2018-02-07 11:10:00

Fillon në Shkodër Takimi V i CCEE-së për marrëdhëniet me myslimanët në Evropë


Një reflektim teologjiko-shpirtëror mbi Islamin sot, si dhe shkëmbimi i praktikave të mira për të favorizuar marrëdhëniet me myslimanët në Evropë, do të jenë në qendër të takimit të pestë të delegatëve kombëtar të Konferencave Ipeshkvnore në Evropë (CCEE) për marrëdhëniet me myslimanët. Takimi, që nis që sot pasdite dhe deri të premten e ardhshme, mbahet në Shkodër me ftesë të kryeipeshkvit vendas, Imzot Angjelo Masafra OFM dhe do të diskutojë rreth temës "Feja dhe përshpirtëria në marrëdhëniet mes të krishterëve dhe myslimanëve".

Sot pasdite, punimet parashohin një shkëmbim rreth gjendjes së marrëdhënieve me bashkësitë myslimane në vendet e tyre përkatëse. Më pas, Imzot Khalet Akasheh, Kryetar i zyrës për Islamin pranë Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar do sjellë përshëndetjet e Kardinalit Jean-Louis Tauran, president i këtij dikasteri të Vatikanit. Ai do t'i informojë të pranishmit rreth veprimtarive të Këshillit Papnor dhe rreth Udhëtimit Apostolik të Papës Françesku në Egjipt, që kulmoi në takimin me Imamin e Madh të Al-Azhar-it.

Takimi do të hapet me përshëndetjet e Imzot Angjelo Masafrës OFM, Kryeipeshkëv i Shkodër-Pultit, Imzot Duarte Cunha, Sekretar i Përgjithshëm i CCEE dhe të dom Andrea Pacini, pedagog pranë Fakultetit Teologjik të Italisë së Veriut (Seksioni i Torinos) dhe koordinator i takimit.

Zgjedhja për t’i kryer punimet e edicionit të pestë të Takimit me delegatët kombëtarë të konferencave ipeshkvnore për marrëdhëniet me myslimanët, në 25° vjetorin e vizitës historike të Shën Gjon Palit II në Shqipëri, nuk është rastësore.

Imzot Angjelo Masafra, kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit, shpjegon kontributin që Shqipëria mund t’i japë Evropës: “Në Mesazhin e tij drejtuar Kombit Shqiptar (25 prill 1993), Shën Gjon Pali II na ftonte të «mësonim artin e dialogut dhe të dëgjimit, edhe kur kjo do të thotë lodhje». Na kujtonte se pikërisht dialogu dhe dëgjimi janë «çmimi i lirisë, sekreti i progresit të vërtetë moral dhe civil». Në 25-vjetorin e këtij fjalimi historik në Sheshin Skënderbej në Tiranë, e ndjej të them se bash këtë art të dialogut dhe të dëgjimit mund t’u mësojnë bashkësitë fetare të Shqipërisë bashkësive të tjera fetare të pranishme në Evropë. Realizimi i këtij takimi në këtë tokë të martirizuar për shumë kohë nga totalitarizmi ateist është rast për të ritheksuar se, për të shmangur paragjykimet, ndërgjegjja e tjetrit është themelore. Sot në Shqipëri ka një frymë dialogu dhe pranimi – dhe në ndonjë rast edhe bashkëpunimi –dhe është e mundur të bashkëjetosh vetëm nëse respektohet tjetri dhe ligjet e Shtetit. Shën Gjon Pali II thoshte se: «Feja e sinqertë, në fakt, nuk i ndan njerëzit, por i bashkon, edhe në dallimet e tyre. Askush si feja s’na kujton më mirë se, nëse kemi një Krijues të vetëm, jemi edhe të gjithë vëllezër!», përfundon kryeipeshkvi Masafra.

Nesër, 8 shkurt, në dy seksione publike, Imami sunit Lauren Luli, Zëvendës President i Bashkësisë Myslimane në Shqipëri dhe Hirësia e Tij (Haxhi) Baba Edmond Brahimaj Kryegjysh, Lider i bashkësisë Bektashiane, do t'i ndihmojnë të pranishmit për të përvijuar profilet themelore të besimtarit mysliman dhe mënyrat përmes të cilave, ai e jeton lidhjen e tij me Zotin.

Moderator i këtyre seksioneve do të jetë Fra Ignazio De Francesco murg i Familjes së Vogël të Zojës Nunciatë, Montesole (Itali).

Punimet do të vazhdojnë me diskutimet rreth tematikave baritore. Takimi do të përfundojë, në mëngjesin e të premtes, datë 9, me vizitën në Shenjtëroren bektashiane të Krujës, qendër përshpirtërie e kësaj vëllazërie.

Këshilli i Konferencave Ipeshkvore të Evropës (CCEE)

Këshilli i Konferencave Ipeshkvore të Evropës (CCEE) aktualisht përfshin 33 Konferenca Ipeshkvore Evropiane, të përfaqësuara nga Presidentët e tyre, nga kryeipeshkvi i Luksemburgut dhe i Principatës së Monakos, nga kryeipeshkvi i Qipros i Maronitëve, nga Ipeshkvi i Chişinău (Republika Moldave), nga Ipeshkvi eparkial i Mukachevo-s dhe nga administratori apostolik i Estonisë. President aktual është Kardinali Angjelo Banjasko, kryeipeshkëv i Gjenovës, Zëvendës Presidentë janë Kardinali Vincent Nichols, kryeipeshkëv i Westminster-it, dhe Imzot Gądecki, kryeipeshkëv i Poznań. Sekretar i Përgjithshëm i CCEE është Imzot Duarte da Cuhna. Sekretaria e ka selinë në San Gallo (Svicër). www.ccee.eu.








All the contents on this site are copyrighted ©.