2018-01-22 18:12:00

Papa, gazetarëve, në avion: në Kili e Peru, i mallëngjyer nga feja e njerëzve


I mallëngjyer nga ngrohtësia e popullit, nga aftësia për t’u ngritur në këmbë edhe kur jeta nuk të buzëqesh e kur të duket sikur të bien mbi kokë të gjitha të këqiat e botës. Papa flet me gazetarët, në avionin e kthimit nga udhëtimi në Kili e në Peru dhe shpjegon bindjen e tij për ipeshkvin e diskutuar në Kili, imzot Barros.

         E pastaj, feja e njerëzve: diçka “e pabesueshme”, nënvizon Françesku. Ati i Shenjtë i vë vulën konferencës së shtypit, gjatë fluturimit për në Romë nga Lima, duke u besuar gazetarëve çastet, që e emocionuan më shumë javën e kaluar, gjatë vizitës në perëndim të kontinentit latinoamerikan, nga vjen edhe vetë.

Shumë çaste mallëngjimi dhe emocioni

         Fillimisht flet për Limën, sepse një orë pas nisjes, akoma i shkëlqen në sy dhe ia mbush zemrën fusha e mbushur me 1 milion e 300 mijë besimtarë në bazën ajrore Las Palmas, për meshën përfundimtare të udhëtimit, liturgji, që pati si kornizë entuziazmin e papërmbajtur të njerëzve. E megjithatë, pranon Françesku, të njëjtin ndikim pati tek ai dëshmia e dashurisë së kilianëve – e perceptuar kudo, thotë Papa, si në rrugët e kryeqytetit, ashtu edhe në qytetet e Temuco-s dhe të Iquique-s. Gjithë kjo fe, e pasuruar nga “ngrohtësia e njerëzve”, pohon, “m’u ngjit” për shpirt, sidomos në disa çaste të caktuara:

         “Burgu i grave… aty më mbeti zemra. Unë jam tepër i ndjeshëm ndaj burgjeve e të burgosurve… Pashë këto gra, pashë krijimtarinë e tyre, aftësinë për të ndryshuar vetë e për ta ndryshuar jetën, për t’u integruar sërish në shoqëri përmes forcës së Ungjillit… Njëri prej jush më tha: ‘Pashë gëzimin e Ungjillit’… vërtet, më mallëngjeu shumë ai takim... Por, më mallëngjeu shumë edhe Hogar Principito: këta fëmijë, shumica të braktisur, këta të rinj e të reja, që përmes edukimit, kanë arritur të ecin përpara – janë profesionalë aty – kjo më mallëngjeu shumë”.

         Faktikisht, përmblidhen në këto fjalë e në ndonjë shprehje të ngjashme në spanjisht, thënë më parë, përshtypjet e Papës nga një udhëtim, që fillimisht u quajt “i pastorizuar”, për shkak të ndryshimit të madh të temperaturës, që u përjetua nga kalimi prej verës urbane të Santiagos në ajrin e thatë të tokës së Iquique-s e në vapën plot lagështirë të Amazonës peruviane.

Rasti Barros

         Pjesa tjetër e konferencës së shtypit, në thelb, rrotullohet rreth çështjes së ipeshkvit kilian të Osornos, imzot Juan Barros, në qendër të polemikave dhe të akuzave se ka heshtur për të mbuluar abuzimet e një prifti katolik, atë Fernando Karadima, ndaj tre të miturve. Papa Françesku e përmbledh ngjarjen në italisht e në spanjisht, duke shpjeguar se vlerësimi i tij për ipeshkvin e sidomos, mungesa e provave, e bindën t’i refuzojë disa herë dorëheqjen:

         “Kur u emërua, vijonte lëvizja e protestave e ai dha dorëheqjen dy herë e unë i thashë: ‘Jo, ti shko’. Fola gjatë me të, edhe të tjerë folën gjatë me të… ‘Ti shko’ e ju e dini ç’ndodhi ditën që mori dioqezën në dorë. Hetimet vazhduan për imzot Barros, por nuk dolën prova. Nuk mund ta dënoj, sepse nuk ka prova, por unë jam i bindur se është i pafajshëm”.

