2018-02-03 08:00:00

Të krishterët e persekutuar: më 24 shkurt, Roma, Mosuli dhe Halebi do të ndriçohen me të kuqe


Më 24 shkurt, Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” do të ndriçojë me të kuqe një monument të rëndësishëm të Romës e njëkohësisht, dy vende, simbole të martirizimit, në Haleb të Sirisë dhe në Mosul të Irakut. Në Romë do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të Kishës Katolike dhe të institucioneve evropiane, të cilët, së bashku me pjesëmarrësit, do të dëgjojnë dëshmitë e persekutimit të njerëzve, që i kanë vuajtur në lëkurën e tyre. Programi i nismës do të paraqitet të mërkurën, më 7 shkurt, në orën 12.00 në selinë italiane të Fondacionit.

Prej kohësh, “Ndihmë për Kishën që vuan” ngjyen me të kuqe, çdo vit, një nga monumentet më të rëndësishme të botës, për të tërhequr vëmendjen ndaj persekutimit të të krishterëve. Në prill 2016, u ndriçua kështu Shatërvani i njohur i Trevit në Romë, pastaj i takoi parlamentit dhe katedrales së Uestminsterit në Londër, Krishtit Shëlbues në Rio-de-Zhanejro, Bazilikës së Zemrës së Krishtit në Montmartre të Parisit e së fundi, katedrales së Manilës.








All the contents on this site are copyrighted ©.