Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Imzot Xuereb: tërheqja e Benediktit XVI, akt heroik dashurie për Kishën

Benedikti XVI dhe imzot Xuereb - RV

09/02/2018 12:10

Më 11 shkurtin e pesë vjetëve më parë, Benedikti XVI njoftonte vendimin e tij për t’u tërhequr nga shërbimi papnor. Gjest i jashtëzakonshëm për hir të dashurisë ndaj Kishës, që, me kalimin e kohës, kuptohet gjithnjë e më mirë nga shumica e besimtarëve, por edhe nga të tjerët. Për këtë përvjetor, që do ta kujtojmë të dielën, intervistuam sekretarin e përgjithshëm të Sekretarisë për Ekonominë, imzot Alfred Xuereb, i cili, për 5 vjet e gjysëm, - që nga viti 2007 e deri në fund të papnisë – i qëndroi pranë Benediktit XVI si sekretar i tij i dytë:

         Janë të shumta kujtimet, që kam nga Papa Benedikti e nuk dua t’i harroj, për ta mbajtur të gjallë kujtesën e atyre viteve, të asaj periudhe që kalova me të… Cilat janë çastet, që spikatin? Natyrisht, ato që lidhen me tërheqjen e tij. E kujtoj shumë mirë 5 shkurtin e vitit 2013, kur Papa Benedikti më ftoi të ulesha në studion e tij dhe më njoftoi vendimin e madh të dorëheqjes. Aty për aty, më vinte ta pyesja: “Po përse nuk e mendoni edhe pak?” Por, pastaj, u përmbajta. Isha i bindur se ishte lutur gjatë për këtë. Madje, pikërisht në atë çast, më erdhi në mend diçka e veçantë. Për një periudhë të gjatë, para se të kremtonte meshën në kapelën private, rrinte në sakristi e lutej shumë. E, pavarësisht se ora binte për t’i kujtuar fillimin e meshës, ai s’pyeste për të dhe mbetej para Krishtit të Kryqëzuar. Isha i bindur se lutej për diçka shumë të rëndësishme. Atë 5 shkurt, kur dëgjoja vendimin e jashtëzakonshëm nga Papa Benedikti XVI, mendova: “Atëherë, ka shumë mundësi që lutej pikërisht për këtë!” Më pas, tjetër çast i rëndësishëm ka qenë njoftimi publik gjatë Koncistorit të 11 shkurtit. Kam qarë gjithë kohën e gjatë drekës, ai e kuptoi se isha shumë i emocionuar. I thashë: “Shenjtëri, po ju, a jeni i qetë, në paqe me veten?” E ai m’u përgjigj vendosmërisht “po”, sepse i kishte kaluar tashmë travajët e veta. Ishte i qetë, sepse i sigurtë se e kishte shoshitur punën mirë dhe ishte në paqe, në dorë të Zotit.

Pyetje: Vjen pastaj për ju çasti i kalimit nga shërbimi për Benediktin XVI tek ai për Papën Françesku….

         Çast tepër i ndjerë, sepse për mua ishte çasti i ndarjes, pasi Benedikti XVI më përsëriti disa herë: “Ju do të shkoni me Papën e ri”. Kur u zgjodh Papa Françesku, i shkroi një letër, duke i theksuar gatishmërinë për të më lënë të lirë, nëse ai do të kishte nevojë për mua. E kur mbërriti dita për t’u larguar nga Castel Gandolfo e për të shkuar me Papën Françesku – nga Sekretaria e Shtetit më thanë: “Shpejto, bëj valixhet, se Papa Françesku po e hap vetë korrespondencën – unë hyra në studion e Papës Benedikti për ta njoftuar dhe i kërkova, duke qarë, bekimin e tij. Me shumë qetësi, ai u ngrit në këmbë - unë në gjunjë – e më dha bekimin, duke më lënë të shkoj.

Pyetje: A e keni parë kohët e fundit Papën e nderit? Ç’përshtypje ju ka bërë?

