2018-01-24 16:21:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Katriotit Skanderbeut (1444-1468)”, n. 7


Në emisionin e shtatë të rubrikës, po nisim shfletimin e veprës me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, që shërben si bazë e përkujtimit të Heroit Kombëtar nga ana e redaksisë së gjuhës  shqipe dhe nga Vatican News.  Flet për studimet kushtuar figurës së Kastriotit, me autor Alessandro Serra.

Në të  gjitha kohët Shqipëria – shkruan historiani arbëresh – për shkak të pozitës së saj gjeografike, pësoi një sërë pushtimesh e jetoi një mori  ngjarjesh, që ndikuan thellësisht mbi jetën e saj e edhe mbi atë të popujve të tjerë ballkanikë. Duke u nisur që prej kohësh ungjillore, dymijë vjet më parë, kur një grusht apostujsh  mori udhët e botës për të përhapur lajmin e mirë, njëri prej tyre, Shën Pali shkeli trojet Ilirisë, domethënë të Shqipërisë së sotme.

Por një nga ngjarjet më të rëndësishme, që ia ndryshoi faqen Shqipërisë,  duke ndikuar fuqimisht mbi fenë dhe qytetërimin e saj, qe pushtimi otoman në shekullin XV. Gjëma e parë e këtij pushtimi, që u afrua me shpejtësinë e stuhisë e u realizua me shpërthimin e një vullkani, u dëgjua në betejën e Kosovës (1389), me të cilën serbët u munduan, pa sukses, ta ndalonin marrshimin e pushtuesit.

Pastaj erdhi një periudhë e qetë, që shkon nga viti 1389 deri më 1443, domethënë, deri në betejën e Nishit, në të cilën të krishterët e mbretit Ladislav të Hungarisë u përpoqën ta imitonin, kësaj radhe me sukses, përpjekjen e serbëve.

Pas kësaj beteje hyn në skenë edhe populli shqiptar. E kështu, fillon lufta e gjigandit kundër xhuxhmaxhuxhit, që mbron fenë, vatrën, lirinë. Pushtuesit otoman, populli shqiptar i qëndroi që nga vitit 1444 deri në vitin 1478. Kështu, turkut, për ta pushtuar Shqipërinë, iu desh të luftonte për 34 vjet me radhë.

Shkaqet e kësaj rezistence të gjatë e heroike duhen kërkuar në natyrën malore dhe pyjore të Shqipërisë, në detin që e lag nga perëndimi, pra, në karakteristikat e saj taktiko-logjistike, por sidomos në heroizmin e popullit të vet, udhëhequr nga një prijës i vyer e gjenial: Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Nën udhëheqjen e tij, - vëren Alessandro Serra - Shqipëria i rezistoi pushtuesit për 24 vjet, gjatë të cilave ky luftëtar i rrallë tërhoqi mbi vete vëmendjen dhe admirimin e shteteve të Perëndimit të krishterë e të vetë armikut të tij më të madh, Mehmetit II, i cili, me vdekjen e Kastriotasit, tha fjalë vlerësimi, që janë epitafi më i mirë funebër dhe gjykimi më domethënës historik: “Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë, një luan i tillë”.

Por Skënderbeu pati edhe përkrahje e një nga mbështetjet kryesore i erdhi pikërisht nga Papët e Romës. Por për këtë, të dashur dëgjues, do të flasim në emisionin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.