Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Shtegtim simbolik në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, nё Romё

-Em.mo Card. Pietro Parolin-Basilica di San Paolo-Santa Messa per il 100° anniversario del ripristino delle relazioni diplomatiche tra la Santa Sede e il Regno Unito 03-12-2014 - OSS_ROM

25/01/2018 09:01

Shtegtim simbolik në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, Apostullit të Popujve, nё Romё. Me fjalën bazilikë kuptojmë qelëzen ku, në kohët e para të krishterimit, varrosej një njeri e nderohej kujtimi i tij. Prandaj ndërmjet “bazilikës”, në kuptimin e një Kishe madhështore, që ka marrë kjo fjalë sot, e “bazilikës”, në kuptimin e lashtë të saj, ka një lidhje të ngushtë. Dy nga bazilikat më të mëdha, që njeh bota e krishterë: e Shën Pjetrit dhe e Shën Palit, janë ngritur pikërisht mbi vendet ku qenë varrosur apostujt e martirizuar.

Shën Palit iu pre koka në rrugën Ostiense dhe u varros në një copë tokë, që i përkiste matronës romake, Luçina, po në rrugën Ostiense. Shën Pali pati një fund më të denjë se Shën Pjetri. I prenë kokën. Nuk mundën ta poshtërojnë, si Shën Pjetrin, sepse ishte qytetar romak. E po për këtë arsye, ia shkurtuan kokën jashtë mureve të Romës, që qyteti të mos përlyhej me gjakun e qytetarit i cili - për ekzekutuesit - ishte i pabesë. Prej këndej bazilika quhet: e Shën Palit jashtë Mureve.

Vendvarrosja e Apostullit është saktësuar nga gërmimet arkeologjike, te cilat kanë nxjerrë në dritë qelëzen e mbrojtur nga një rrjetë hekuri, që ruante reliket e Apostullit. Bazilika e parë mbi këtë varr u ngrit nga Perandori Kostandin. Aty nga shekulli IV, perandori Theodosi filloi zgjerimin e saj. Punimet përfunduan në kohën e perandorit Onorio e të Papës Leoni I (440-46). Më vonë Bazilika u rindërtua dhe u dekorua nga perandoresha romake, Plaçidia. Pësoi dëmtime të rënda nga një zjarr i furishëm në vitin 1823, pas të cilit u rindërtua mbi themelet e vjetra, sipas modelit të Bazilikës së lashtë.

Kiostri me 150 shtylla dhe shtatorja madhështore e Shën Palit të japin menjëherë përshtypjen e një bazilike tipike romake. Fasada, e stolisur me mozaikë, vetëtin nga ari, nga ngjyrat, nga drita… Në pjesën e fundit të fasadës, ndërmjet të tjerave, ndodhet porta e bronzit, vepër e Marainit. Bazilika, me pesë navata, ka përmasa shumë të mëdha, që të bëjnë përshtypje të jashtëzakonshme e të menjëhershme. Përshtypja thellohet kur shikon radhën e pafund të shtyllave dhe dritën mistike, që zbret nga dy sërë dritaresh prej alabastri. Lart, në tavanin në stilin e Rilindjes, shkrihen e bardha me ngjyrën e arit; poshtë, dyshemeja shkëlqen me mijëra reflekse. Ndërmjet dritareve dhe shtyllave zgjatet një numër i madh medalionësh në mozaik, që paraqesin portretet e papëve të ulur njëri pas tjetrit në Selinë e Shën Pjetrit.

Mozaiku i harkut triumfal është vepër e shkëlqyer e shekullit V, punuar sipas urdhërit të perandoreshës Gala Plaçidia. Baldakini i stilit gotik, që ngrihet mbi katër shtylla porfidi, në harmoni të plotë me linjat tjera, është vepër e Arnolfo di Kambio ( shek. XIII). Nën elterin papnor, që njihet si “Varri i Apostullit” ndodhet arka prej mermeri, që përmban reliket e Apostullit të Popujve. Në të djathtë të baldakinit mund të sodisim kandelabrin e famshëm të Pashkëve, të gdhendur në mermer aty nga shekulli XII.

Në “Kapelen e Sakramentit” që ka shpëtuar nga flakët, ndodhet “ I Kryqëzuari”, vepër përpara së cilës është gjunjëzuar sa herë shën Brixhida.
Mbi absidë shtrihet, në përmasa të mëdha, mozaiku me sfond prej ari. Kiostri kosmatesk i Bazilikës mund të konsiderohet si një nga monumnetet më në zë të artit, që kanë dalë nga duart e artistëve romakë të mermerit e të mozaikëve. Nuk jemi ne shtegtarët e parë shqiptarë që shkelim në dyshemenë vetëtitëse të Bazilikës së Shën Palit. Që vijmë të gjunjëzohemi te Varri i Apostullit.

 Një ndër shtegtarët e njohur ka qenë Atë Bernardin Palaj - poet i madh e martir i fesë së krishterë në Shqipëri. Ja si shkruan Atë Bernardini për mbresat qe i la Bazilika: “ … ma e bukra, për sy të mi, Kishë e botës…Sigurisht këtu ma të bukurit mermere, ma të kushtueshmit… Kushdo që hin, kushdo kjoftë ai, para ketij kolosit të artit kristian, mbetë i ngrimë… Këtu shtyllat, me qindra, të gjana, mos me i pershî dy burra e të tana një copet, të bajnë përshtypje të paharrueshme… Kaloj një orë qetësimi të mendes e të shpirtit te Vorri i Shen Palit. Mandej sodis lteret e tjerë për rreth, ku gjithçka lumnon Zotin në shkallen ma të naltë të artit… Sa e keqe të duket bota, kundrue prej çastit kur del nieri prej Bazilikës së Shën Palit. Ç’vegim… ç’konstrast… ç’zhurmë… Ah, Shën Pali ! Sa herë që e shof, thom: Dam me e shkri zjarmi këtë tempull edhe diten e gjyqit! Edhe në Parriz kishte me kene ma e bukura lule e artit kristian… (“Zani i Shëna Ndout” 1923, fruer).

Bazilika e Shën Palit ka pasur një kumbonare të shek. XI, e cila u rindërtua pas tërmetit të vitit 1948, u përgjysmua nga një goditje rrufeje me 1431 dhe u ngrit përsëri pas vitit 1823. Po e përmendim, sepse ka një formë të veçantë, simbolike: lartohet si një far për shtegtarët që, nëpër udhën Ostiense, shkojnë drejt detit. Është Shën Pali ky far, që ndriçon me dritë të pashuar shtegtimin e njerëzve. E edhe shtegtimin tonë virtual, që përfundon këtu, te Bazilika e Apostullit të Popujve, atij që u predikoi kombeve Fjalën e shpëtimit. Sikur na grish edhe ne të vazhdojmë këtë predikim ndërmjet njerëzve të kohëve moderne, në rrugët e kombit tonë, që ka aq nevojë për Fjalën e Shëlbimit…

25/01/2018 09:01