Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Bota shqiptare

Kujtojmë sot 6 shkurtin e vitit të kobshëm 1967

komunizmi kunder klerit ne Shqiperi - RV

06/02/2018 06:30

Kujtojmë sot 6 shkurtin e vitit të kobshëm 1967, kur diktatori komunist, Enver Hoxha mbajti fjalimin ”Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, me të cilin filloi lufta kundër ”ideologjisë fetare” e ”zakoneve prapanike”, që shkaktoi persekutimin e të tmerrshëm kundër klerit e komuniteteve fetare, e më vonë solli deri te shpallja, me ligj, e Shqipërisë si vend i parë dhe i vetëm ateist në historinë botërore.

Nga diktatura e ideologjisë komuniste, u persekutua kleri në përgjithësi e asaj katolikë në veçanti, u shkatërruan Tempuj e Hyjit, u ndalua liria e besimit fetar, e së bashku me këtë u shkatërruan edhe vlerat e vërteta të traditës shqiptare, e kështu u vendosen themelet e një ferri të vërtetë.

Nga fjalimi famëkeq i diktatorit  komunist, mbajtur më 6 shkurt 1967, nisi etapa më tragjike e një populli të tërë, atij shqiptar, nisi Kalvari, deri në kryqëzim e, me ndihmën e Zotit, deri në ringjallje. Siç tregoi më vonë historia, komunizmi ateist edukoi një brez të tërë pa ndërgjegje, pra me ideale çnjerëzore, me mungesën e respektin për personin, me mungesën e respektin për lirinë e tjetrit, futi një frymë që nuk ishte as fryma, as tradita kombëtare shqiptare dhe as tradita e humanizmit evropian.

Në realitet, diktatori e komunizmi nuk e duronin dijen dhe besimin e njerëzve në Hyjin, madje kishin një frikë të tmerrshme nga inteligjenca dhe forca shpirtërore e njerëzve e posaçërisht të atyre personaliteteve që ishin më të ngritur, më largpamës, më guximtar e më atdhedashës se ata. Udha e mënyra e vetme për t’u liruar nga këta njerëz të ngritur, të ditur, të urtë, atdhetarë të vërtetë që përhapnin dritën e përparimit të vëllazërimit tek populli besimtar, ishte vrasja dhe persekutimi deri në internime e zhdukje fizike.

6 Shkurti i vitit 1967, na kujton, pra, ditën kur Enver Hoxha mbajti fjalimin me titull ”Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, fjalim ky me të cilin ai filloi luftën kundër ”ideologjisë fetare” e ”zakoneve prapanike”, që solli më vonë deri te shpallja me ligj e Shqipërisë si vend i parë dhe i vetëm ateist në historinë botërore.
 
Ky veprim i regjimit komunist të Enver Hoxhës do të ishte qesharak — siç përqeshej ky vendim në median botërore të kohës dhe më vonë — po të mos ishte për pasojat e rënda që ky vendim i regjimit komunist shqiptar pati mbi shoqërinë shqiptare atëherë, pasojat e të cilit ndihen ende sot. Megjithëse shtypjet kundër fesë kishin filluar ç’prej vitit 1945,  sidomos kalvari i Kishës Katolike e udhëheqësve të saj kishte qenë tepër i egër gjatë dy dekadave pas ardhjes së komunistëve në fuqi.  Megjithëse rrethanat e numri i të përndjekurve nga regjimi komunist, shumë prej tyre klerikë katolikë shqiptarë por edhe të dy feve të tjera, myslimanë dhe ortodoksë, u vranë ose vdiqën nën tortura të pa-imagjinueshme nëpër burgjet e kampet komuniste të regjimit hoxhist, nga viti 1945-1960. 

Numri i klerikëve të vrarë ose të vdekur nëpër burgje e kampe përqendrimi – katolikë, myslimanë e ortodoksë — nën torturat më ç’njerëzore gjatë asaj periudhe, ndoshta nuk do të dihet kurrë. Kështu më 19 shkurt 1967 u ndalua kremtimi i Meshës Shenjte i orës 10 në Katedralen e Shkodrës. Françeskanët shkodranë morën urdhrin të zbraznin Kuvendin e Gjuhadolit, duke mbartur gjithë ç’kishin në Kuvendin e Arrës së Madhe. Pas një kontrolli të rreptë të sigurimit, u mbyll edhe Argjipeshkvia katolike.

Njëkohësisht nisën mbledhjet komuniste nëpër lagje për demaskimin e klerit, ndër të cilat u dha sinjali i sulmit për mbylljen e të gjitha Kishave. Më 4 mars u mbyll Kisha katedrale e Shkodrës e mbas saj, njëri pas tjetrit, të gjithë tempujt e Zotit. E fundmja u mbyll Kisha e fshatit Delbinisht, ku fshatarët rezistuan derisa nisën arrestimet. Të Premten e Madhe të Pashkëve të vitit 1967 qeveria komuniste e Tiranës i ngarkoi mbi shpinë Kishës katolike shqiptare Kryqin e Krishtit.

Nisi kështu ngjitja në Kalvar, deri në kryqëzim e deri në ringjallje, në të tretën ditë. E gjatë kësaj ngjitjeje të mundimshme, pati edhe meshtarë si Atë Pjetër Meshkalla, jezuit e intelektual shqiptar, që morën guximin ta shpallnin haptas të vërtetën mbi diktaturën komuniste, anti-shqiptare, anti-demokratike, duke u bërë shembull për qëndrimin që duhet të mbajë çdo shqiptar përballë mashtrimit e gënjeshtrës qeveritare në çdo kohë.

Do të kalonin 23 vjet nga ajo ditë e zezë, e shumëkush do të besonte se Zoti nuk do të rikthehej më në Shqipëri. Por Ai u rikthye. Ai rikthehet gjithnjë e gjithkund, e më shumë se kudo, pikërisht atje, ku e mohojnë dhe e kryqëzojnë përsëri në bijtë e vet. E dëshmon historia e vendit të vetëm ateist në botë.
Ka shumë propozime për ditën përkujtimore të pasojave të kësaj fillese ogurzezë. Madje edhe kremtime.

Kisha katolike i përkujton bijtë e saj të martirizuar më 4 nëntor, në përkujtim të 4 nëntorit 1990, kur Zoti u rikthye në Varrezën e Rrëmajit, rrënimi i së cilës kishte nisur pikërisht me sinjalin e 6 shkurtit e me ‘nismën’ e rinisë shkodrane. E madje, po në muajin nëntor, 49 vjet më vonë, e pikërisht 5 nëntor 2016, në Kishën Katedrale të Shkodrës, simbol i katolikëve shqiptarë, Kisha katolike, në personin e Papës Françesku, shpalli Lumnimin e 38 martirëve, i lartoi në nderimet e altarit, duke dhënë kështu përgjigjën më saktë e më të shenjtë ndaj ideologjisë shkatërrimtare të komunizmit ateist.

Pra, tashmë Kisha katolike jo vetëm që i përkujton por edhe i kremton Martirët e periudhës më të errët të historisë kombëtare, periudhës së diktaturës komuniste. E ndoshta një ditë të gjithë dëshmorët e vërtetë të lirisë do të mund të përkujtohen, më në fund në një ditë të përbashkët kombëtare shqiptare, që nuk të kujton nisjen e sulmit, por fundin e tij, falë atyre që derdhen gjak për këtë Ditë! 

06/02/2018 06:30