Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Françesku në Shën Martë: mësojini njerëzit të adhurojnë në heshtje

Papa Françesku, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës

05/02/2018 13:34

Të ecim përpara në jetë, në udhën që çon drejt lartësive, drejt lutjes së adhurimit, duke kujtuar besëlidhjen me Zotin e duke e ruajtur këtë kujtim fort në zemër. Kjo është ftesa, që Papa Françesku u drejton besimtarëve gjatë homelisë së meshës së mëngjesit, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan.

Besëlidhja e pastër, jo me rokokotë e njëmijë rregullave

         Ati i Shenjtë merr shkas nga Leximi i parë i liturgjisë së sotme (1 Mbr 8,1-7.9-13), në të cilin tregohet se mbreti Salomon e thirri popullin të ngjitet drejt Tempullit të Hyut, për të çuar atje arkën e besëlidhjes me Zotin. Rrugë e vështirë ngjitja, por gjatë asaj rruge populli mbante mbi supe jo një arkë të thjeshtë, mbante historinë e vet, vetëdijen se ishte i zgjedhur prej Hyut. Mbante mbi supe dy rrasa guri, pa asgjë tjetër, ashtu siç ua kishte dhënë Zoti e jo ashtu si njerëzit, që së bashku me skribët e farisenjtë flijonin gjënë e gjallë gjatë udhës. E kishin “barokizuar” besëlidhjen, përdor Papa një neologjizëm, siç bën shpesh e siç na ka mësuar tashmë. Natyrisht, njerëzit zbatonin rregullat e përcaktuara nga farisenjtë, por Zotit i pëlqen besëlidhja e pastër, pa tepër rokoko: “unë të dua, ti më do”. Urdhërimi i parë i shkruar në ato rrasa guri është “të duash Zotin”; i dyti, “të duash të afërmin”. Nuk ka nevojë për shumë zbukurime.

Papa u kërkon meshtarëve t’u mësojnë njerëzve lutjen e adhurimit

         Kur arka vendoset në Sancta Santorum, sapo dalin priftërinjtë, një re e madhe e mbuloi Tempullin. Ishte lavdia e Zotit. Atëherë populli hyri në vendin e kultit, duke adhuruar Hyun. “Nga flijimet e rrugës së ngjitjes – shpjegon Papa – në heshtje, në përunjësi e në adhurim”. “Nganjëherë – thekson – mendoj se ne nuk e mësojmë popullin të adhurojë”.

         Po, i mësojmë të lutet, të këndojë, të lëvdojë Zotin , por të adhurojë… Lutja e adhurimit, ajo që na asgjëson pa na asgjësuar: në përunjësinë e adhurimit na jep fisnikëri e madhështi. E sot, po përfitoj nga prania e shumë famullitarëve të sapoemëruar, për të thënë: mësojeni popullin të adhurojë në heshtje, të adhurojë.

Udhë e përpjetë, duke kujtuar se jemi populli i zgjedhur

         Papa Françesku këshillon të mësojmë tani atë, që do të bëjmë në Qiell: lutjen e adhurimit.

         Por, mund të arrijmë deri aty vetëm duke u kujtuar se jemi zgjedhur, se kemi në zemër një premtim, që na nxit të ecim, duke mbajtur besëlidhjen hyjnore në duar e në zemër. E gjithnjë për udhë: udhë e vështirë, udhë e përpjetë, por udhë drejt adhurimit.

Dëgjo e fal

         Para lavdisë së Hyut, fjalët zhduken, nuk dimë ç’të themi, vëren Papa Françesku. Ashtu siç tregohet në liturgjinë e ditës së nesërme, mbreti Salomon arrin të thotë vetëm dy fjalë: “Dëgjo e fal”. E në përfundim të meshës, Ati i Shenjtë fton ta adhurojmë Zotin në heshtje, duke kujtuar historinë tonë e duke kërkuar: “Na dëgjo e na fal”.

         Do të na bëjë mirë sot t’i kushtojmë pak kohë lutjes, duke kujtuar udhën e bërë, hiret që gëzojmë, faktin që jemi të zgjedhurit e Hyjit, premtimin e Tij, besëlidhjen e të përpiqemi të ngjitemi lart, drejt adhurimit e, ndërsa e adhurojmë Zotin me shumë përvujtëri, të themi vetëm këtë lutje të shkurtër: “Na dëgjo e na fal”.

05/02/2018 13:34