Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Festa e “Kthimit të Shën Palit"

San Paolo apostolo la Conversione

25/01/2018 08:46

Me 25 janar kalendarit  kishtar kremton festën e  Kthimit të Shën Palit Apostull. Festa liturgjike e “Kthimit të Shën Palit” nis të përkujtohet që nga shekulli VI, ndërsa festa e martirizimit të Apostullit të popujve përkujtohet më 29 qershor. Me këtë festë, që hyn në kalendarin Romak nga fundi i shekullit X, përfundon simbolikisht Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, duke na kujtuar se nuk mund të ketë ekumenizëm të vërtetë, pa kthesë të vërtetë te Jezu Krishti.

Festa e sotme na krijon mundësinë ta njohim nga afër figurën shumëdimensionale të Palit Apostull, i cili për veten shkroi: “Kam punuar më shumë se të gjithë apostujt tjerë” si dhe “Unë jam më i vogli ndërmjet apostujve, një dështak, i padenjë për t’u thirrur apostull”.

E pikërisht këto fjalë që shkruan për vetveten, i japin plotësisht të drejtën të drejtën të quhet Apostull: ai ka parë Zotin, Krishtin e ngjallur e për këtë arsye, është dëshmitar i ngjalljes; ai është dërguar drejtpërdrejtë nga Krishti, ashtu si të Dymbëdhjetët. Ai i ka tri cilësitë: vegimin, thirrjen dhe misionin, nga të cilat buron mrekullia e atij hiri Hyjnor që pati në rrugën e Damaskut, ku Krishti e bëri të kapitullojë pa kushte dhe i dha hirin të bëhet Apostull i Tij. Në vegim, Pali e pyet Krishtit: “Kush je to, o Zot?” dhe merr përgjigjen “Unë jam Jezu Krishti, që ti e persekuton”. E vërtetë, Pali bën ndryshim, kthesë në jetën e tij duke hequr dorë nga jeta e mëparshme e duke filluar një jetë të re në dhe me Krishtin.

Kthimi i Shën Palit, që në rrugën e Damaskut shitohet prej dritës së Krishtit të Kryqëzuar, të cilin ai, Sauli farize i bindur, e persekutonte në korpin mistik, vë në dukje në mënyrë të bindshme fuqinë e hirit të Zotit që e rrëzon përdhé Saulin dhe në të e ngjall personin e ri të rilindur nga feja, Palin, i cili nga armiku i përbetuar i Shëlbuesit, shndërrohet e bëhet misionari i zellshëm i Ungjillit, në apostullin e popujve, në dëshmimin e fesë  në Krishtit me fjalë e me vepra, me jetë e deri me vdekje.

Udha e Damaskut, ku ndodhi kthimi i Shën Palit, është me rëndësi të dorës së parë për të kuptuar lidhjen mistike që e bashkon Krishtin me Kishën. Sauli, Apostulli i ardhshëm nuk u kthye, ashtu si të tjerët, në takim me bashkësinë e krishterë, të cilën ai madje e persekutoi. U kthye me nismën e vetë Krishtit, që iu duk si i persekutuar. Shën Pali u kthye njëkohësisht tek Krishti e tek Kisha.

Kështu arriti tek përkufizimi origjinal i Kishës si Korpi i Krishtit, të cilin nuk e gjejmë tek autorët e tjerë të krishterë të shekullit të parë. Rrënjën më të thellë të këtij përkufizimi mahnitës të Kishës e gjejmë tek Sakramenti i Korpit të Krishtit. Thotë Shën Pali: “Duke qenë një bukë e vetme, ne, megjithëse shumë, jemi një trup i vetëm”.

Prandaj Apostulli i Popujve nuk i deshi bashkësitë Kishtare që themeloi, të ftohta e burokratike, por plot ndjenjë feje e pasion, sepse i konsideronte si shtrirje të pranisë personale të Krishtit në botë. Themelonte, kështu, një Kishë të Krishtit të përbërë nga gjymtyrë të bashkuara e njëkohësisht të dalluara, të cilave u printe fryma e Shpirtit Shenjt. Natyrisht të nënvizosh kërkesën e unitetit nuk do të thotë se duhet rrafshuar ose sheshuar jeta kishtare sipas një mënyre të vetme veprimi.

