2018-02-06 18:09:00

Pullë e Postës vatikanase për 25-vjetorin e vdekjes së të Lumit Puglisi


Don Pino Puglisi i rrethuar nga të rinjtë e lagjes palermitane të Brancaccio-s e në sfond, kisha e tij: kjo është pamja e stampuar në pullën, që u emetua sot nga Zyra filatelike dhe numizmatike e Shtetit të Vatikanit. Një mënyrë për ta kujtuar të Lumin, 25 vjet pas vrasjes së tij nga mafia, më 15 shtator 1993, pikërisht në ditën e lindjes, kur mbushi 56 vjeç. Vdekja e tij e dhunshme, me të cilën mafia i dha fund impenjimit të meshtarit kundër kriminalitetit të organizuar, u njoh nga Kisha si martirizim në emër të fesë.

Meshtar shembullor

         Në Engjëllin e Tënzot të 26 majit 2013, të nesërmen e lumnimit të don Puglisi-t në Palermo, Papa Françesku e pati kujtuar si “meshtar shembullor, që iu kushtua veçanërisht baritorisë rinore”.

         “Pulla – nënvizon imzot Vincenzo Bertolone, postulatori i Çështjes së lumnimit – është homazh për figurën e një njeriu fisnik e të një shenjtori. Është dëshmi se Puglisi jeton akoma, se mbetet një mësues për jetën e sidomos, një pikë referimi për meshtarët e Jugut, që luftojnë kundër mafies”.

25 vjet më parë, thirrja e Gjon Palit II kundër mafies

         Imzot Bertolone vë në dukje edhe një përkim të veçantë. “25 vjet më parë, në Luginën e Tempujve në Sicili, thirrja e Gjon Palit II kundër mafiozëve e ftesa e tij që të kthehen në rrugën e Zotit. E po 25 vjet më parë, - kujton prelati – edhe vrasja e don Pino Puglisi-t. Janë ngjarje, që përçojnë të njëjtin mesazh: ligjshmëria nis nga zemra, nga jeta e përditshme, nga respekti për rregullat. Janë hapa të vogla, që na japin mundësi t’i kundërvihemi mendësisë mafioze”.








All the contents on this site are copyrighted ©.