         U ftova prej tij, në ditëlindjen e time (14 tetori i kaluar), për të kremtuar meshën e pastaj, për të ngrënë mëngjesin së bashku. Ishte gjithnjë plot jetë, mendjemprehtë, pyeste për shumë gjëra… Pastaj, vështrimet që më hidhte gjatë mëngjesit, më bënin të mendoja: “Sa i lum jam që po të shoh!” I kujtoheshin shumë mirë edhe gjëra të veçanta nga familja ime, i kujtohej nëna e madje, edhe macet e saj. Natyrisht, fizikisht është shumë i brishtë. Është gati 91 vjeç, megjithëse ime më, e cila është “vetëm” 82 vjeç, nuk e ka gjendjen fizike të tij.

Pyetje: Sot, pas pesë vjetësh nga tërheqja e Benediktit XVI, sipas jush, njerëzit e kuptojnë më mirë gjestin e tij?

         Disa, po. Disa të tjerë duhet ta përtypin më mirë këtë gjest… Ka qenë gjest madhështor. Ai e kuptoi, sidomos gjatë fluturimit me avion për në Meksikë, se nuk ishte më në gjendje të bënte udhëtime të gjata. E pak më vonë, erdhi edhe Dita Botërore e Rinisë në Brazil…dhe e kuptoi se nuk mund t’i bënte më këto takime të lodhshme. Sipas meje, i tiji është akt heroik, sepse mendonte sidomos për Kishën e dashuria për të ishte shumë më e madhe se dashuria për veten, se egoja e tij. Nuk u shqetësua për ç’mund të thoshin të tjerët, që mund ta akuzonin se nuk kishte guximin e duhur për të ecur përpara… Mbeti përherë i qetë, qysh kur e kuptoi se Zoti ia kërkonte këtë akt, pikërisht për hir të dashurisë për Kishën.

Pyetje: Për një vit, ju keni qenë edhe sekretar i veçantë i Papës Françesku. I keni parë personalisht marrëdhëniet ndërmjet Joseph Ratzinger dhe Jorge Mario Bergoglio. Si do t’i përshkruanit?

         Papa Françesku dha menjëherë përcaktimin e drejtë: “Është privilegj të kemi një ‘gjysh’ në shtëpi”. Pra, kemi një kujtesë historike të gjallë, të cilën mund ta konsultojmë. E jam i sigurtë se kështu bën Papa Françesku. Pastaj, flasin edhe gjestet. Para se të dilte para botës, në Llozhën e Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa Françesku u përpoq t’i telefononte Papës Benedikti për ta përshëndetur. Ne (unë dhe Papa Ratzinger) ishim në sallën e televizionit, ku telefoni është gjithnjë i heshtuar, prandaj nuk e dëgjuam, por kjo shpjegon vonesën e Papës Françesku, para se të dilte në Llozhë. Pastaj, na telefonuan sërish gjatë darkës e na pyetën: “Po ju, ku ishit?” – “Ishim para televizorit!...” – “Papa Françesku do t’ju telefonojë pas darkës”. Unë mora me vete telefonin, mbërriti telefonata e ja kalova Papës Benedikti, të cilin e dëgjova kur tha: “Shenjtëri, që tani premtoj bindjen time të plotë dhe lutjen time”. Janë çaste, që s’mund të harrohen.

Pyetje: Së fundi, sipas jush, cila është dhurata më e madhe, që po ofron këto vite Benedikti XVI, i cili lutet e shkruan, duke mbetur “në vathën e Shën Pjetrit”, siç ka thënë shpesh?

         Ai deshi vetë ta marrë këtë vendim për një jetë të tërhequr, pikërisht që të përgatitet për takimin e fundit me Zotin. E bën këtë me përshpirtëri të thellë, duke ofruar lutje, por edhe brishtësinë e shëndetit të tij, në favor të Kishës, për Papën dhe për Kishën.

09/02/2018 12:10