2018-02-09 02:30:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të gjatë vitit kishtar "B"


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 6-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

.

Ungjilli i kësaj së diele na tregon Jezusin i cili, duke e shëruar të gërbulurin, përkulet mbi mjerimin, mbi sëmundjen e mbi vuajtjen njerëzore. Këtë Jezusi e bën, plot përdëllim, respekt dhe falas. Duke takuar mjerimin njerëzor, ta imitojmë Jezusin, duke i dhënë të afërmit ndihmën tonë konkrete, një fjalë shprese e një gjest ngushëllimi.

Liturgjia e kësaj së diele na flet për forcën e njeriut dhe për dobësinë e Hyjit. Fuqia e njeriut konsiston në besimin e tij në Hyjin, ndërsa dobësia e Hyjit qëndron në mëshirën e Tij Hyjnore të pafundme për njeriun. Jezusi shëron një të gërbulur.  Kështu, pra, tema e leximeve biblike të kësaj së diele është shpëtimi apo shëlbimi nga çdo e keqe siç është sëmundja e deri edhe vdekja. Me fjalë tjera, Fjala e Zotit na tregon udhën e mundësisë për të realizuar në dhe me Krishtin një jetë vërtetë të tillë siç e ka menduar Hyjit, pa mëkat e pa vdekje.

Ungjilli i Shën Markut, kësaj së diele, na paraqet Jezusin i cili që në fillimet e misionit të tij publik, i përkushtohet plotësisht predikimit dhe shërimit të të sëmurëve nëpër fshatra të Galilesë. Shenjat e panumërta të mrekullive që bën Jezusi ndaj të sëmurëve, pohojnë “lajmin e mirë” të Mbretërisë së Zotit. Kjo pjesë ungjillore që tregon për shërimin e një të gërbuluri nga Jezusi, shpreh në mënyrë shumë të qartë fuqinë e marrëdhënies mes Zotit e njeriut, që përmblidhet në një dialog të mrekullueshëm: “Nëse do, mund të më shërosh!”, thotë i gërbuluri. “Dua, shërohu”, i përgjigjet Jezusi, duke e prekur me dorë e duke e liruar nga gërbula (Mk 1,40-24). Këtu shohim si përmblidhet e tërë historia e shpëtimit. 

Ai gjest i Jezusit, shtrirja e dorës që e prek trupin e plagosur të personit që i lutet, dëfton vullnetin e qartë të Zotit, i cili e do shërimin e krijesës së vet të rënë, duke ia kthyer jetën ‘në plotësi’, jetën e amshuar, të plotë, të lumtur.  Krishti, pra, është dora që Zoti ia shtrin njerëzimit, në mënyrë që të mund të dalë nga vështirësitë e sëmundjes e të vdekjes, për t’u ngritur edhe njëherë në këmbë mbi shkëmbin e sigurt të dashurisë hyjnore.

Është një i gërbulur, o Jezus, prandaj nuk duhet ta prekësh:
për shkak të sëmundjes së vet
e kanë hedhur jashtë fshatit
e tani i vetmuar endet vërdallë nëpër vende të pabanuara e të vetmuara.

Është i gërbulur, o Jezus, nuk duhet ta prekësh:
frika e infektimit e ka detyruar
të lë shtëpi e familje, punë e miq.

Është i gërbulur, Jezus, nuk duhet ta prekësh:
pse nuk je i matur, pse nuk je i kujdesshëm?
E di fare mirë se kjo është sëmundje e tmerrshme
që shkatërron gjymtyrët e,
që shpërfytyron trupin….

E megjithëkëtë, Jezus, ti do ta shërosh
këtë njeri që ka rënë në gjunjë para teje,
ti nuk do ta lirosh nga padrejtësia e nga përbuzja
pa e afruar pranë vetes, pa e prekur.

Edhe pse është punë e rrezikshme….
edhe pse është infektues…..
po Ti, o Jezus, pikërisht për këtë
je bërë njeri,
për të na dëftuar se Zotin e kemi afër:
afër njeriu që vuan,
afër njeriut që është rob i së keqes,
afër njeriut që ndjehet i lodhur dhe i vetmuar.

