vjet nga vdekja e Papës Pio XI, në shekull, Achille Ratti.   

 Tri, janë aspektet themelore të papnisë së Piut XI:  nënshkrimi i Pakteve Lateranense me Shtetin italian, më 1929; dënimi i hapur i totalitarizmave dhe themelimi i Radio Vatikanit.

79-vjetori i Papës Ratti na kujton sot pasditën e 12 shkurtit 1931, kur Gulielmo Markoni, i njohur si shpikës i sistemeve e metodave moderne të radiokomunikacionit, Çmim Nobel për Fizikën 1909, hapi personalisht transmetimin e parë radiofonik të Piut XI, duke njoftuar në mikrofon: 

“Me ndihmën e Zotit, që vë në dispozicion të njerëzimit shumë forca misterioze të natyrës, munda ta përgatis këtë mjet, që do t’u japë besimtarëve të mbarë botës ngushëllimin ta dëgjojnë zërin e Atit të Shenjtë”.

Pas këtyre fjalëve të shpikësit të radios, Papa Piu XI shqiptonte radiomesazhin e parë  në gjuhën latine, në lidhje të drejtpërdrejtë me Nju Jorkun, Melburnin, Kebekun e një mori qytetesh të tjera të planetit.

Kanë kaluar më se njëzet shekuj, qëkur Papa i Romës i drejton fjalën e magjisterit botës, por kjo ishte e para herë që zëri i Tij i gjallë u dëgjua njëkohësisht në mbarë rruzullin tokësor. Fillonte, kështu, veprimtaria e Radio Vatikanit, që po ju flet edhe sot në gjuhën shqipe. 

Dy fjalë për jetën

Piu XI (31. 05. 1857- 10. 02. 1939)  lindi në Desio (provinca e Monzës) më 31 maj 1857. Më 1879 u shugurua meshtar e nisi menjëherë punën e mësuesit të teologjisë në seminar. Mori shpejt titullin doktor, për të shërbyer, pastaj, si prefekt i Bibliotekës Ambroziane, institucion për të cilin vijon të krenohet Milano. 26 vjet me libra, mbi libra, duke i studiuar, duke i koleksionuar e duke shkruar, përmes shfletimit të tyre e talentit të tij, vepra me karakter historik, liturgjik e hagjiografik, pa humbur interesimin e thellë për letërsinë e artet. Më 1914 kaloi nga Biblioteka Ambroziane, në atë Vatikane. Në përfundim të Luftës  së madhe, kur ipeshkvijtë e Polonisë, më në fund të lirë, kërkuan nga Benedikti XV një përfaqësues të Selisë së Shenjtë, të aftë për t’ua mbrojtur të drejtat, Papa dërgoi pikërisht bibliotekarin, Achille Ratti-n, i cili dha një ndihmesë të çmuar për përforcimin e identitetit katolik në Evropën lindore. U rikthye në Milano, për t’u zgjedhur, më 6 shkurt 1922, Papë, me emrin Piu XI.  Tri, janë aspektet themelore të papnisë së Piut XI:  nënshkrimi i Pakteve Lateranense me Shtetin italian, më 1929; dënimi i hapur i totalitarizmave dhe themelimi i Radio Vatikanit.

11/02/2018 08:30