Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Çelësi i fjalëve të Kishës: Tempulli i Zotit!

Gesu e il tempio - RV

01/02/2018 01:30

Të dashur miq, nesër më 2 shkurt Kisha Katolike kremton festën e Paraqitjes së Krishtit në Tempull, Festën e Dritave – festën e Zojës së Qirave, siç njihet ndër shqiptarë. Kjo festë na tregon për paraqitjen e Jezusit para Zotit, në tempullin e Tij. Na tregon edhe se kur prindërit e sollën Jezusin në tempull, një njeri i drejtë, që quhej Simon, i tha shën Marisë, profecinë e njohur: “Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. - (edhe ty vetë një shpatë do ta tejshkojë shpirtin) - që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt”(Lk 2,34-35). Jezusi u paraqit në Tempull për të plotësuar ligjin hebraik, por Ai vetë na bëri të kuptojmë më vonë, cili është Tempulli i vërtetë i Hyjit. Pikërisht fjala “tempull” është argumenti i emisionit tonë të sotëm.

Në të gjitha qytetërimet e botës, vendi i shenjtë, që konsiderohej seli e padukshme e hyjnisë në mesin e njerëzve, është një nga komponentet themelore të konceptimit të Gjithësisë. Edhe në Izrael, tempulli ngrihej lart, madje me këngë si “Këngët e Sionit”, që e shohin atë jo vetëm si pikë takimi për popullin e zgjedhur, por për të gjithë popujt e Tokës, siç thuhet në disa Psalme e në Librin e Isaisë.

Megjithatë, Bibla privilegjon historinë, si seli kryesore për takimin e Zotit me njeriun, duke pranuar se Hyji nuk është i pranishëm vetëm në shenjtërore. Që në Librin e parë të Mbretërve, në lutjen e mrekullueshme për kushtimin e tempullit, që kishte ngritur, Salomoni pyeste: “A mund të merret me mend se Hyji banon mbi tokë me të vërtetë? Qielli vetë e qiejt e qiejve Ty nuk mund të të zënë! Aq më pak kjo Shtëpi që unë ta ndërtova!”(1 Mbr 8,27). Kjo dilemë zgjidhej duke pranuar se tempulli është “tenda e takimit” ndërmjet Zotit, që “dëgjon prej vendit ku banon, prej qiellit”(shih 8,30) dhe njeriut, që e kërkon dhe e takon në vendin e shenjtë, ku lutet dhe nderon kultin e Hyjit.

Natani profet pati thënë se Zoti, më shumë se sa në “shtëpinë” materiale të tempullit, dëshiron të jetë i pranishëm në “shtëpinë” e Davidit, pra në linjën gjenealogjike, që nga Davidi shkon deri tek Mesia (2 Sam 7). Në hebraisht fjala “shtëpi” përdoret për banesën, por edhe për fisin, konceptuar si bashkësi njerëzish në kohë e në histori. Pra, edhe profetët e lashtë e kishin kapërcyer konceptimin gati magjik të tempullit, për të pohuar se Zoti është i pranishëm kudo.
Në këtë linjë do të vazhdojë edhe Jezu Krishti, i cili, natyrisht, nuk e mohon tempullin e Sionit, frekuentuar e liruar nga tregtarët prej Tij(Gjn 2,13-17).

Megjithatë, siç na e ka sjellë deri më sot Ungjilli i shën Gjonit, Ai i thotë samaritanes: “Po vjen koha, kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem… adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë”(Gjn 4,21.23). Madje shkon edhe më tej e flet për korpin e vet (Gjn 2,18-22), pra për vetveten dhe jetën e tij, duke e krahasuar me një tempull, që mund të shkatërrohet – siç ndodhi në vitin 586 p.K. me atë të Salomonit – por është i destinuar të rilindë përgjithmonë, gjë që nuk ndodh me tempullin e Sionit.

Jo më kot, në kapitullin e parë të Ungjillit të shën Gjonit pohohet: “Fjala u bë njeri e banoi ndër ne”(1,14), pra e nguli tendën, apo e ngriti tempullin në mesin e popullit. Por Krishti flet edhe për një tempull tjetër, ku Zoti është i pranishëm. Ky tempull është Kisha, populli i Hyjit. Na kujton shën Pjetri në Letrën e tij të Parë: “Si gurë të gjallë, jeni ndërtuar edhe ju si Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë, për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit, nëpër Jezu Krishtin”(2,5). E së fundi, ekziston edhe një tempull tjetër, korpi i vetë besimtarit, siç vëren Shën Pali Apostull: “Apo nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju, që e keni prej Hyjit dhe se ju nuk i përkitni më vetvetes? Prandaj, jepini lavdi Hyjit në trupin tuaj!”(1 Kor 6,19-20). Tempulli pra, është vendi fizik i një realiteti shumë më të thellë e jetësor.

01/02/2018 01:30