Në kontakt me sëmundjen,
në kontakt me të këqijat më të tmerrshme e sekrete,
me realitetin shumëformësh të mëkatit,
ti o Jezus, ofron çlirimin e pashpresuar,
duke rrezikuar jo vetëm të infektohesh,
por, deri edhe jetën tënde.

E kjo zgjedhje, ky përcaktim dashurie
do të të çojë në kryq.
Kryqi yt, o Jezus, është dru shëlbimi për çdo njeri.

                   Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Lev 13, 1-2. 45-46) I gërbuluri le të jetë vetë e le të jetojë vetëm jashtë tëbanishtës

Lexim prej Librit të Levitikut
Zoti foli me Moisiun e me Aronin e tha: “Nëse ndokujt i del në mish ose në lëkurë ndonjë enjtje, rrebull ose njollë e bardhemtë që mund të dyshohet se mund të jetë gërbulë, i tilli le të çohet tek Aroni ose të cilido prift prej bijve të tij. I gërbuluri që e ka kapur kjo sëmundje le t’i mbarë petkat e shqyera, flokët e shkapërderdhur, mjekrën e mbuluar e të bërtasë: ‘I ndyri! I ndyri!’ Gjatë gjithë kohës sa gerbulani është i papastër, le të jetë i papastër e le të jetojë vetëm jashtë tëbanishtës.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Psalmi 32
Shëlbimi yt, o Zot, na mbush me gëzimLum ai që iu fal mëkati,
që iu mbulua faji!

Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron ndër mëkatarë, në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.
Atëherë ta dëftova mëkatin tim,
fajin tim më nuk e fsheha.
Thashë: “Do t’ia rrëfej Zotit fajin tim,”
e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim.

Atë që shpreson në Zotin e rrethon hiri.
Gëzohuni me Zotin e galdoni, o të drejtë,brohoritni të gjithë ju që jeni zemërpastër.

Leximi dytë 1 Kor 10, 31 – 11, 1 Shën Pali na mëson të jetojmë me thjeshtësi ditën tonë pa moralizma të kotë. Besim nuk do të thotë të privohesh nga ushqimi. Hyji dëshiron jetën e njeriut të jetuar normalisht në një këndvështrim besimi dhe dashurie ndaj vëllezërve.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, në qoftë se hani, në qoftë se pini, në qoftë se edhe çkado tjetër bëni, bëni gjithçka në lavdi të Hyjit. Mos jini veç rast shkandulli as për hebrenj, as për grekë, as për Kishën e Hyjit, sikurse edhe vetë mundohem t’u pëlqej të gjithëve pa kërkuar dobinë time, por dobinë e të gjithëve, që të mund të shëlbohen. Më përngjani mua, sikurse unë i përngjaj Krishtit. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja. Aleluja.
Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve, thotë Zoti; unë erdha të ftoj mëkatarët.
Aleluja.

Ungjilli Mk 1, 40-45 Jezusi shëron një të sëmurë, të përjashtuar nga shoqëria, të shkatërruar në trup dhe në shpirt. I dhuron atij dinjitetin e tij prej njeriu dhe e dërgon të shpallë që është shëruar. Vetëm në besim jemi në gjendje të njohim mjerimet tona shpirtërore dhe që Zoti mund të na shërojë. Edhe ne duke dalë nga Kisha duhet të kemi sjelljen e njerëzve të shëruar.

Leximi i Ungjillit sipas Markut
Atëherë Jezusit iu paraqit një i gërbulur, ra në gjunjë dhe iu lut: “Nëse do, mund të më pastrosh!” Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua! Qofsh pastruar!” Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua. Jezusi menjëherë e nisi të shkojë por i urdhëroi rreptësishtë: “Shih – i tha – mos i trego askujt, por shko, paraqitu te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka ka urdhëruar Moisiu atyre për dëshmi.” Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.