2018-01-28 15:30:00

Papa takohet me bashkësinë ukrainase të Romës


Papa Françesku shkoi sot, në orën 16.00, për vizitë apostolike në Bazilikën e Shën Sofisë në Romë, për t’u takuar me bashkësinë greko-katolike ukrainase. Ati i Shenjtë mbajti një katekizëm, pas të cilit u takua me disa grupe famullitare dhe me shumë fëmijë. Shkoi për t’u lutur në varrin e ipeshkvit Stepan Chmil, meshtar salezian, që në vitin 1948 ishte misionar në Argjentinë, ku, një vit më vonë, pati njohur të riun Jorge Mario Bergoglio (papën aktual) me të cilin kremtonte Liturgjinë Hyjnore në orët e para të mëngjesit.

Kjo është vizita e dytë e një pape në Bazilikën e Shën Sofisë, ku 34 vjet më parë, më 17 tetor 1984, shkoi edhe shën Gjon Pali II për të kremtuar funeralin e kardinalit Josyf Slipyj, themeluesit të kishës. Vërtet, në shkurt të vitit 1963, pas kthimit nga një gulag siberian, kryeheparku Slipyj filloi të mblidhte fonde për ndërtimin e një kishe greko-katolike ukrainase në Romë, e cila u shugurua në vitin 1969, në praninë e Papës Pali VI. Këtu u zhvendosën reliket e Papës Klementi I, nga bazilika e shën Klementit në Lateran. Në vitin 1985, Papa Gjon Pali II i dha titullin kardinalor të “Shën Sofisë në rrugën Boccea” dhe në vitin 1998 e ngriti në rangun e bazilikës së vogël.

Bashkësia e Shën Sofisë

Bashkësia e Shën Sofisë është e përbërë kryesisht nga emigrantë, për të cilët Papa Françesku ka treguar dhe tregon vëmendje të veçantë. Në të bëjnë pjesë shumë familje me fëmijë, që i kanë sjellë të vegjlit në Itali për kura mjekësore, pas Çernobilit. Sipas të dhënave zyrtare, në Itali jetojnë më se 200 mijë ukrainas, por të dhënat jo zyrtare e dyfishojnë këtë numër. Besimtarët greko-katolikë kanë formuar 145 bashkësi në gjithë vendin. Në Romë dhe në Lazio banojnë rreth 15 mijë ukrainas, 5 mijë prej të cilëve frekuentojnë Bazilikën e Shën Sofisë.

Katër vjet konflikt: ndihma e Papës për paqen

 Ati i Shenjtë e vizitoi bashkësinë e Romës në një çast kur paqja në Ukrainë vonon të arrijë: katër vjet konflikte me rusët kanë shkaktuar më se 10 mijë të vdekur. Papa Françesku ka bërë shpesh thirrje për paqe e në prill të vitit 2016 pati promovuar një mbledhje fondesh për Ukrainën në të gjitha kishat e Evropës. E nuk mungoi t’i referohej gjendjes në këtë vend edhe në fjalimin e sivjetëm para Trupit Diplomatik të akredituar në Selisë e Shenjtë, duke përmendur sidomos familjet e goditura në zonat e luftës, ku çdo ditë shtohen viktimat, jo vetëm për shkak të ndeshjeve me armë, por edhe për shkak të të ftohtit, të urisë dhe të indiferencës ndërkombëtare. Pra, një vizitë kjo e Françeskut, që shërben për të tërhequr vëmendjen ndaj këtij populli të vuajtur, si edhe për të bërë një hap të ri në marrëdhëniet ekumenike.








All the contents on this site are copyrighted ©.