2018-02-02 15:52:00

L’Osservatore Romano: u kushtohet islamikeve, e përmuajshmja e shkurtit “Gratë Kisha Bota”.


Pas numrit, kushtuar grave hebreje, protestante e ortodokse, e përmuajshmja e “L’Osservatore Romano” ia kushton numrin e shkurtit grave myslimane, duke e titulluar “Gratë dhe Islami”. Në përshpirtërinë myslimane - shpjegon Samuela Pagano në editorial - shenjtëria, e fshehur në figurën e Profetit nga roli i tij si ligjvënës e prijës i bashkësisë, nuk personifikohet nga kalifët, por nga “miqtë e Zotit”. Ndërmjet tyre, gratë zënë një vend të dorës së parë. Për ta shpjeguar më qartë rolin e grave në fenë islame, numri i ri i së përmuajshmes niset nga tri shenjtore. Arianna Tondi  paraqet Zaynab, pajtore e Kairos dhe mbesë e Muhametit e Khadijes, përmes Fatimes; Gianfranco Bria përshkruan Dervishen Hatixhe, pajtore e Tiranës, që nderohet nga gratë myslimane të Shqipërisë bashkëkohore. Për Qurratu L-‘Ayn, poeteshë e heroinë e lëvizjes Babi, lindur nga fermenti mesianik i Iranit të tetëqindës e shndërruar në një fe të re, pas shtypjes së dhunshme, flet Elena Ruia Butt.

Në artikullin e hapjes, Lucetta Scaraffia paraqet kërkimin shkencor pionieristik të Germain Tillion mbi degradimin e vazhdueshëm të kushteve të jetesës femërore në zonën mesdhetare, por pa u përpjekur t’i gjejë fajtorët në besimet e ndryshme. Tillion - shkruan Scaraffia - e lidh këtë situatë  me ekzistencën e një strukture shoqërore pak a shumë homogjene, në brigjet jugore e veriore të Mesdheut, duke dalluar fenë nga praktikat shoqërore, në të cilat ruhen akoma gjurmët parahistorike të endogamisë mesdhetare (martesa brenda fisit), e cila  mbijetoi edhe pas revolucioneve fetare, si ai i krishterimit e i Islamit. Gra e burra, të dyja palët viktima të së njëjtës strukturë të lashtë  shoqërore, nuk do të shtypeshin nga tradita fetare, por nga rezistenca e tyre  përballë ndryshimeve.  Për hollësi, mund të shfletohet revista.








All the contents on this site are copyrighted ©.