Gjetiu Pali Apostull mëson të mos shuhet Shpirti, domethënë të krijohet hapësira për gjallërinë e pabesueshme të shfaqjeve karizmatike të Shpirtit Shenjt Zot, që është burim energjie e gjallërie përherë të re. Kemi të bëjmë, pra, me një bashkim si vertikal, ndërmjet Jezusit e besimtarëve, ashtu edhe horizontal, ndërmjet të gjithë atyre që luten në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit.  

Bashkësitë e Mbledhjet tona liturgjike – porosiste Apostulli - duhet të jenë të tilla, sa ta shtyjnë njeriun që, pa qenë i krishterë, merr pjesë ndër to, të thotë në fund me bindje: “Zoti është me ju!”. Kuptohet lehtë prandaj sa e madhe është dëshira e Kishës katolike për ta realizuar atë që uron Shën Pali.

Shën Pali
Viti i lindjes së shën Palit llogaritet të jetë në mes vitit 5 dhe 10 pas Krishtit në qytetin e Arsit prej prindërve të cilët prodhonin dhe shitnin perde. Ata gëzonin edhe titullin qytetarë romak. Kishte dy emra: Saul për hebrenj ndërsa Pal për grekët dhe romakët. Njihte mirë kulturën greke dhe e mëson edhe gjuhën e tyre, gjithësesi duke i mbetur besnik traditës së etërve të vet.

Në Jeruzalem njihet me të krishterët të cilët i konsideron se janë sekt i rrezikshëm brenda judaizmit. Si i ri asiston në vrasjen me gurë të shën Shtjefnit, ndërsa kur arriti moshën e pjekurisë ai autorizohet t’i persekutoj të krishterët. Në Jeruzalem ishte tmerr për të ata që i besonin Jezu Krishtit. Kur ishte nisur për në Damask që të arrestoj të krishterë do të ndodhë mrekullia e madh – kthimi i tij (shih Vap 9, 1-19). Kështu rrugës për Damask i paraqitet vet Krishti duke e pyetur: Saul, Saul, pse po më salvon? Nga ky takim me Krishtin për tri ditë do të metet i verbëruar. Pas takimit me Ananinë atij i kthehet drita e syve dhe menjëherë kërkon të pagëzohet, dhe që atëherë, ai do të bëhet dëshmitar i flaktë i Lajmit të Gëzueshëm. Ai edhepse nuk kishte jetuar me Krishtin si psh. Pjetri, megjithatë do të dëshmoj: “E pashë Zotërinë”! (1 Kor 9,1).

Nga Damasku ai do të kthehet në Jeruzalem dhe aty qëndron për 15 ditë me Pjetrin e Jakobin, në një mënyrë duke i bindur ata por edhe të krishterët në përgjithësi se ai ka ndërruar dhe nuk është më persekutues i tyre. Tani Pali vihet në predikimin e Krishtit të Ngjallur dhe këtë do ta bëj deri në vdekje. Duhet theksuar se në përhapjen e Ungjillit ai do të ndërmerr katër udhëtime apostolike shumë të rëndësishme për popuj të ndryshëm, të cilët përmes tij do të kenë fatin ta njohin Jezu Krishtin. Ndër ata popuj bëjmë pjesë edhe ne shqiptarët sepse na mjafton të lexojmë letrën drejtuar Romakëve. Shën Pali shkruan: “Qysh prej Jeruzalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit” (Rom 15,19).

Për ta njohur këtë shenjt të madh, mjafton të lexojmë dhe të meditojmë 14 Letrat e tij të drejtuara bashkësive të ndryshme të cilat janë pjesë e Besëlidhjes së Re. Përderisa flasim mbi këta apostuj të mëdhenj le të themi faktin: “Sanguis martirum, semen cristianorum” (Tertuliani). Ta lusim Zotin që me ndërmjetësinë e tyre edhe ne të aftësohemi që në kohën tonë të bëhemi bartës të Lajmit të Gëzueshëm dhe dëshmitar të Krishtit të Ngjallur.

25/01/2018 08:46