2018-02-06 09:00:00

Një ish-agjent i FBI-së për zyrën kishtare kundër dhunës në Çikago


21 vjet shërbim në Federal Bureau of Investigation (FBI) – “federalët” e sigurisë amerikane – pa dyshim, nuk janë lloji i përvojës, që zakonisht, kërkohet në një kurrikulum për punë në një dioqezë. Por, në një metropol si Çikago, ku viti 2017 përfundoi me një bilanc prej 650 të vdekurish e 3.524 të plagosurish nga ndeshjet me armë zjarri, kjo mund të ndihmojë. E vërtet, kardinali kryeipeshkëv Blaise Cupich i besoi një ish-agjenti special të FBI-t, Phil Andrew, përgjegjësinë e një strukture të re dioqezane. Është fjala për një zyrë, e cila promovon nisma për parandalimin e dhunës.

Çështja e kriminalitetit urban dhe e pasojave të tij është temë, që kardinali Cupich e ka përcaktuar qëkur si emergjencë të Kishës. Megjithëse në dukje, statistikat e vitit 2017 tregojnë për një ulje të krimit në krahasim me vitin e mëparshëm, Çikago mbetet qytet me një mesatare prej dy vrasjesh në ditë. Edhe për këtë arsye, një dekret kishtar i disa muajve më parë ndalon hyrjen në kisha, në strukturat famullitare e në shkollat katolike, të gjithë atyre që mbajnë armë.

Dekreti ishte përgjigjja e Kishës – ndoshta, edhe simbolike – kundër një rruge, që konsiderohet e gabuar prej saj: shtimi i blerjes së pushkëve dhe revoleve si reagim ndaj rritjes së numrit të vrasjeve, në emër të mbrojtjes personale. Tani, Kisha e Çikagos përpiqet të bëjë një hap tjetër përpara, duke promovuar parandalimin e dhunës. E zgjedhja e një figure si ajo e Phil Andrew për të koordinuar këtë impenjim të saj, tregon angazhimin e strukturave kishtare në krijimin e rrjeteve kundër dhunës, por edhe në fuqizimin e nismave të bamirësisë në lagjet e rrezikshme, të cilat nuk duhen lënë në kurthin e dëshpërimit, të racizmit dhe të varfërisë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.