Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Vatikan: Kard. Parolin, gjykatësi të mos harrojë kurrë se ka përballë një njeri

Kardinali Parolin kremton Meshën për përurimin e vitit gjyqësor - ANSA

04/02/2018 17:39

“Çdo gjykatë, e posaçërisht ajo penale, nuk duhet të harrojë kurrë  se para saj është përherë njeriu, qoftë edhe keqbërës, madje, aq më shumë kur është i këtillë: “njeri i rënë, i humbur, i pushtuar nga brerja e ndërgjegjes, nga frika, nga poshtërimi”. Kështu u shpreh sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në Meshën, kremtuar dje paradite në kapelën  Maria, Nëna e Familjes, të Pallatit të Guvernatoratit, me rastin  e përurimit të Vitit gjyqësor të Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit. Të pranishëm, gjykatës, avokatë, funksionarë e nëpunës të zyrave gjyqësore vatikanase.

Dhembshuri e gjykim

Në homelinë e rastit, kardinali Parolin citoi juristin Francesco Camelutti: “Nuk mund të mënjanohesh, kur një shfaqje e tillë kundrohet me mëshirë”. E më pas, kujtoi edhe fjalët e filozofit laik, Ugo Spirito, protagonist i jetës kulturore të nëntëqindës, i cili e komentoi me origjinalitet qortimin ungjillor “Mos gjykoni!”, duke pohuar: “Mos gjyko, do të thotë të mos shqiptosh gjykime negative, domethënë, të mos urresh”. “E mos gjyko, do të thotë edhe: gjyko pozitivisht, përpiqu të kuptosh, duaj!”.

Shqyrtim dhe ekuilibër

Kardinali Parolin vuri theksin mbi dy cilësi të nevojshme për gjykimin: shqyrtimin dhe ekuilibrin. Foli për shqyrtimin e realitetit me maturi, reflektim, studim e, mundësisht, edhe me lutje; me aftësi për të kërkuar këshillë në dyshim, me peshim të imtë të pasojave të mundshme pozitive e negative, duke shmangur rrezikun që njëra ta tejkalojë tjetrën, në dritën e kriterit të proporcionalitetit, vlerësimit të kompleksitetit të realitetit, në të cilin e keqja dhe e mira gjinden gjithnjë të përzjera.

Të kapërcehet legalizmi

Nuk bëhet fjalë për inteligjencë abstrakte - saktësoi - por për intuitë të hollë, të aftë për ndjeshmëri njerëzore, për dashamirësi e mirëkuptim. Nga ky tension i pashterrshëm për drejtësi e vërtetësi duhet, të dashur miq, të burojë kërkimi i ndershëm i drejtësisë themelore dhe kapërcimi i atij legalizmi, që mund të degjenerojë lehtësisht në formalizëm bosh, pa  përmbajtje e pa vlera të vërteta.

04/02/2018 17:39