2018-02-04 14:39:00

Në Engjëllin e Tënzot, njoftimi i Papës për Ditën e lutjes e të agjërimit, më 23 shkurt


Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku njoftoi se Dita e lutjes dhe e agjërimit për paqen, më 23 shkurtin e ardhshëm, “do të ofrohet posaçërisht për popullsitë e Republikës Demokratike të Kongos dhe të Sudanit të Jugut”.

Duke kujtuar, gjatë lutjes, Ungjillin e Markut, që vë theksin mbi lidhjen ndërmjet veprimtarisë mrekullibërëse të Jezusit dhe rizgjimit të fesë, Papa nënvizoi se shërimi i korpit  synon të shërojë zemrën. Sapo të  çlirohet nga leqet e së keqes e të rifitojë forcat, pas ndërhyrjes së Jezusit - pohoi Françesku - njeriu duhet të vihet në shërbim të Zotit. Jezusi - shtoi - nuk vjen ta sjellë shëlbimin në laborator; nuk bën predikime laboratori, i shkëputur nga njerëzit; është në mes të turmës! Në mes të popullit!

Më 23 shkurt, Dita e lutjes dhe e agjërimit për paqen

Pas lutjes mariane, duke kujtuar zgjatjen tragjike të situatave të konfliktit në vise të ndryshme të botës, Papa i nxiti të gjithë njerëzit vullnetmirë të marrin pjesë një Ditë të posaçme lutjeje e agjërimi për paqen, më 23 shkurtin e ardhshëm, të premten e parë të Javës së Kreshmëve. E ofrojmë - kujtoi - posaçërisht për popullsitë e Republikës Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut. Si në raste të tilla të ngjashme, Papa i ftoi edhe  motrat e vëllezërit jo katolikë e jo kristianë, të  marrin pjesë në këtë nismë, në mënyrat, që u duken më të përshtatshme.

Thirrja e Papës për paqen

Ati ynë qiellor - tha në vijim Papa - i dëgjon gjithnjë bijtë  e vet, që ngrenë zërin drejt Tij, kur pushtohen nga dhimbja e ankthi. I shëron zemrat e  thyera e i fashon plagët e tyre:

“Bëj thirrje që edhe ne ta dëgjojmë këtë britmë e, secili, në ndërgjegjen e vet, para Zotit, t’i drejtojë pyetjen: ‘Çfarë mund të bëj unë për paqen?’. Sigurisht mund të lutemi, por jo vetëm të lutemi. Secili mund t’i thotë konkretisht 'jo' dhunës, për aq sa varet nga ai, a nga ajo. Sepse fitoret e arritura me dhunë janë fitore të rreme, ndërsa puna për paqen u bën mirë të gjithëve".

Afërsi me popullin e Madagaskarit

Mendimi i Atit të Shenjtë shkoi, më pas, edhe tek popullsitë e Madagaskarit:

“Dëshiroj t’u siguroj afërsinë time popullsive të Madagaskarit, të dëmtuara rëndë, këto ditë, nga një ciklon i fuqishëm, që shkaktoi viktima e dëme, duke i  detyruar shumë njerëz të shpërngulen. Zoti i ngushëlloftë e i ndihmoftë”.

Shpallet i Lum, i riu Teresio Olivelli

Papa Françesku kujtoi edhe se u shpall i Lum i riu Teresio Olivelli, vrarë për fenë e tij të krishterë në vitin 1945, në kampin e përqendrimit të Hersbruck:

“Ai dha dëshminë e vet për Krishtin, përmes dashurisë ndaj njerëzve më të ligshtë, duke u bashkuar me aradhet e martirëve të shekullit të kaluar. Flijimi i tij heroik qoftë farë shprese e vëllazërimi, posaçërisht për të rinjtë”.

Në Itali kremtohet Dita për Jetën

Duke kujtuar se sot në Itali kremtohet Dita për Jetën, Papa i vlerësoi dhe i inkurajoi realitetet e ndryshme kishtare që, në një mori mënyrash, promovojnë e mbështesin jetën. Veçanërisht, Lëvizjen për Jetën. Duke i përshndetur këto realitete, jo aq të shumta, Françesku, në përfundim, shtoi:

“E kjo më shqetëson; nuk janë të shumtë ata, që luftojnë për jetën, në një botë, në të cilën çdo ditë prodhohen më shumë armë, çdo ditë miratohen më shumë ligje kundër jetës, çdo ditë shkon përpara kultura e hedhurinës, që synon ta flakë, çka nuk shërben, çka bezdis. Ju lutem ta thoni një uratë,  që populli ynë të jetë më i vetëdijshëm në mbrojtjen e jetës, në këtë çast rrënimi e flakjeje të njerëzimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.