2018-01-21 18:00:00

Papa në Peru, takimi me ipeshkvijtë: bëhuni si shën Turibi i Mongrovejos


Shën Turibi i Mongrovejos është shembulli, që u dha Papa Françesku ipeshkvijve të Perusë, të cilët i takoi në kryeipeshkvinë e Limës, menjëherë pas lutjes para relikeve të shenjtorëve peruvianë. Ati i Shenjtë u nis nga një kuadër i Shën Turibit, që ndodhet në Vatikan. Shenjti kalon një lumë, ujrat e të cilit hapen para tij, ashtu si Deti i Kuq para Moisiut në Bibël. Në bregun tjetër e pret një grup i madh indigjenësh, ndërsa pas tij, besimtarët, që ndjekin bariun e tyre, në veprën e ungjillëzimit. Shën Turibi, njeriu që diti të arrijë në bregun tjetër, i dha emër Papa komentit të vet.

Në bregun tjetër, në kërkim të të largtëve e të humburve

Së pari, në bregun tjetër shkoi për të kërkuar të largëtit e të humburit, nënvizoi Papa, duke vënë në dukje rëndësinë e vizitave baritore për të gjithë ipeshkvijtë. Në 22 vjet si ipeshkëv, vërejti, shën Turibi i kaloi 18 vjet jashtë Limës, ku ishte kryeipeshkëv, duke e përshkuar për tre herë me radhë territorin, që i ishte besuar. “Por nuk e bënte këtë me fjalë, por me dëshminë e tij – nënvizoi Papa – duke qenë vetë në vijën e parë të ungjillëzimit”.

Në bregun tjetër, jo vetëm gjeografik, por edhe kulturor

Deshi të arrijë në bregun tjetër, jo vetëm gjeografik, por edhe kulturor, vijoi Papa komentin e kuadrit të Shën Turibit në Vatikan. Ati i Shenjtë kujtoi se ai qe promovues i ungjillëzimit në gjuhën e popujve vendas e se, në Koncilin III të Limës, dha urdhër që katekizmi të përkthehej në gjuhën Quechua dhe në atë Aymara. “Sa urgjent është ky botëkuptim për ne, barinjtë e shekullit XXI – ngriti zërin Papa – të cilëve na takon të mësojmë një gjuhë krejtësisht të re, siç është ajo dixhitale, për shembull. Duhet ta njohim gjuhën aktuale të të rinjve, të familjeve, të fëmijëve” e duhet ta flasim atë gjuhë, theksoi Françesku, përndryshe nuk mund të hyjmë në kulturën e të tjerëve.

Në bregun e bamirësisë e të dashurisë

Në bregun tjetër, vijoi Papa komentin për shën Turibin, kryeipeshkvi i Limës shkoi edhe për bamirësi e për t’u shprehur indigjenëve dashurinë e Krishtit për çdo njeri. Ati i Shenjtë kujtoi se në vitin 1585 e pati çkishëruar guvernatorin e Cajatambos, pasi ai kishte shfrytëzuar pa cak popullsitë vendase. Është bariu, që e shpreh dashurinë, duke mbrojtur drejtësinë, nënvizoi Papa. Është “profecia ipeshkvnore, që nuk ka frikë të denoncojë abuzimet dhe shtypjen e popullit”.

Në bregun tjetër, për të formuar meshtarët e rinj

Papa kujtoi se shën Turibi i Mongrovejos themeloi seminarin e parë pas Koncilit të Trentit, në këtë zonë të botës, duke promovuar kështu formimin e klerit vendas. Mbrojti shugurimin e metisëve, kur kjo krijonte shkandull, duke favorizuar formimin e një kleri që dallohej për shenjtëri e jo për origjinën e tij etnike. “Është bariu, që i njeh meshtarët e vet – theksoi Papa mësimin e vlefshëm edhe për ditët e sotme. - …u kujtoi meshtarëve të vet se ishin barinj e jo tregtarë, prandaj u duhej të kujdeseshin për indigjenët dhe t’i mbronin si bijtë e tyre. E nuk e bëri, këmbëkryq, nga tryeza”, vërejti Françesku.

Bregu tjetër, ai i bashkimit

Në bregun tjetër, vazhdoi Ati i Shenjtë, ishin popujt autoktonë të Perusë, të cilët duhen interguar e bashkuar me besimtarët e tjerë të krishterë, që shën Turibi i ka pas vetes në pikturën e Vatikanit. Ashtu siç bëri shenjti, të dyja palët duhet të bashkëpunojnë në unitet, në dialog të ndershëm e të sinqertë, duke u parë në sy e duke u larguar nga tundimi i injorimit të ngjarjeve të kaluara, gjatë të cilave, “i conquistadores” spanjollë nuk i kanë respektuar aspak vendasit. Kisha duhet të jetë një, nënvizoi Papa Françesku, duke kujtuar se bashkësitë e para të krishtera dalloheshin sepse duheshin shumë. “E kjo – përfundoi Papa – është e do të jetë ungjillëzimi më i mirë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.