2018-01-28 08:00:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skanderbeut (1444-1468)” n. 10


Në emisionin e dhjetë të rubrikës, duke vazhduar shfletimin e veprës me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, sot, fillojmë t’ju flasim për rolin e Papëve të Romës në ngjarjet e në jetën e prijësit shqiptar.

“Pas disfatës fatale të serbëve në Kosovë (1389) – shkruan Serra – marrshimi triumfues i turqve otomanë përmes Gadishullit Ballkanik shqetësoi çdo principatë feudale, që ndodhej në rrezen e tyre të veprimit.

Në Perëndimin e krishterë, vetëm papati e ndjeu rëndësinë e këtij kërcënimi, që u bë më vonë shqetësim kryesor për Papën Eugjeni IV dhe pasardhësit e tij.

 Me Papën Eugjeni IV jemi në gjysmën e shekullit XV e skenari i Ballkanit është mjaft i qartë: Bullgaria dhe Maqedonia të pushtuara, princi i Serbisë i shfronësuar, Filipopoli, Adrianopoli, Selaniku, në duart e turqve. Kudo, nga Dobruna në Sofie, valëvitej e padiskutueshme Gjysëmhëna. Kërcënimi i afrohej Adriatikut, sepse nga rajoni i liqeneve të mëdha (Ohri dhe Prespa) e deri në Durrës, përmes rrugës konsullore romake Egnatia, çdo pengesë e vështirësi mund të kapërcehej lehtë. Ndërkaq, turqit, ndërsa nga njëra anë synojnë Adriatikun, nga ana tjetër, ngjiten drejt veriperëndimit. Duke u ngjitur përpjetë Danubit, shtrëngohen rreth Vllahisë dhe pasi depërtojnë në Serbi, kërcënojnë Banatin (sot, rajon i ndarë ndërmjet Serbisë, Hungarisë dhe Rumanisë).

Papa Eugjeni IV vigjëlon si prijës, sepse e di mirë sa i rëndë është kërcënimi i Islamit mbi qytetërimin e Krishtit. Dhe përgatit një plan të denjë për një prijës, megjithëse më vonë, ndokush e akuzon për nxitim në fushatën tokësore dhe për ngadalësi në atë detare.

Plani përbëhej nga dy aksione: njëri tokësor e tjetri detar. Fushata detare duhej të përgatitej nga vetë Papa, nga Venediku dhe nga shtete të tjera. Por pavarësisht nga entuziazmi i përgatitjeve, aksioni përmes detit u desh të shtyhej për vitin e mëpasëm. Ndërkaq, u ndërmorën operacionet përmes tokës, me “fushatën e gjatë të magjarëve”, e cila përbënte aksionin e parë të madh kundër turqve në vitet ‘400.

Ishte fillimi i vitit 1443. Më 1 janar, Papa, duke nisur përgatitjet, publikonte një enciklikë me të cilën shpallte Kryqëzatën, u drejtonte një thirrje shteteve të Evropës dhe i impononte klerit taksën e të dhjetave për këtë fushatë.

 Zërit të Papës iu përgjigjën hungarezët, polakët dhe serbët. Të parëve iu besua komanda e fushatës e kreu suprem i saj u zgjodh mbreti Ladislau i Hungarisë. Krishterimi mund të mburrej atëherë me një prijës të madh: Janosh Huniadin, vojvoda i Transilvanisë, i cili, me 12 mijë kalorësit e vet, u shkëput nga mbreti Ladislau, hyri në Bullgarinë veriore dhe pushtoi qytetin e Nishit, mbi Moravë, që u bë bazë për operacionet e tij”.

Ç’bëhej Gjergj Kastrioti në këtë periudhë? Ku ishte dhe ç’fat e priste? Për këtë do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.