2018-02-02 11:35:00

Atletika e Vatikanit në Olimpiadën e Dimrit në Kore


Për herë të parë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar fton formalisht një delegacion të Selisë së Shenjtë, kryesuar nga zv.sekretari i Këshillit Papnor të Kulturës, imzot Melchor Sanchez de Toca, për të marrë pjesë në përurimin e Lojrave Dimërore të Pjongçangut në Kore, më 9 shkurt. Gjithashtu, ky delegacion është i ftuar si vëzhgues i seksionit olimpik, nga 5 deri më 7 shkurt, në ditët e mbledhjes së Komitetit, gjatë të cilave diskutohen temat më të rëndësishme përsa i përket sportit në botë.

“Hapja e Lojrave Dimërore në Pjongçang – nënvizon imzot Sanchez de Toca për gazetën vatikanase ‘L’Osservatore Romano’ – pak kilometra larg kufirit, që i ndan dy Koretë, kufiri më i militarizuar i botës, merr vlerë të veçantë simbolike falë pranisë së atletëve të Koresë së Veriut, që do të marrin pjesë, duke formuar të njëjtin komitet me kolegët e Koresë së Jugut”. E kështu, “armëpushimi i brishtë olimpik na lejon të vazhdojmë të shpresojmë për një botë pa luftë, pavarësisht nga konfliktet, aktualisht në vijim”.

 Në shenjë miqësie, imzot Sanchez de Toca do t’i dorëzojë kryetarit të Komitetit Olimpik, gjermanit Thomas Bach, si edhe atletëve koreanë, bluzat e “Athletica Vaticana”, skuadrës së atletëve, përbërë nga punonjësit e Selisë së Shenjtë, nën udhëheqjen e Këshillit Papnor të Kulturës. Një skuadër, që i ka kthyer solidaritetin dhe miqësinë në tiparet e saj bazë sportive.

Përveç kësaj, “maratonomakët e Papës”, që në Udhën e paqes, organizuar në shtatorin e kaluar, vrapuan së bashku me skuadrën historike hebraike të Maccabi-t dhe me atletët e bashkësisë islamike të Romës, në mars do të lidhen në binjakëzim me skuadrën protestante gjermane të Lutherstad Wittenberg.

Pra, do të jetë hera e parë që një përfaqësi simbolike e Vatikanit do të marrë pjesë jo vetëm në ceremoni – kjo pati ndodhur edhe në Rio-de-Zhanejro më 2016 – por edhe në seksionin olimpik. Njëkohësisht, marrëdhëniet e miqësisë e të bashkëpunimit të Komitetit Olimpik me Selinë e Shenjtë, pavarësisht se nuk është e mundur pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e “atletëve të Vatikanit”, vazhdojnë me projekte të ndryshme, si Lojrat Olimpike të rinisë , në program në tetor në Buenos Ajres.








All the contents on this site are copyrighted ©.