Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa Françesku: mëkatari mund të bëhet shenjt, i korruptuari, jo

Papa kremton Meshën në Shën Martë

08/02/2018 12:46

Të vigjilojmë ditë për ditë, për të mos përfunduar larg Zotit. Është ftesa  e Françeskut në homelinë e Meshës së mëngjesit kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa flet për rrezikun që na kërcënon të gjithëve: ligështimin e zemrës. 

Davidi është shenjt, edhe pse ishte mëkatar; ndërsa Salomoni i madh e i ditur jo, sepse ishte i korruptuar. Paradoks, në dukje, ky, mbi të cilin Papa Françesku e shtjelloi homelinë në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shën Martë. Leximi i propozuar nga liturgjia, shkëputur nga Libri i Mbretërve, flet për Salomonin e për mosbindjen e tij. “Dëgjuam një gjë pakëz  të çuditshme - komentoi menjëherë Françesku: 'Zemra e Salomonit nuk mbeti  e tëra me Zotin, Hyjin e vet, si zemra e Davidit, atit të tij'”.

Problemi i ligështimit të zemrës

E, më pas, Papa shpjegoi se kjo gjë mund edhe të na çudisë, sepse nuk e dimë që të ketë bërë mëkate të rënda. Përkundrazi, ishte përherë i ekuilibruar, ndërsa Davidi, e dimë të gjithë, pati jetë të vështirë, qe mëkatar. E pra Davidi është shenjt, ndërsa për Salomonin thuhet se zemra e tij dredhoi, u largua nga rruga e Zotit. Zoti e lavdëroi, kur i kërkoi urti për të qeverisur, në vend të pasurive. E si ta shpjegojmë këtë? – pyeti Papa. - Kjo ndodh sepse Davidi, kur e di se ka mëkatuar, i lutet Zotit t’ia falë mëkatin, ndërsa Salomoni, të cilit i kishte dalë nami i mirë aq, sa deri Mbretëresha e Sabës u nis vetëm e vetëm për ta njohur nga afër, pasuar nga karvanet ngarkuar me pasuri, u largua nga Zoti, për të ndjekur zota të tjerë. E, çuditërisht, më i dituri nga njerëzit, e bëri këtë, pa u kujtuar fare.

Këtu qëndron edhe problemi i ligështimit të zemrës. Ligështimi i zemrës nuk është mëkat: ti bën një mëkat e kujtohesh menjëherë: “Bëra mëkat!” - thua me vete. Është e qartë. Ndërsa ligështimi i zemrës nuk është i menjëhershëm. Është udhë e ngadaltë, rrëshqet pak nga pak, pak nga pak, pak nga pak… E Salomoni, i mbushur përplot me lavdinë e tij, i përgjumur nga lavdia, nga fama e tij, nisi ta bëjë këtë rrugë.

Salomoni u korruptua, pa e ndjerë fare

Paradoksalisht “është  më e mirë qartësia  e mëkatit, sesa ligështimi i zemrës - pohoi Françesku - mbreti i madh, Salomoni, përfundoi i korruptuar. U korruptua pa e ndjerë fare, sepse zemra e tij u ligështua. E burri a gruaja me zemër të ligësht, a të ligështuar, është burrë a grua  a njeri i mundur. Ky është procesi i shumë të krishterëve, procesi nëpër të cilin kalojnë shumë nga ne. “Jo, unë nuk bëj mëkate të rënda”. Po zemrën, si e ke? Është e fortë? Besnike ndaj Zotit? Apo ti shket ngadalë-ngadalë?

Të vigjilojmë ditë për ditë mbi zemrën tonë!

Drama e dobësimit të zemrës mund të na ndodhë të gjithëve gjatë jetës. Ç’të bëjmë atëhere? Françesku përgjigjet: “Vigjilencë. Të vigjilosh mbi zemrën tënde. Të vigjilosh. Çdo ditë! T’ia vësh veshin zemrës, për të dëgjuar ç’po ndodh aty!". Këtë theksoi Papa, për të përfunduar me fjalët:

“Davidi është shenjt. Ishte mëkatar. Mëkatari, pra, mund të bëhet shenjt. Salomoni jo, sepse i korruptuar. I korruptuari nuk mund të bëhet shenjt. E në korrupsion arrihet pikërisht nëpër udhën e ligështimit të zemrës. Vigjilencë! Ta vigjilojmë çdo çast zemrën. Si është zemra ime, lidhja me Zotin. E kështu të mund të shijojmë bukurinë dhe gëzimin e besnikërisë".

08/02/2018 12:46