Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Aktualiteti ndërkombëtar

Olimpiada: dialog ndërmjet Koreve. Jo takimit me SHBA

Prova për hapjen e Olimpiadës së Pyeongchang - AP

08/02/2018 14:41

Atmosferë pritjeje nesër, për Olimpiadën Dimërore, në Pyeongchang. Duke nisur nga ceremonia e hapjes - në orën 11.45 (mund të ndiqet nga Rai2) - që do të tërheqë vëmendjen e mbarë botës. Sipas burimeve të presidencës së Seulit, presidenti korean Moon Jae-in, do të takohet, të shtunën e ardhshme, me motrën e Kim Jong-un, e cila kryeson delegacionin e Veriut në Lojërat Olimpike. Pyongyang i thotë “jo” takimit me delegacionin e SHBA-ve.

Pala verikoreane nuk mendon të takohet me autoritetet amerikane, njofton një funksionar i ministrisë së jashtme të Pyongyang. Delegacionin verikorean në jug, siç e kujtuam më sipër, e kryeson Kim Yo Yong. Motra e liderit Kim Jong-un pritet që nesër, për një vizitë prej tri ditësh. Ndërsa Delegacioni i SHBA-ve do të kryesohet nga zëvendës-presidenti Mike Pence i cili, pak ditë më parë, pati thënë: “Përsa i përket ndërveprimtarisë me delegacionin korean, nuk kam kërkuar ndonjë takim, por të shohim çka do të ndodhë”.

Thirrja e Papës

Dje, në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku, u bëri thirrje atletëve dhe organizatorëve të Lojërave XXXIII Olimpike Dimërore, duke theksuar:  “Armëpushimi tradicional olimpik i këtij viti ka rëndësi të veçantë: delegacionet e dy Koreve do të parakalojnë së bashku nën të njëjtin flamur e do të marrin pjesë në gara si një skuadër e vetme. Ky fakt na bën të shpresojmë në një botë, në të cilën konfliktet mund të zgjidhen paqësisht me dialog e respekt reciprok, ashtu si na mëson të bëjmë edhe sporti”.

Papa i drejtoi pëshëndetjen Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, atletëve e atleteve, që marrin pjesë në Lojërat Olimpike të PyeongChang, Autoriteteve e popullit të Gadishullit të Koresë. U kujtoi se do t’i shoqërojë të gjithë me lutje, ndërsa përsëriti angazhimin e Selisë së Shenjtë për të mbështetur çdo nismë të dobishme në favor të paqes e të takimit ndërmjet popujve. E uroi edhe që kjo Olimpiadë të jetë festë e madhe miqësie e sporti!

Përjashtim nga masat ndëshkimore imponuar Koresë së Veriut

Së fundi, komisioni i Kombeve të Bashkuara, që monitoron statusin e masave ndëshkimore kundër Koresë së Veriut,  përjashtoi nga këto masa një nga anëtarët e delegacionit verikorean në Olimpiadën Dimërore. Është fjala për Choe Hwi  i cili, ndërmjet tjerash, ndalohet të udhëtojë që nga 2 qershori 2017.

Kujtojmë se Choe Hwi është funksionar, udhëheqës kombëtar i sportit, i zgjedhur për të përfaqësuar Korenë e Veriut në Lojërat e Koresë së Jugut.

  

08/02/2018 14:41