“Kërkoj falje”

         Termi “prova” apo “evidencë”, siç e quan Papa, bëhet për disa minuta protagonist i konferencës së shtypit. Ati i Shenjtë pranon, me sinqeritet, se përdori termin e gabuar kur tha se në mungesë provash nuk do të kishte marrë masa ndaj imzot Barros. Kjo shprehje preku ndjeshmërinë e viktimave të abuzimeve dhe Françesku e pranon këtë qartas, i ndihmuar edhe nga deklarata e dhënë mbi këtë çështje nga kardinali O’Malley, këshilltar i Papës për problemin e abuzimeve seksuale të disa anëtarëve të klerit me të miturit. Ja çfarë tha Papa në avion, duke komentuar çështjen:

         “Çfarë dëgjojnë të abuzuarit? Për këtë duhet të kërkoj falje, sepse fjala ‘prova’ ua rihapi plagën. U kërkoj falje nëse i preka pa dashur, pa e kuptuar… E kuptoj edhe vetë se shprehja nuk ishte nga më të përshtatshmet. Imzot Barros qëndron aty ku është, nuk mund ta dënoj nëse nuk kam prova… Unë u mendova për deklaratën e kardinalit O’Malley dhe e falenderoj, sepse ishte e drejtë. Ai tha gjithçka kam bërë e bëj e gjithçka bën Kisha”.

Komisioni kundër abuzimeve shkon përpara

         Një gazetare e pyet Papën për mbarimin e afatit të punës për disa nga anëtarët e Komisionit vatikanas të mbrojtjes së të miturve nga abuzimet. A mos vallë, ky Komision nuk është më përparësi? Papa gati e ndërpret, për ta siguruar se, ashtu si Benedikti XVI para tij, vija e Vatikanit mbetet ajo e “tolerancës zero”. Pra, Komisioni do të vijojë punën e deritanishme, që Françesku e vlerëson pozitive. Në këtë fazë, po rinovohen anëtarët e tij, punë, që ka nevojë për një farë kohe.

Martesa në avion: “Çifti ishte i përgatitur”

         Nuk mund të mungonte pyetja për çastin më të veçantë të udhëtimit: martesa e çiftit kilian, kremtuar nga Bergoglio, gjatë fluturimit me avion për në Iquique. Edhe këtu, Papa shpjegon se çifti dëshironte të martohej prej kohësh, por rrethanat e jetës – pikësëpari, tërmeti i vitit 2010 – e kishin bërë ta shtynin kremtimin:

         “Unë i pyeta pak e përgjigjet ishin të qarta: ‘për gjithë jetën’. – ‘E si i dini  këto gjëra? I mbani mend mirë?’… - ‘Jo, jo: ne i kemi bërë kurset para martesës që atëherë’. Ishin të përgatitur… Ata ma kërkuan e… Sakramentet janë për njerëzit. Të gjitha kushtet plotësoheshin qartë. E pse të mos e bëjmë sot, atë që mund të bëhet sot, pa e shtyrë për nesër, pasi e nesërmja mund të ishte edhe 10, 8 vjet më vonë?”

         Gjatë udhëtimit me avion lajmërohet se ka trazira, por Papa vendos të mos e ndërpresë bisedën me mediat. Ndalet për disa minuta dhe ulet në poltronë, duke bërë shaka se mund të bjerë “në gropën e luanëve”.

Liberalizëm? Varet

         Pyetja tjetër ka të bëjë me konceptin e shprehur nga Papa gjatë takimit me popullsitë e Amazonës. Është fjala për politikat ambientaliste, që ia kundërvënë kujdesin për natyrën, atij për njerëzit. Françesku thekson se fatkeqësisht, kështu ka ndodhur e, “për të mbrojtur pyllin, janë përzënë disa popullsi e pastaj, vetë pylli është shfrytëzuar”. Me kërkesën e një gazetari peruvian, Papa nënvizon urgjencën që Amerika Latina të zhvishet nga fenomeni i korrupsionit. Plagë, kjo e jetës me dy faqe, jo e panjohur edhe për Kishën, gjë që e bën të vuajë Atin e Shenjtë.

         Një kroniste i kërkon një koment mbi çështjen e kardinalit Maradiaga, i cili është akuzuar nga gazetarët se i ka përdorur paratë e Kishës, pa e justifikuar këtë përdorim, por Papa pohon se nuk ka gjë për të thënë më shumë nga ç’ka deklaruar vetë prelati. Kardinali pati shpjeguar se paratë janë përdorur për nevojat baritore të Kishës në Honduras. Ndërsa për Kilin, që në 20 vjet, e ka ulur nivelin e varfërisë nga 40 në 11 %, duke zbatuar politika më liberale, Ati i Shenjtë përgjigjet kështu:

         “Unë do të them se duhet t’i studiojmë mirë rastet e politikave liberale. Ka vende në Amerikën Latine, me politika liberale, që i kanë çuar drejt një varfërie më të madhe. Aty, vërtet, nuk di si të përgjigjem, sepse nuk jam ekspert teknik, por në përgjithësi, politika liberale, që nuk përfshin gjithë popullin, është përzgjedhëse dhe shkakton dobësim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.