2018-01-24 16:30:00

Papa: Kili dhe Peru, udhëtim për paqen dhe drejtësinë


“Dy popuj të mirë”: me këtë kompliment, përsëritur dy herë, Papa hapi sot audiencën e përgjithshme, kushtuar, si zakonisht, udhëtimit apostolik të sapopërfunduar. Ati i Shenjtë vlerëson besimtarët e takuar në Kili e në Peru, “njerëz të mirë”, thotë, “edhe ata që nuk janë për udhë, por janë ndalur pak”. Njerëz të mirë si vullnetarët – 20 mijë në të dyja vendet, sidomos të rinj – të cilët i falenderon nga zemra.

Ju lutem, paqe

Natyrisht, entuziazmi nuk ishte e vetmja ndjenjë e udhëtimit, në Kili sidomos. Papa e di këtë e nuk e fsheh:

“Mbërritja ime në Kili u parapri nga manifestime të ndryshme proteste, për shumë arsye, siç e keni lexuar në gazeta. E kjo e bëri edhe më aktual e të gjallë moton e vizitës: ‘Ju jap paqen time’. Janë fjalë që Jezu Krishti u thotë dishepujve, të cilat i përsërisim në çdo meshë: dhurata e paqes, që vetëm Jezusi i vdekur e i ringjallur mund t’ia japë kujt beson në Të. Jo vetëm që secili prej nesh ka nevojë për paqe, por edhe bota e sotme, në këtë Luftë të tretë Botërore pjesë-pjesë… Ju kërkoj një favor, të lutemi për paqen!”.

Burgu, rrezik torture pa fund

Papa kujton se pikërisht mbi binomin “paqe e drejtësi” kremtoi edhe meshën e parë në Parkun O’Higgins të Santiagos, duke propozuar lumnitë ungjillore. Stili i afërsisë, siç na mëson Ungjilli, u duk qartë edhe në vizitën në burgun femëror të kryeqytetit kilian, ku drama e dënimit lehtësohej disi nga shpresa në fytyrën e nënave të reja me fëmijët në krah:

“Nuk mund ta mendojmë burgun, çfarëdo burgu, pa këtë përmasë të integrimit, sepse, nëse nuk ekziston shpresa për t’u integruar sërish në shoqëri, burgu kthehet në torturë pa fund. Ndërsa, kur punojmë për integrimin – edhe të dënuarit me burgim të përjetshëm mund të integrohen – përmes punës për shoqërinë në burg, atëherë nis dialogu. Por burgu duhet ta ketë gjithnjë këtë përmasën e integrimit, gjithnjë”.

Harmoni në larmi

Temë tjetër e etapës kiliane, e amplifikuar nga mediat, ishte ajo e abuzimeve seksuale të të miturve nga disa anëtarë të klerit, për të cilën Papa foli me ipeshkvijtë dhe me Kishën lokale, duke theksuar se nuk duhet bërë asnjë kompromis me këtë tmerr. Pastaj, tema e paqes “si harmoni në larmi” dhe si mospërdorim i dhunës jehoi në meshën e Françeskut me indiosit Mapuche, por edhe në takimin me të rinjtë e Universitetit katolik të Santiagos, ftuar nga Papa për t’i zgjidhur konfliktet me dialog:

“Gjithnjë ka konflikte: edhe në shtëpi, i kemi gjithnjë. Por, t’i trajtosh konfliktet jo ashtu si duhet, është edhe më keq akoma. Nuk duhet t’i fshehim konfliktet poshtë shtratit: konfliktet duhet të dalin në dritë, të përballohen e të zgjidhen me dialog. Mendoni për konfliktet e vogla, që me siguri, i keni në shtëpi: nuk duhen fshehur, por përballuar. Duhet gjetur çasti për të folur: kështu zgjidhet konflikti, me dialog”.

“Jo” kolonizimit ideologjik

Mozaiku i popujve indigjenë, takuar në Peru, që rast tjetër, nënvizon Papa, për të reflektuar mbi bashkimin ndërmjet etnive, i cili nuk duhet të jetë shterpë, nuk duhet t’i uniformojë të gjithë, sepse jo të gjithë janë njëlloj, por duhet të respektojë pasurinë e secilit në larminë e etnive të ndryshme, me trashëgiminë e tyre historike dhe kulturore:

“E dëshmoi këtë, në mënyrë emblematike, takimi me popujt e Amazonës peruviane, që nisi edhe rrugën e Sinodit Pan-Amazonik të tetorit 2019, ashtu si e dëshmuan edhe çastet e jetuara me popullsinë e Puerto Maldonados dhe me fëmijët e Strehës ‘Princi i vogël’. Së bashku i thamë ‘jo’ kolonizimit ekonomik dhe atij ideologjik”.

Plaga, që shkatërron zemrat

Përveç rrezikut të mendimit unik, Papa denoncon edhe degradimin ekologjiko-shoqëror, por edhe një plagë tjetër, që ka gjetur vend si kancer në Amerikën Latine:

“Nuk e di nëse keni dëgjuar të flitet për korrupsionin … nuk e di… Nuk ekziston vetëm në ato anë: edhe këtu…e është më i rrezikshëm se gripi! Përzihet me zemrën dhe e shkatërron atë. Korrupsioni i prish zemrat. Ju lutem, i thoni ‘jo’ korrupsionit”.

Papa vazhdon të përshkruajë udhëtimit me penelata të shpejta, nga vizita në Trujillo, ku akoma duken dëmet e “Niño costiero”, tek takimi me 500 rregulltaret e klauzurës në Lima, si edhe tek lutja para relikeve të shenjtorëve peruvianë. Fytyra të lashta e modele të reja për të rinjtë, sepse – përfundon Françesku – janë të shumtë “burrat e gratë, që nuk kanë kohë për ta retushuar imazhin e tyre, por ndjekin Krishtin, që i sheh me shpresë”.

E duke kujtuar se sot, Kisha Katolike kremton shën Françeskun e Salesit, Papa ua jep si “model ëmbëlsie” të rinjve dhe si inkurajim për të sëmurët e të sapomartuarit, që të njohin gjithnjë “primatin e Zotit e të dashurisë së Tij” në jetën e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.