Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Ipeshkvijtë evropianë në Shkodër: “Kisha në Evropë në dialog me besimtarët e feve të tjera”

Katedralja e Shkodrës

05/02/2018 14:52

“Fe e përshpirtëri në marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve e myslimanëve”. Kjo është tema e takimit të 5-të të delegatëve të Konferencave Ipeshkvnore në Evropë për marrëdhëniet me myslimanët, që do të mblidhen në Shkodër, nga 7 deri më 9 shkurt. I organizuar për herë të parë në Shqipëri me ftesën  e kryeipeshvit  të Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra Ofm - lexohet në një Komunikatë të Ccee, që e organizon reflektimin - takimi dëshmon interesimin dhe punën kapilare të Kishës katolike në Evropë për dialogun me besimtarët e feve të tjera të pranishme në Kontinent, posaçërisht me bashkësinë myslimane. Sivjet tema e zgjedhur do të krijojë mundësitë për reflektimin teologjiko-shpirtëror dhe shkëmbimin e nismave dhe të praktikave të mira në marrëdhëniet me fetë e tjera.

Objektivi:  të shikohet Islami si fe, me përshpirtërinë e tij

Objektivi është që Islami të shikohet jo vetëm si tërësi normash  e sjelljesh, por si fe, me përshpirtërinë e tij e me reflektimin e tij teologjik.

Takimi, për herë të parë, në Shqipëri

Për herë të parë, delegatë nga kombe të ndryshme do të takohen në Shqipëri, vend me shumicë myslimane, e do të prekin tematika teologjike e shpirtërore, që lidhen ngushtë me Islamin dhe dialogun islamo-kristian, me kontributin e dy intelektualëve  myslimanë shqiptarë, anëtarë të bashkësisë sunite dhe të sivëllazërisë së bektashinjve, kjo e fundit shumë e rëndësishme në Shqipëri. Janë imami sunit Lauren Luli,  zëvendës-kryetar i Bashkësisë Myslimane në Shqipëri dhe Hirësia e Tij (Haxhi) Baba Edmond Brahimaj, Kryegjysh i bashkësisë së Bektashinjve.

Pjesa e dytë e takimit: tematika baritore

Në pjesën II të takimit, delegatët do të diskutojnë rreth temave me karakter  më baritor. Atë Vincent Feroldi, drejtor i shërbimit kombëtar për marrëdhëniet me Islamin pranë Konferencës Ipeshkvnore franceze, do të paraqesë sfidat baritore të lindura nga prania e çifteve të përzjera (domethënë, njëri mysliman e tjetri a tjetra, e  krishterë). Imzot Claude Rault, ipeshkëv nderi  i Laghouat Ghardaia (Algjeri), do të paraqesë përvojën e tij të dialogut ndërfetar ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, bazuar mbi përshpirtërinë, ndërsa don Andrea Pacini, pedagog pranë Fakultetit Teologjik të Italisë Veriore (Seksioni i Torinos), do ta përfundojë takimin me një reflektim mbi statusin teologjik të Islamit në mendimin e krishterë bashkëhor.

Përshëndetja nga Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar

Gjatë takimit, imzot Khaled Akasheh, kryetar zyre për Islamin pranë Këshillit Papnor për dialgun ndërfetar, do të sjellë përshëndetjen e kardinalit Jean-Louis Tauran, kryetar i të njëjtit dikaster të Vatikanit e do t’i informojë pjesëmarrësit për veprimtarinë e Këshillit Papnor si dhe për udhëtimin e Papës Françesku në Egjiptit, që arriti kulmin në takimin me Imamin e madh të Al-Azhar. Takimi  i Shkodrës do të përfundojë me një vizitë në Shenjtëroren e bektashinjve të Krujës, qendër shpirtërore e kësaj sivëllazërie.

05/02/2018 14:52