Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Më 10 shkurt kalendari kishtar përkujton Shën Skolastikën

Subiaco - Monastero di San Benedetto

10/02/2018 03:00

Kalendari kishtar më 10 shkurt përkujton Shën Skolastiken, virgjër, motra e Shën Benediktit. Lindur në Norcia të Italisë rreth vitit 480 - e vdekur në Piumarola më 10 shkurt 547, qe motra e Shën Benediktit. Nga jeta e saj njihen vetëm pak ngjarje, shkruar në "Librin e Dialogeve" të Shën Gregorit të Madh. Dihet me siguri se pak vjet para e të vdiste, banonte pranë Montecassinos, ku i vëllai drejtonte manastririn e famshëm, që edhe sot e kësaj dite sundon mbi kodrën me të njëjtin emër.

Së bashku me një grup vajzash, vendosi të ndiqte gjurmët e të vëllait, për t'i shërbyer Zotit jo duke u larguar e duke u fshehur nga bota, por duke jetuar në bashkësi të mirorganizuar e duke e kaluar kohën me lutje, punë e studim. Kështu me Shën Skolastikën lindte monakizmi femëror perëndimor.

Gjithsej ajo jetoi e vdiq nën hijen e vëllait të saj të madh, madje edhe u varros në të njëjtin varr me Shën Benediktin. Shumë shpejt për nder të saj u ngritën kisha e kapela, ndërsa tradita popullore e njohu si ndërmjetëse të njerëzve që rrezikohen nga rrufetë ose që kërkojnë të bjerë shi.
Faqja më e bukur e jetës së saj, është ajo e takimit me Benediktin, që ruhet kështu në kujtesën e përshpirtërisë popullore: “Skolastika shpejton hapin e nuk ndalohet për të soditur kodrinat mahnitëse të Italisë qendrore.

Do të takohet me vëllain binjak, Benediktin, takim që po e pret që prej treqind e gjashtëdhjetë ditësh. Në të vërtetë, Benedikti e Skolastika, ndonëse i kanë themeluar kuvendet pak kilometra larg njëri-tjetrit, takohen vetëm një herë në vit. Benedikti zbret nga Mali i Kasinos, e motra del nga kuvendi i ndërtuar në luginë e takohen në një shtëpizë në gjysmë të rrugës. Ia lejojnë vetes një takim të tillë që të çmallen e të bisedojnë për gjithçka i lidhë e, sidomos, për Zotin, që është zemra e jetës së tyre.

Benedikti e Skolastika janë binjakë në gjak e në shpirt. Që të vegjël kishin të njëjtat prirje, të njëjtën ëmbëlsi, të njëjtin durim e të njëjtën dëshirë për t’iu afruar Zotit. Kur Benedikti shkroi Rregullën e vet të njohur murgare, Skolastika e përshtati menjëherë për kuvendin ku jetonte me simotrat e veta, që ia kishin kushtuar gjithë jetën Hyjit. Skolastika është rregulltarja e parë benediktine.

“Dita do të fluturojë” - psherëtin motra, duke shpejtuar hapin. Zemra i thotë se ky do të jetë takimi i tyre i fundit. Është vetëm gjashtëdhjetë e tri vjeçe, por ndjen në trup frymën e acartë të vdekjes. Prandaj dëshiron që kjo ditë, e larë me rreze dielli, e 7 shkurtit të vitit 543, të jetë dita më e gjatë e të gjitha viteve.
Dy binjakët takohen, merren ngrykë, zhyten në një bisedë të këndshme, të pafund. Harrojnë se koha shket e shkon. Pas disa orëve, çuditen kur shohin se dielli dalë-nga-dalë fshihet pas malit. Benedikti ngrihet e bëhet gati për t’u nisur.
Motra, e ngashëryer, i lutet: “Vëllai im, rri edhe pak… E sikur të flasim gjithë natën?”.
Benedikti tund kokën. Dëshiron të ndalet, po në kuvend e presin. Skolastika trishtohet. Por – mrekulli – pikërisht në atë çast shpërthen një rrebesh i tërbuar. Shiu i rrëmbyer e përmbyt menjëherë oborrin rreth shtëpizës së vogël, ku vëlla e motër përgatiten të ndahen. Benediktit i duhet ta kalojë natën aty. Në fund të fundit i duket si dhuratë, prandaj rinis bisedën, filli i së cilës vijon të zhdridhet, pa u këputur për asnjë çast, tërë natën. Tri ditë pas këtij takimi të paharrueshëm, vëllai merr lajmin e vdekjes të së motrës. Ishte takimi i tyre i fundmë! Benedikti i falet nderës Zotit për stuhinë e papritur. 

Shumë artistë kanë realizuar kompozime të mrekullueshme, që paraqesin lidhjen e ngushtë të vëllait me motrën. Në shumicën e këtyre pikturave shihet Shën Benedikti, që shikon shpirtin e Skolastikës duke fluturuar drejt qiellit në formën e pëllumbit.

10/02/2018 03:00