Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të gjatë vitit kishtar “B”

Uso del nome di Gesu - RV

02/02/2018 03:00

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here dëgjojmë e meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 5-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë 'B'.

Liturgjia e Fjalës sё Zotit në këtë të Diele tё pestë gjatë vitit kishtar na fton të reflektojmë mbi problemin e dhimbjes dhe tё vuajtjes njerëzore në dritën e fesё e besimit nё Zotit. Pra, leximet biblike tё kësaj e sё diele na paraqesin më shumë se një temë. Kemi temën e vuajtjes, në të cilën Jezusi përgjigjet me njё mrekulli (Ungjilli na tregon pёr shërimin e vjehrrës sё Pjetrit); pastaj kemi temën e ungjillëzimit, për të cilën Pali apostull ndjehet i thirrur, dhe në Jezusin e ka modelin e përsosur. Së fundi, kemi edhe temёn e lutjes: Jezusi i rrethuar nga turma tërhiqet mënjanë për t'u takuar ballë për ballë me Atin Hyjnor. Lutja është thelbësore, si për të pranuar e po kёshtu edhe për të kuptuar domethënien e vuajtjes, si dhe për t’u përforcuar për misionin e predikimit tё Lajmit tё Mirë.

Megjithëse është pjesë e përvojës njerëzore, me shumë vështirësi ne pajtohemi me sëmunmdjen sepse “thellësisht” jemi “krijuar për jetën”. Ungjilli i liturgjisë së dielës, e paraqet Jezusin të imepnjuar në misionin për shërimin e të sëmurëve. Krishti, përveç se është mjek i shpirtit, është edhe mjek i trupit: ky është mesazhi i pjesë së Ungjillit (Mk 1, 29-39) të kësaj së diele.

Një qytet i tërë, Kafarnaumi grumbullohet tek pragu i shtëpisë së Simon Pjetrit, ku Jezusi posa e ka shëruar vjehrrën. Eksperienca e shërimit të të sëmurëve zë një pjesë të mirë të misionit publik të Jezusit, dhe na fton edhe një herë të reflektojmë mbi kuptimin e mbi vlerën e sëmundjes, në çdo situatë në të cilën njeriu mund të gjendet. Megjithëse sëmundja bën pjesë në përvojën njerëzore, ne nuk arrijmë të mësohemi me të e ta pranojmë, jo vetëm pse nganjëherë bëhet vërtet e rëndë dhe e rrezikshme, por sepse thellësisht jemi krijuar për jetën, për jetën e plotë.

Me të drejtë, ‘instinki ynë i brendshëm’ na bën të mendojmë se jeta plotësohet në Zotin, madje si Jetë e amshuar dhe e përsosur. Këtë përgjigje e gjejmë në Ungjill. Jezusi nuk lë asnjë dyshim: Hyji – fytyrën e të cilit Ai vetë na e ka dëftuar – është Hyji i jetës, që na liron nga çdo e keqe. Shenjat e kësaj fuqie të dashurisë janë shërimet (...) Themi se këto shenja janë shenja, që na udhëheqin drejt mesazhit të Krishtit, na udhëheqin drejt Zotit e na bëjnë të kuptojmë se sëmundja e thellë dhe e vèrtetë e njeriut është mungesa e Zotit, burim i së vërtetë dhe i dashurisë. E vetëm pajtimi me Zotin mund të na dhurojë shërimin e vërtetë, jetën e vërtetë, sepse jeta pa dashuri e pa të vërtetën nuk do të ishte jetë e plotë (...) Prandaj, kuptohet se pse predikimi i Jezusit e shërimet që Ai bën, janë përherë të lidhura: në të vërtetë formojnë një mesazh të vetëm shprese e shpëtimi.

Fjala e Hyjit

Jobi 7:1-4.6.7. Jobi është një njeri qё u bë pothuajse simbol i njeriut që vuan, i njeriut të munduar, tё shtypur nga dhimbja. Ai ankohet me Zotin për atë që i ndodh nё jetё. Nuk mund t’i durojё më netët pa gjumë, ditët që kalojnë pa shpresë dhe luten që Zoti i jetës tё ketë mëshirë pёr tё dhe ta ndihmoj.

1 Korintasve 9:16-19.22-23. Pali pohon se ёshtё mbi të gjitha një predikues, një kumtues i ungjillit, por kjo nuk e bën atë krenar, sepse e ndjen se e ka pёr detyrë. E me të vërtetë kjo është detyra që i është besuar atij nga Zoti. Dhe ai shpall se e predikon ungjillin falas, me gatishmërinë maksimale, duke u bërë shërbëtor i të gjithëve, vetëm për të "shpëtuar me çdo kusht ndokёnd.

