2018-01-30 13:24:00

Papa në Shën Martë: barinjtë nuk duhet të jenë të rreptë, por të kenë dhembshurinë dhe afërsinë e Jezusit


Faqja e Ungjillit të Shën Markut, që i priu sot reflektimit të Françeskut, tregon dy episode shërimi, “më shumë për t’u kundruar, sesa për t’u reflektuar” - shpjegoi - sepse tregojnë si e kalonte ditën Jezusi, model për ditën e barinjve, ipeshkvij e meshtarë.

Të ecësh, të jesh gjithnjë në gji të popullit, të merresh me të

Apostulli e përshkruan përsëri Jezusin të rrethuar nga një turmë e madhe, turmë, që e ndiqte gjatë rrugës, ose brigjeve të detit. Ishte pikërisht turma, për të cilën Zoti shqetësohej gjithnjë. Sepse kishte premtuar ta ndiqte popullin e vet - nënvizoi Papa - duke qenë gjithnjë pranë tij:

“Jezusi nuk hap zyra këshillimesh shpirtërore. Nuk var në portë ndonjë kartelë, ku shkruhet: ‘Profeti pret të hënën, të mërkurën e të premten, nga ora 3, deri në 6. Hyrja kushton kaq e aq, ose, po deshët mund të lini një lëmoshë’”. Jo. Kështu nuk shkon. Krishti nuk bën kështu. Nuk hap as këshillimore e as studio mjekësore, me kartelën: “Të sëmurët mund të vijnë në këtë apo atë ditë, e në këtë ditë edhe do të shërohen”. Jezusi nuk përdor porta, as kartela: hidhet në mes të popullit.

E kjo është edhe figura e bariut, që na e jep vetë Zoti - vërejti Françesku - duke treguar sesi një meshtar, që e shoqëronte kështu popullin e tij, në muzg, për këtë arsye, ndjehej i lodhur e i këputur, po me një lodhje reale, jo ideale, lodhje e atij, që punon e jeton ndërmjet njerëzve.

“Jezusit i pëlqen t’i përballojë vështirësitë, kur t’ia kërkojnë njerëzit”.

Vështirësitë duhen përballuar me dhembshuri

Por Ungjilli i sotëm mëson edhe se Jezusi ishte gjithnjë në mes të turmës, se rrethohej përherë nga njerëzit, që dëshironin ta shikonin, e edhe ta preknin. Më se pesë herë përsëritet kjo folje në faqen e sotme të Markut - kujtoi Papa - duke nënvizuar se populli vijon të bëjë po kështu gjatë vizitave baritore. Bën kështu, për të fituar hire, e këtë e ndjen fort edhe bariu. E Jezusi nuk zmbrapset kurrë, madje “e paguan” këtë sjellje edhe me “turp” e me “tallje”. Këto janë gjurmët e mënyrës së sjelljes së Jezusit, e, prej këndej, edhe të sjelljes së bariut të vërtetë.

Bariu lyhet me vaj në ditën e shugurimit të tij: meshtarak a ipeshkvnor. Po vaji i vërtetë, ai shpirtëror, është vaji i afërsisë e i dhembshurisë. Bariut, që nuk e di ç’është afërsia, i mungon diçka shumë e rëndësishme. I mungon dhembshuria, është i rreptë, njeri që i ndjek delet me dajak në dorë. Afërsi e dhembshuri. E shikojmë në Ungjill. Kështu ishte Jezusi.

Afërsia e dhembshuria e barinjve: hir i Zotit

Edhe bariu, ashtu si Jezusi - shtoi akoma Françesku - e përfundon ditën e tij i lodhur, i lodhur nga “bamirësia”, e nëse sjellja e tij do të jetë e tillë, populli do ta ndjejë të gjallë praninë e Zotit. Prej këndej gurroi nga zemra e Papës, lutja e sotme:

“Sot mund të lutemi në Meshë për barinjtë tanë, që Zoti t’ua japë këtë hir të ecin me popullin, të jenë të pranishëm në gjirin e popullit, me shumë dhembshuri, shumë afërsi. E kur populli gjen bariun e vet, ndjen një frymëzim të veçantë, që mund të ndjehet vetëm në praninë e Zotit, e kështu përfundon edhe fragmenti ungjillor: “Ata u mrekulluan”. U pushtuan nga mrekullimi, që buron nga afërsia e dhembshuria e Zotit në bariun.








All the contents on this site are copyrighted ©.