Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Kishat e Evropës për Javën e bashkimit të të krishterëve

Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve - RV

22/01/2018 12:11

“E djathta jote o Zot, fuqi e tmerrshme”: kjo është tema e Javës së sivjetme të lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, marrë nga Libri i Daljes (Dal 15,6). Ajo na kujton, shkruajnë Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (Ccee) dhe Këshilli i Kishave të Evropës (Kek), se Zoti mban botën dhe udhëheq historinë, përmes planit të Tij të shpresës për njerëzimin.

Evropa ka nevojë për shpresë

         “Sot, Evropa ka nevojë për shpresë! – vihet në dukje në mesazh. - Është britma, gati e nënkuptuar, që duket qartë në fytyrën e shumë banorëve të kontinentit të vjetër. Është ndjenja e boshllëkut, ku të çon një jetë pa Zotin. Mirëqënia ekonomike, e vetme, nuk është në gjendje ta kënaqë zemrën e njeriut. Një projekt për Evropën, që kufizohet vetëm në grumbullimin e pasurisë, i paaftë për solidaritet dhe susidiaritet, paradoksalisht, krijon varfëri të reja. Kush e mban zemrën hapur për Ungjillin zbulon tjetrin, të vuajturin, të moshuarin, të papunin dhe ndjehet solidar me të, duke bërë kështu, të rilindë shpresa. Ne të krishterët - shkruajnë në Javën e lutjes për Bashkimin, dy organizmat e mëdha të krishtera, njëra katolike e tjetra ekumenike jo katolike – duam t’u dëshmojmë të gjithëve shpresën tonë, të rrënjosur në jetën me Krishtin. Jemi të sigurtë se në Krishtin është e mundur të jetojmë me qetësi të sotmen e historisë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, me sy hapur drejt amshimit”.

Kujdes për çdo njeri e për botën mbarë

         “Këto kohë, - thuhet më tej në mesazh - nuk janë të pakta kërcënimet dhe format e reja të skllavërisë, që lëndojnë thellë dinjitetin e njeriut, krijuar në shembëlltyrë e në përngjasim me Zotin. Le të mendojmë për eksodin masiv të njerëzve, detyruar nga luftrat e varfëria të lënë familjet e shtëpitë e tyre. Një e ardhme më e mirë – theksojnë Kishat e Evropës – është e mundur vetëm nëse ndjekim Zotin dhe zemrat tona, nëse praktikojmë drejtësinë, jo vetëm si individë, por edhe si bashkësi”.

Dëshira për bashkim bëhet e dukshme në dashurinë e Kishave tona

         “Kishat e krishtera të Evropës duan ta dëshmojnë dashurinë e Krishtit për çdo njeri. Dëshira për unitetin e dukshëm të Kishave tona – vijon mesazhi – gjen sot, shprehjen e vet, në dashurinë e shumë bashkësive të krishtera. Kështu, uniteti forcohet përmes: solidaritetit me vëllezërit tanë të krishterë, që jetojnë në kushte të vështira, të vetmuar e të mënjanuar; solidaritetit me vëllezërit tanë të krishterë të persekutuar, për shkak të fesë, sidomos në Lindjen e Mesme, në Afrikë dhe në Azi; solidaritetit me fqinjët, që mbërrijnë në portat e Evropës dhe përmes nxitjes së Evropës që të kujdeset për nevojat shpirtërore e materiale të banorëve të saj”.

Urgjenca e këtyre sfidave konfirmon rëndësinë e bashkimit të të krishterëve

         Së fundi, Kishat evropiane i ftojnë besimtarët e krishterë të të gjitha besimeve të vijojnë ta dëshmojnë Ungjillin me shpresë. Kjo kërkon ta mbështesin njëri-tjetrin, të mirëkuptohen dhe ta ruajnë, në paqe e pajtim, bashkimin e dhënë nga Shpirti Shenjt. Mesazhi nënshkruhet nga kryetari i Këshillit të Kishave të Evropës (Kek), Christopher Hill, dhe nga kryetari i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (Ccee), kardinali Angelo Bagnasco.

22/01/2018 12:11