2018-02-02 02:00:00

Më 2 shkurt, Kisha kremton festën e Paraqitjes të Zotit në Tempull


Më 2 shkurt, Kisha kremton festën e Paraqitjes të Zotit në Tempull. Festa e ‘Paraqitjes së Zotit në tempull’, është festë e Krishtit “dritës së popujve” dhe e takimit të Mesisë me popullin e vet në Tempullin e Jerusalemit. Kremtimi kësaj feste fillon me liturgjinë e dritës, për të vijuar me ndezjen dhe bekimin e qirinjve dhe me procesionin drejt Elterit të Kishës.

Festa e sotme e Paraqitjes së Zotit në Tempull, dyzet ditë pas lindjes së tij na bën të rijetojmë një çast të rëndësishëm të jetës të Familjes Shenjte: sipas Ligjit të Moisiut, Krishti Fëmijë çohet në tempull nga Maria e Jozefi për t’iu kushtuar Zotit. Simoni e Ana, të frymëzuar nga Hyji, njohin në këtë fëmijë, Mesinë aq të pritur dhe profetizojnë për të. Jemi përballë një misteri, të thjeshtë e solemn njëherësh, në të cilin Kisha shenjte kremton Krishtin, të Shuguruarin e Atit, të Parëlindurin e njerëzimit të ri.

Edhe procesioni me qirinj të ndezur, që shënoi fillimin e kremtimit të festës së sotme, u kujtoi besimtarëve të pranishëm hyrjen madhështore, të kënduar në Psalmin 23, të Atij që është Mbreti i lavdisë. Nga liturgjia e Fjalës Hyjnore të kësaj së kremte na shtrohet pyetja: po kush është Zoti i gjithëpushtetshëm që hyn në tempull?. Përgjigja na vjen gjithnjë  nga Shkrimi Shenjt: është një Foshnje; është Krishti Fëmijë, ndër krahët e nënës së vet, Virgjërës Mari. Kështu leximet liturgjike, fragmenti i profetit Malaki, Letra drejtuar Hebrenjve e Ungjilli nga Shën Luka, ndalen te paraqitja e Krishtit, ndërmjetësuesi që bashkon Zotin me njeriun, duke shlyer distancat, duke zhdukur çdo përçarje e duke shembur çdo mur që e ndan njeriun nga Zoti.

Liturgjia e sotme na paraqet edhe figurën e Virgjërës Mari, si personi i parë që e shoqëroi Krishtin në rrugën e bindjes, të fesë së vënë në provë e të dhembjes të jetuar pranë kryqit. Pra, Maria është Nëna e Atij që është ‘Lavdia e popullit të Izraelit’ e ‘dritë për të ndriçuar njerëzit’, por edhe shenjë kundërshtie. Zemra e saj e papërlyer duhet të shporohet nga shpata e dhimbjes, duke treguar kështu se roli i saj në historinë e shëlbimit nuk përfundon në misterin e mishërimit, por plotësohet përmes pjesëmarrjes plot dashuri në vdekjen e ngjalljen e të Birit, Qengjit që shlyen mëkatet e botës, Jezu Krishtit, dritës që i ndriçon njerëzit në rrugën e sigurt të vërtetësisë e të dashurisë.

Në fjalët e Simeonit plak: “Sytë e mi panë shëlbimin” e të profeteshës Ana ‘që u flet për fëmijën të gjithë atyre të cilët prisnin Mesinë në Jerusalem, në këtë mënyrë shpallet identiteti dhe misioni i Mesisë. E ne të gjithë jemi të thirrur ta pranojmë në zemra e ta ndjekim në jetë me gjeste e vepra dashurie, mirësie e bujarie. Në mbyllje të këtij reflektimi,  po kujtojmë se Liturgjia e kësaj feste na çon në skenën biblike ku, të mbyllur brenda mureve të Tempullit, Simeoni e Ana, sipas Ligjit fetar të popullit Hebre, presin dritën dhe shpëtimin. Por Jezusi nuk do të kufizohet brenda mureve. Zoti do ti përshkojë udhët e botës për të shpëtuar mbarë njerëzimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.