2018-02-07 12:50:00

Benedikti XVI: “Jam në shtegtim drejt Shtëpisë, rrethuar me dashuri e mirësi”


Papa i nderit, Benedikti XVI, u përgjigjet përmes një letre ardhur dorazi në selinë romake të gazetës italiane “Corriere della Sera”, lexuesve të shumtë, të cilët duan të dinë diçka për shëndetin e tij. Thotë se “po e lënë dalëngadalë forcat fizike” e flet për dashurinë, me të cilën e rrethojnë në Vatikan.

         Letra, që i adresohet gazetarit Massimo Franco, mbërriti dje paradite - me shënimin “urgjente e për t’u dorëzuar në dorë” - në selinë romake të “Corriere della Sera”, nga Kuvendi “Mater Ecclesia” në Vatikan, kur Papa i nderit banon pas tërheqjes nga papnia, pesë vjet më parë.

         “I dashur dr. Franco – shkruan Benedikti XVI – më mallëngjeu fakti që shumë lexues të gazetës suaj dëshirojnë të dinë si e kaloj këtë periudhë të fundit të jetës sime. Për këtë, mund të them vetëm se, ndërsa më lënë dalëngadalë forcat fizike, shpirtërisht, jam në shtegtim drejt Shtëpisë. Është hir i madh për mua të jem i rrethuar, në këtë pjesë të fundit të udhës, nganjëherë pak e lodhshme, nga një dashuri e një mirësi e tillë sa nuk do ta kisha imagjinuar kurrë. Prandaj, e konsideroj edhe pyetjen e lexuesve tuaj si shoqërim për këtë pjesë. Nuk mund të bëj tjetër – përfundon Papa i nderit – veçse t’i falenderoj, duke siguruar nga ana ime lutje për të gjithë. Përshëndetje të përzemërta, Benedikti XVI”.

Marrëdhënie shembullore ndërmjet Benediktit XVI dhe Papës Françesku

         “Shprehja ‘më lënë dalëngadalë forcat fizike’, rrëfimi se është “shpirtërisht, në shtegtim drejt Shtëpisë”, me “Sh” të madhe, - pra drejt Shtëpisë së Atit Qiellor - e “falenderimi” për “lexuesit e shumtë” të gazetës “Corriere della Sera”, që vazhdojnë të pyesin për të – komenton letrën e Benediktit, Massimo Franco – janë pak fjalë të matura, që transmetojnë mendime shumë të thella”. Gazetari nënvizon marrëdhëniet shembullore ndërmjet Papës së nderit dhe Papës Françesku; marrëdhënie, që nuk rregullohen nga ndonjë normë, por vetëm nga “karakteri i këtyre dy personaliteteve kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri, pavarësisht nga nënvizimi, herë pas here disi zyrtar, i vazhdimësisë ndërmjet dy papnive”.

         “Nuk ishte e thënë që ‘dy Papë’ në Vatikan të arrinin ta ruanin personalitetin e tyre, pa mbivendosje, ose edhe më keq, duke transmetuar mesazhe përçarjeje. Nëse, rastësisht, ekzistojnë ndryshime - përfundon Massimo Franco – janë sekret, që e ruajnë ata vetë”. Benedikti XVI transmeton “forcë shpirtërore dhe përvujtëri, që sublimohet kur, duke iu drejtuar atyre, të cilët vazhdojnë të interesohen për të, i përshëndet me ton gati familjar: ‘Nuk mund të bëj tjetër, veçse t’ju falenderoj’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.