Marku 1:29-39. Marku Ungjilltar përshkruan një ditë të Jezusit. Së pari ai shkon në sinagogë, pastaj rri si mik në shtëpinë e Pjetrit e tё Andreut. Këtu Jezusi shëron vjehrrën e Pjetrit dhe e kalon pasditen me ta. Në mbrëmje ka shumë njerëz të sëmurë që t’i shëruar. Në agim të nesërmes, kur akoma është errësirë, Jezusi kërkon një vend të shkretë për t'u lutur. I kërkuar nga apostujt, niset me ta për të shpallur ungjillin në vende të tjera.

Pra, Jezusi është në fillim të jetës së tij publike. Nuk ka kaluar shumё kohё qё kur ёshtё larguar nga familja dhe shtëpia e Nazaretit, e tani ecën nëpër Galile dhe turmave u kumton lajmin e mirë të Mbretërisë së Hyjit.

                     Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Jb 7, 1-4.6-7
Jobi reflekton mbi situatën njerëzore plot me zhgënjime dhe vuajtje dhe gjen lehtësim në besimin e plotë që ka ndaj Zotit. Edhe pse Jobi proteston, reagimi i tij është i kuptueshëm dhe jo i dëshpëruar. Dinjiteti ynë njerëzor qëndron në të luftuarit për jetën dhe në mospranimin e dëshpërimit.

Lexim prej Librit të Jobit
Jobi foli dhe tha: “Vallë, s’është luftë mbi tokë jeta e njeriut? Ditët e tija si ditët e mëditësit? Porsi të skllavit që e dëshiron hijen, si të mëditësit të varur nga mëditja? Kështu më takuan mua muaj zhgënjimi, net plot dhimbje për pjesë më qëlluan! Nëse shkoj të bie, pyetem: Kur do të agojë drita? E përsëri mezi e pres mbrëmjen, plot me dhimbje mezi e pres muzgun! Më kaluan ditët më shpejt se drugza e vektarit, u sosën, mbetën pa pe. Mos harro: avull është kjo jeta ime, sytë e mi fat të mirë s’do të shohin.” Fjala e Zotit! Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 147 
Na shëro, o Zot, Hyj i jetës sonë


Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
është bukur t’i këndosh Hyjit tonë,
është kënaqësi ta lavdërosh si i ka hije!
Zoti e rindërton Jerusalemin, 
i bashkon izraelitët e mërguar.

Ai e shëron zemrat e copëtuara,
i lidh plagët e tyre!
Ai e njeh numrin e yjeve
dhe e thërret secilin me emër.

I madh është Zoti ynë, i gjithëpushtetshëm,
e pakufishme është dija e tij.
Zoti e lartëson të përvujtët,
kurse përdhe i shtron bakëqijtë.

Leximi dytë nga Letra e Korintianëve 9,16-19.22-23
Çdo njeri ka të drejtë të dëgjojë Ungjillin. Për këtë Pali është gati të kryejë çdo sforcim për ta shpallur. Përballë kësaj urgjence të shpalljes është e nevojshme të braktisim çdo pengese e çdo privilegj. Pali predikon Ungjillin pa kërkuar interesat e tij. Bëhet gjithçka për të gjithë për të dërguar te Krishti numrin më të madh të besimtarëve.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, të shpall Ungjillin nuk është një arsye krenie për mua; është detyrë që më duhet ta kryej. I mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin! Nëse e bëj këtë me nisiativën time, atëherë më takon paga; por nëse jo prej nisiativës sime, është detyrë që më është besuar. Cila atëherë është paga ime? Që, duke predikuar Ungjillin, ta jap falas pa i përdorur të drejtat që m’i jep Ungjilli.
Sepse, edhe pse unë jam i lirë prej të gjithëve, vetveten e bëra skllavin e të gjithëve që të fitojë për fe sa më shumë njerëz. U bëra i ligshtë për të ligshtët. Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin. E të gjitha këto i bëj për dashuri të Ungjillit, kështu që të kem pjesë në të. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë. Ti ke fjalët e jetës së pasosur.
Aleluja. Aleluja.

Ungjilli Mk 1, 29-39
Jezusi fillon aktivitetin e tij duke kryer planin e Atit. Ai tërhiqej shpesh në një vend të vetmuar për tu lutur që mësimi i tij, jeta e tij dhe veprat e tij të jenë me të vërtetë sipas planit të Atit. Bashkimi iJezusit me njerëzit është shenja e bashkimit të tij të thellë me Atin. Indiferenca jonë ndaj të tjerëve ndoshta është një shenjë e një largimi nga Hyji. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi posa doli nga sinagoga, shkoi me Jakobin e me Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreut. Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe. Menjëherë i treguan për të. Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu. Në mbrëmje, me të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurit dhe të djallosurit. Mbarë qyteti u mblodh para derës. Ai i shëroi të sëmurët – ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin.
Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje thoshte uratë. Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë. Kur e gjetën i thanë: “Të gjithë po të kërkojnë.” Ai u tha: “Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme, që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.” Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogët e tyre dhe duke dëbuar djajtë. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

02/02/2018 03:00