2018-01-29 18:56:00

Papa, Takimit BA-FAO: kush vuan nga uria nuk mund të presë më


Letër e Papës Françesku, me firmën e kardinalit Parolin, drejtuar përfaqësuesve të vendeve të ndryshme mbledhur në Adis Abeba, pjesëmarrës të Takimit të 30-të të Bashkimit Afrikan, me mbështetjen e FAO-s, Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në Takimin e Adis Abebës, Papa Françesku i siguron se i mbështet hapat e bëra në zbatimin e Deklaratës së Malabosë për zhvillimin dhe shndërrimin bujqësor dhe për përmirësimin e mjeteve të jetesës.

 “Jemi të vetëdijshëm – shkruan Papa - se impenjimi për t’i dhënë fund urisë brenda vitit 2025 kushtëzohet, ndër të tjera, nga ndryshimi i klimës dhe pasojat e tij mbi bujqësinë, si edhe nga shtimi i konflikteve, që destabilizojnë zona të mëdha të kontinentit”. Në këtë gjendje tragjike, Papa bën thirrje për solidaritet ndërkombëtar, sepse janë në lojë miliona jetë njerëzore.

“Situata gjithnjë e më e vështirë në Afrikë – vëren Françesku – kërkon përpjekje të reja dhe bashkëpunim më të madh në favor të atyre popujve, që, për arsye të ndryshme, nuk arrijnë të plotësojnë nevojat e tyre njerëzore themelore”. Për të respektuar dinjitetin e çdo njeriu, Ati i Shenjtë përmend parimet e drejtësisë së barabartë për të gjithë, në mënyrë që të realizohen strategji dhe projekte të përshtatshme, të cilat duhet të mbështesin masat e marra nga Bashkimi Afrikan, në bashkëpunim të ngushtë me FAO-n. “Njerëzit, që vuajnë nga uria, nuk mund të presin më – pohon Papa – as nuk duhet të kënaqen me pak”.

Ati i Shenjtë inkurajon kthimin në frymën e Deklaratës së Malabosë, në emër të së cilës, janë ndërmarrë nisma të vlefshme për t’i çliruar popujt afrikanë nga kërcënimi i urisë, përmes veprimtarisë bujqësore dhe prodhimit ushqimor në çdo vend, si edhe përmes bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet të gjitha qeverive afrikane dhe organizatave ndërqeveritare. Ky objektiv kërkon përfshirjen e shteteve dhe të institucioneve ndërkombëtare të kontinenteve të tjera, për të garantuar që përpjekjet e Bashkimit Afrikan dhe të FAO-s, të mos lihen mënjanë për interesa personale, ose të shihen si pasojë e padëshirueshme e politikave apo e mekanizmave të padrejta, që pengojnë përdorimin e drejtë të fryteve të tokës.

Në Letër, Papa citon fjalët e shqiptuara prej atij vetë gjatë vizitës së fundit në FAO, më 16 tetorin e kaluar: “Është i nevojshëm një dialog i hapur dhe i sinqertë, në të gjitha nivelet, që të gjinden zgjidhje më të mira e të krijohen marrëdhënie të reja ndërmjet protagonistëve të ndryshëm të skenarit ndërkombëtar, marrëdhënie përgjegjësie të ndërsjelltë, solidariteti dhe bashkimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.