2018-02-03 09:30:00

U shpall i Lum Teresio Olivelli, laik e martir


U shpall i Lum Teresio Olivelli, martir në kampin e përqendrimit nazist në Hersbruck. Ceremonia e Lumnimit u kremtua sot nё mëngjes në Pallatin sportit në Vigevano, në provincën e Pavia-a tё Italisё. Përfaqësuesi i Papës, Prefekti i Kongregatës për Cёshtjen e Shenjtorëve, Kard. Angelo Amato tha se "akoma sot ka edhe 215 milionë të krishterë në botë që vuajnë nga përndjekje dhe vdekja". I Lumi  Teresio qe "mrojtës i të dobëtëve dhe i tё shtypurve deri në dhurimin e jetës".

Sot, pra, në Vigevano të Italisë, u shpall i lum martiri Teresio Olivelli, laik. Meshën e kremtoi përfaqësuesi i Papës Françesku, kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

Lindur në Bellagio të provincës së Como-s, Teresio Olivelli, vijoi studimet në Vigevano dhe në universitetin e Pavisë. Në vitin 1941, shkoi ushtar me alpinët dhe mori pjesë në fushatën e nazizmit kundër Rusisë, duke iu kushtuar heroikisht ndihmës shpirtërore për njerëzit në prag të vdekjes. Me t’u kthyer në Itali, u distancua përfundimisht nga fashizmi, të cilin ishte përpjekur më kot ta reformonte nga brenda. Ndër burgosje, arratisje dhe ikje, u përpoq të kontribuonte në një plan për rindërtimin e vendit pas luftës, siç dëshmon lindja e gazetës “Il Ribelle” (Rebeli), në vitin 1944.

U burgos përfundimisht dhe u dërgua fillimisht në Gries, pastaj në Flossenburg të Bavierës e së fundi, në Hersbruck. Vdiq, mes vuajtesh të shumta, më 17 janar 1945, pasi pati pranuar të rrihej në vend të një të riu ukrainas të burgosur, të cilin e pati mbuluar me trupin e tij. Fillimisht iu njohën virtytet heroike, ndërsa më 16 qershor 2017, Papa Françesku nënshkroi dekretin me të cilin Teresio Olivelli u deklarua martir i fesë.








All the contents on this site are copyrighted ©.