2018-01-25 14:39:00

Papa Françesku, mesazh për bashkësitë bazë, në Londrina të Brazilit


“Papa Françesku, i njoftuar për takimin e 14-të të Bashkësive kishtare bazë (Cebs), që mbahet në kryedioqezën e Londrinës, nga 23 deri më 27 janar 2018, dëshiron t’u transmetojë pjesëmarrësve, ardhur nga të gjitha anët e Brazilit, fjalë inkurajimi dhe bekimi për t’i ndihmuar të bartin sfidat e botës së sotme me ‘një hov të ri ungjillor  e me aftësi për dialog me botën, që ta risojë Kishën’ (Evangelii gaudium, 29)”.

         Fillon kështu mesazhi i Papës Françesku për takimin e bashkësive bazë braziliane, njoftuar dje nga Konferenca e ipeshkvijve të Brazilit. Në takim marrin pjesë rreth 3 mijë vetë. Duke vijuar mesazhin, Papa merr shkas nga tema “Pashë dhe dëgjova britmën e popullit tim dhe zbrita për ta çliruar”, marrë nga Libri i Daljes, për të nënvizuar se Zoti nuk është kurrë indiferent para popullit të vet. Vepra e Tij shëlbuese duhet të kthehet pastaj, “në një jetë personale, që shndrit në dritën e Ungjillit, pra, në një jetë të frymëzuar nga dashuria dhe solidariteti”.

         Mesazhi është nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Në përfundim të tij, urohet që “duke dëgjuar britmën e të varfërve dhe të atyre, që kanë etje për Zotin, për drejtësinë dhe për bukën e përditshme, bashkësitë kishtare të bazës të jenë, për shoqërinë dhe kombin brazilian, mjet ungjillëzimi dhe promovimi të njeriut – gjithnjë në bashkim me realitetin e famullisë dhe me orientimet e Kishës lokale – në gjendje të përballojnë pasojat e tmerrshme të kulturës së hedhurinave, që mënjanon shumë vëllezër e motra”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.