2018-01-26 13:41:00

Papa: rritet kërkesa për eutanazi, por dinjiteti njerëzor nuk preket


Në një epokë, në të cilën “njeriu i sotëm nuk e di më kush është, prandaj nuk e kupton si t’ia bëjë për të vepruar mirë”, në shumë vende vërehet një rritje e kërkesës për eutanazi, si “pohim ideologjik i vullnetit të pushtetshëm të njeriut mbi jetën”, duke e konsideruar kështu, largimin e vullnetshëm nga jeta si “vendim të qytetëruar”.

         Në Sallën Klementine në Vatikan, Papa Françesku u flet kështu, pjesëmarrësve të plenares së Kongregatës për Doktrinën e Fesë, të kryesuar nga prefekti, imzot Luis Francisco Ladaria Ferrer, dhe ndalet mbi problemet etike të shoqërisë bashkëkohore, me të cilat po merret Kongregata:

         “Është e qartë se aty ku jeta vlen jo për dinjitetin e vet, por për efikasitetin dhe prodhimtarinë e saj, gjithçka bëhet e mundur. Në këtë skenar, duhet ritheksuar se jeta e njeriut, që nga zënia e deri në  fundin e saj të natyrshëm, ka një dinjitet, që e bën të paprekshme”.

Të përballohet dhimbja me shpresë

         Dhimbja, vuajtja, kuptimi i jetës dhe i vdekjes, vëren Papa Françesku, janë realitete, që mendësia bashkëkohore nuk arrin t’i përballojë me shpresë:

         “E megjithatë, pa një shpresë të besueshme, që ta ndihmojë të përballojë edhe dhimbjen e vdekjen, njeriu nuk arrin të jetojë si duhet e të ketë një perspektivë plot besim për të ardhmen e vet. Ky është një nga shërbimet, që Kisha është e thirrur t’i bëjë njeriut bashkëkohor”.

Mos ta lëmë njeriun vetëm

         Misioni i Kongregatës merr kështu një pamje krejtësisht baritore:

         “Barinj të vërtetë janë ata, që nuk e lënë njeriun vetëm, as në kurthin e çorientimit dhe të gabimeve të veta, por, me vërtetësi e mëshirë, e orientojnë për të gjetur fytyrën e tij të vërtetë në të mirën. Pastërtisht baritore është kështu, çdo veprim, që synon ta marrë për dore njeriun, kur ky e ka humbur sensin e dinjitetit dhe të fatit të vet, për ta çuar me besim drejt rizbulimit të atësisë plot dashuri të Zotit, të fatit të tij të mirë dhe të rrugëve për të ndërtuar një botë më njerëzore”.

Rend moral në ekonomi

         Individualizmi, vë në dukje Ati i Shenjtë, mbështetja vetëm në forcat personale, shihet qartë edhe në fushën e ekonomisë. “Veprimtaria ekonomike – nënvizon Papa magjisterin e Kishës – duhet bërë sipas ligjeve dhe metodave te vetë ekonomisë, por duke pasur parasysh rendin moral”. Së fundi, Ati i Shenjtë falenderon Kongregatën për punën e bërë, sidomos për rastet e “krimeve të rënda”, ku hyjnë edhe abuzimet seksuale kundër të miturve, por edhe për përshpejtimin e çështjeve, që kanë të bëjnë me zgjidhjen e martesës në “favor të fesë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.