2018-01-29 14:40:00

Kardinali Ernest Simoni: Gjergj Kastrioti shprehje e madhështisë dhe thesarit kombëtar.


Në kuadrin e Vitit mbarëkombëtar kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut,  të premten e kaluar, më 26 janar, në sallën  Zuccari të Senatit Italian, në Romë, u mbajt konferenca “Rrënjët evropiane të Shqipërisë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, në personin e së Ngarkuarës me Punë, zonja Majlinda Dodaj, duke përuruar, kështu, Vitin mbarëkombëtar kushtuar Heroit Kombëtar të gjithë shqiptarëve.

Nunci apostolik Imzot Canalini: figura e Gjergj Kastriotit nënvizon rrënjët evropiane të shqiptarëve

Ndër të ftuar të nderit ishin kardinali shqiptar, Ernest Simoni Troshani dhe nunci apostolik, imzot Francesco Canalini, si përfaqësues i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin. Pastaj, ipeshkvi i Eparkisë së Ungrës, imzot Donato Oliverio, me një kumtesë me temën “Skënderbeu: lidhja e bashkimit”. Profesoresha Lucia Nadin e cila foli për “Shqipërinë dhe Skënderbeun në Venedik, ndërthurje shekullore jete, kulture, arti”; gazetari Loris Castriota Scanderbeg solli “Kujtime si një paraardhës i shquar” e për lidhjet e familjes së tij me Atletin e Krishtit, siç e quajtën Papët e Romës Gjergj Kastriotin Skënderbeun; akademiku shqiptar Aurel Plasari foli për “Shqipërinë e Skënderbeut në ‘De Europa’ të Papës Piu II”; e së fundi, profesoresha Maria Gabriella Belgiorno, pedagoge e së drejtës në Universitetin e Perugia-s, vuri në dukje “Sistemin Evropë në mendimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”.

Nunci Apostolik, imzot Francesco Canalini, në emër të Kardinalit Pietro Parolin e të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, falënderoi Ambasadën e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, për ftesën në të këtë takim kaq domethënës.

“Kjo ditë e thellimit të figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, mbrojtësit heroik të lirisë së Shqipërisë,  – tha Imzot Canalini – ka si qëllim t’i nënvizoi sidomos rrënjët evropiane të këtij vendi fisnik. Uroj që historia civile dhe fetare e vendit të Shqiponjave shikuar në dritën e nismës protagoniste kaq të rëndësishme, të mund të favorizojë gjithnjë e më shumë ndërgjegjësimin për rëndësinë që ka bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare, si një e mirë e çmueshme për paqen dhe për zhvillimin e harmonishëm të një populli.

Shën Nënë Tereza, së bashku me martirët që kanë dëshmuar heroikisht fenë e tyre, i ndihmofshin burrat e gratë vullnet mirë për përparimin social e shpirtëror të shoqërisë e të Kishës në Shqipëri” – tha Nunci Apostolik Imzot Francesco Canalini, në emër të Kardinalit Pietro Parolin dhe të Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë.

Kardinali Ernest Simoni: Gjergj Kastrioti shprehje e madhështisë dhe thesarit kombëtar

Gjergj Kastrioti, sigurisht, flet për madhështinë e popullit e thesarin e kombit. Ai qe mbrojtës i vlerave të popullit e të vendit, ato i përhapi kudo te Papët dhe në botë. Gjergj Kastrioti na fton të mos e harrojmë Zotin e Atdheun, thotë kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani, po mbi tepër  mbi figurën dhe veprën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ta dëgjojmë kardinalin shqiptar, hirësinë e Tij Ernest Simonin në mikrofonin e dom David Gjugjës, në përfundim të konferencës së lartpërmendur,  ta dëgjojmë...








All the contents on this site are copyrighted ©.