2018-01-31 12:59:00

Egjipt: “Ndihmë për Kishën që vuan” me të krishterët e persekutuar


Të krishterët e persekutuar në Egjipt, martirë e dëshmitarë të fesë së gjallë. Shembull për gjithë Evropën, e cila përpiqet të jetojë sikur Zoti nuk ekziston. Drejtori i Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, Alessandro Monteduro, sapo është kthyer nga një mision, që nisi në Kajro, për të kaluar në Aleksandri, Minia dhe Asiut, me synimin për të takuar bashkësitë kopto-katolike, Patriarkun kopto-ortodoks Tawadros II dhe për të vizituar shumë kisha të goditura nga terroristët e Isisit.

Atentatet kundër të krishterëve nuk e kanë shuar fenë

Tregon Monteduro: “U takova me një bashkësi të sprovuar, por të fortë në fe. Vuajtja nuk i ka larguar nga Krishti. Një famullitar i Asiutit, qytezë në Sinain e Epërm, në veri të Egjiptit, ku u përqendrua dhuna kundër të krishterëve, më tha një frazë emblematike: ‘sa më shumë na sulmojnë, aq më të shumtë mblidhemi në lutje’. Një forcë e jashtëzakonshme, e mbinatyrshme. Një shembull për ne, të krishterët e Evropës”. Provuan jo vetëm agoninë fizike dhe morale, jo vetëm atentatet, por edhe varfërinë, diskriminimin. E vë në dukje sërish, Monteduro: “Sidomos në zonat e Minisë dhe të Asiutit, mungesa e gjërave më të nevojshme për jetën është realitet i përditshëm, që prek kryesisht të krishterët. Ata diskriminohen edhe në jetën publike, në vendet e punës, në pjesëmarrjen në konkurse. E megjithatë, nuk e humbasin gëzimin, qetësinë shpirtërore”.

Thirrja: kthehuni në shtegtim në Egjipt. Tani është më i sigurtë

“Mos kini frikë – bën thirrje Alessandro Monteduro – tani mund të ktheheni në Egjipt. Vlerësojeni mundësinë për të shkuar në shtegtim në vendet e shkelura nga Familja Shenjte e Nazaretit. Janë shumë të sigurta. Para çdo vendi për t’u lutur ka mbikqyrje të jashtëzakonshme. Patriarku kopto-katolik dëshiron të përhapim këtë mesazh: ju presim në Egjipt, kemi nevojë për ju! Kemi nevojë të ndjehemi të bashkuar”.

Që nga viti 2013, kur furia e Vëllezërve Myslimanë dogji 65 kisha, Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” ka investuar më se 2 milion euro për t’i bërë të sigurta shumë vende kulti në Egjipt.








All the contents on this site are copyrighted ©.