2018-01-26 12:20:00

Papa: feja transmetohet me guximin e së vërtetës. Përmend dëshminë e një murgeshe shqiptare


Transmetimi i fesë, në zemër të homelisë së Papës Françesku, sot në mëngjes, në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë komenton Letrën e dytë të Shën Palit Apostull drejtuar Timoteut, ku i kujtohet dishepullit “feja e çiltër”. Nga kjo letër, Papa vë në dukje tri fjalë, që tregojnë si duhet transmetuar feja. Ato janë “bir”, ashtu siç e quan Shën Pali Timoteun, pastaj, “nënë” e “gjyshe” dhe, së fundi, “dëshmi”.

Tek shën Pali apostull, “marria” e predikimit

         Shën Pali, thotë Papa, e rilind në fe Timoteun, të cilit i flet i pari për Krishtin, me entuziazëm, me “marrinë e predikimit e kjo është atësia e tij”. Në leximin liturgjik të sotëm flitet edhe për lot, sepse shën Pali nuk e ëmbëlson kumtin e tij me të vërteta gjysmake. Ashtu siç do të bënte çdo atë me birin e vet. Predikimi nuk mund të jetë “i vakët”, shton Papa:

         “Predikimi, gjithnjë, - ma lejoni këtë fjalë – ‘të jep një shuplakë’, një shuplakë që të mallëngjen e të bën të ecësh përpara. Vetë shën Pali thotë: ‘Marrëzia e predikimit’. Është çmenduri, sepse i thua dikujt se Zoti është bërë njeri, pastaj është kryqëzuar e pastaj, është ringjallur… Çfarë i thanë shën Palit baorët e Athinës? ‘Hajt se pasnesër do të të dëgjojmë’. …Gjithnjë, në predikimin e fesë, ka një ‘thërmijë marrie’. Nga ana tjetër, tundimi është falsiteti, mediokriteti: ‘E jo, të mos tallemi, nuk duhet të jetë fe e vakët’”.

Fjala, pa dëshmi, nuk ka forcë

         Fjala e dytë, marrë nga Leximi i sotëm, është dëshmia. Feja, pohon Françesku, transmetohet me dëshminë, që i jep forcë fjalës. “Sa shumë duhen!”, u thoshin njerëzit dishepujve të parë, duke i njohur se ishin të krishterë pikërisht prej kësaj:

         “Sot, në ndonjë famulli… ti shkon, dëgjon çfarë thotë ai e ajo e ai tjetri… Në vend që të thuash ‘sa duhen’, të vjen të thuash: ‘Si e rrjepin njëri-tjetrin’… Gjuha është si thikë për ta rrjepur tjetrin! E si mund ta transmetosh fenë në një ambient kaq të ndotur me thashetheme, me shpifje? Jo! Dëshmi! ‘Shiko, ky nuk flet kurrë keq për tjetrin; ky bën vepra bamirësie; ai shkon të vizitojë të sëmurët… pse bën kështu?’ Kurioziteti: pse ky njeri jeton kështu? E me dëshminë, lind pyetja pse aty transmetohet feja: sepse ka fe, sepse ndjek gjurmët e Jezusit”.

Kisha është femërore, Kisha është si nëna

         Nënë, gjyshe: amësia është fjala e tretë. “Feja transmetohet në prehrin e nënës, në prehrin e Kishës – shpjegon Papa Françesku – sepse Kisha është nënë, Kisha është femërore. Amësia e Kishës shtrihet më tej në amësinë e nënës, të gruas”. E Ati i Shenjtë kujton se në Shqipëri, pati njohur një murgeshë, që gjatë diktaturës ishte në burg, por nganjëherë, rojet e linin të dilte pak e ajo shkonte në bregun e lumit, sepse mendonin se s’mund të bënte asgjë të keqe aty. Por, tregon Papa, ajo ishte e zgjuar e gratë, duke e ditur kur dilte, i çonin fëmijët që t’i pagëzonte fshehurazi me ujin e lumit. Shembull i bukur, përfundon:

         “Po unë pyes: nënat, gjyshet, a janë si këto për të cilat flet shën Pali? ‘Edhe gjyshja jote Loide dhe nëna jote Euniçe’ e transmetuan fenë, fenë e çiltër? Pak a shumë… thonë: ‘Epo, do të mësojë kur të shkojë në katekizëm’. Por mua më trishton kur shoh se fëmijët nuk dinë të bëjnë shenjën e kryqit e në vend të saj, e dinë se diçka duhet të bëjnë e vizatojnë… sepse mungon nëna dhe gjyshja, që u mëson atyre fenë. Sa herë mendoj për gjërat, që mësohen për t’u përgatitur për martesë, por nuses së re, që do të jetë nënë, a i mësohet si duhet ta transmetojë fenë?”.

         Papa e përfundon meshën duke iu lutur Zotit që të na mësojë të gjithëve si ta transmetojmë fenë, si dëshmitarë, si predikatorë dhe si gra e nëna.








All the contents on this site are copyrighted ©.